Ndërlidhjet

Kazakistani përpiqet të rehabilitojë të kthyerit e Shtetit Islamik


E sapo kthyer nga Siria në Kazakistan, Zarina 24 vjeçare thotë se nuk ka plan të qartë për të ardhmen e saj.

Nëna e vejë e dy djemve të lindur në Siri, për pesë vite ishte e martuar me një luftëtar të të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) dhe tashmë kalon shumicën e kohës së saj duke shëtitur në qendrat tregtare dhe parqet në qytetin e saj Aqtobe, në Kazakistanin perëndimor.

Zarina, e cila nuk dëshiron të zbulojë emrin e saj të plotë për arsye familjare, ishte midis qindra qytetarëve kazakë të riatdhesuar nga Siria këtë vit në një operacion të veçantë të quajtur Zhusan.

“Kisha frikë të kthehesha, mendoja se do të më arrestonin. Por, në kampin e refugjatëve në Siri kam dëgjuar se Kazakistani po i kthen shtetasit e vet,” thotë Zarina.

“Unë jam mirënjohëse ndaj vendit tim që na ka kthyer, na ka dhënë rroba dhe këpuca dhe që po na siguron mbështetje psikologjike,” tha Zarina.

Ashtu si pjesa tjetër e të kthyerve nga Siria, Zarina dhe fëmijët e saj kanë kaluar një muaj në një qendër speciale në qytetin Aqtau, ku më pas janë liruar të takojnë të afërmit e tyre. Qendra në Aqtau është pjesë e Programit për Rehabilitimin dhe Riintegrimin e personave që kthehen në Kazakistan, pasi kanë jetuar me militantët e IS-it.

Procesi i riintegrimit pritet të zgjasë me vite, nën kontrollin e rreptë të autoriteteve lokale dhe shërbimeve të sigurisë.

Qendra në Aqtau, ku të kthyerit janë vendosur pas arritjes së tyre, është e distancuar nga mediat, publiku madje edhe për të afërmit e të kthyerve.

Por, zyrtarët që e dinë programin e rehabilitimit, i thanë Radios Evropa e Lirë së në qendrën në Aqtau, të kthyerit po i nënshtrohen testeve mjekësore dhe po marrin trajtime e operacione sipas kërkesave të tyre.

Në qendër ka punëtorë special të trajnuar si psikologë si dhe prijës fetarë, të cilët mbajnë takime dhe konsultohen me të kthyerit.

Ndërsa, fëmijët shkojnë në shkollë me mësues dhe psikologë special, përderisa të rriturit merren në pyetje nga shërbimet e sigurisë.

Ata që merren në pyetje nga shërbimet e sigurisë, më pas lejohen t'i kthehen jetës së tyre normale në shtëpitë e tyre. Dhjetëra të tjerë janë transferuar në qendrat e paraburgimit për t’u përballur me akuzat lidhur me terrorizëm.

Operacioni Zhusan u zhvillua në tri faza, në mes të muajit janar dhe maj dhe nga ky operacion u riatdhesuan në total 516 shtetas kazakë, duke përfshirë 357 fëmijë.

Qeveria bëri të ditur se 47 persona u kthyen në fazën e parë në janar dhe 231 të tjerë në fillim të majit. Nga faza e tretë u kthyen 238 gra dhe fëmijë.

Qeveria thotë se në të ardhmen nuk do të ketë operacione të tjera. Ende nuk dihet se a ka shtetas të tjerë kazak në Siri ose Irak. Në korrik të 2018, Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit bëri të ditur se më shumë se 800 shtetas kazakë kishin ikur për në Siri dhe Irak gjatë vitit 2013 për t’iu bashkuar IS-it.

Shumë prej militantëve dhe familjeve të tyre u vranë në sulme ajrore dhe gjatë luftimeve.

Shumë luftëtarë dhe shumë gra nga Kazakistani u zhgënjyen dhe u kthyen në shtëpi shumë kohë para fillimit të operacionit Zhusan.

A përbëjnë ende kërcënim për sigurinë?

Të paktën 27 persona duke përfshirë pesë gra, të cilët u kthyen në Kazakistan si pjesë e operacionit Zhusan, janë arrestuar nën akuzat për terrorizëm.

Erlan Karin, një këshilltar i presidentit kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, thotë se një nga pyetjet më të shpeshta në lidhje me të kthyerit është se nëse ata përbëjnë kërcënim të sigurisë për të ardhmen.

Në Kazakistan, rreth 70 për qind e popullsisë, apo 18 milionë janë myslimanë.

Programi i Qeverisë kazake është kritikuar nga shumë njerëz, pasi që sipas tyre, personave që janë kthyer nga Siria nuk duhet t’u besohet.

“Ata që janë zhgënjyer që janë bashkuar me IS-in, janë kthyer moti në shtetin e tyre, por këta njerëz kanë pritur deri në minutën e fundit që IS-i të kolapsojë,” thotë Nurlan, një student në Almaty i cili nuk ka dashur ta tregojë emrin e plotë.

“Ata janë kthyer sepse nuk kanë pasur zgjidhje tjetër,” shton Nurlan.

Këshilltari presidencial Karin thotë se “çdo kërcënim potencial i sigurisë do të kishte qenë shumë më i madh”, nëse Kazakistani do të linte shtetasit e vet, veçanërisht gratë dhe fëmijët, të bllokuar në kampet e refugjatëve në Siri.

“Ekziston rreziku që këto gra dhe fëmijë të shfrytëzohen nga grupe ekstremiste radikale për qëllime të ndryshme,” tha Karin për Radion Evropa e Lirë më 17 qershor.

Karin tha se rreth 70 për qind e fëmijëvë të riatdhesuar janë nën moshën gjashtë vjeç dhe shumë prej tyre kanë lindur në Siri. Ata kurrë nuk kanë shkuar në shkollë dhe nuk dinë të lexojnë apo shkruajnë. Sipas Karin, në mesin e këtyre fëmijëve shumica janë jetim.

Ashtu si Zarina në Aqtobe, e cila u martua në moshën 18 vjeçare, shumë gra të riatdhesuara nga Siria nuk kanë aftësi për punë ose ndonjë profesion. Si pjesë e riintegrimit, autoritetet lokale kanë organizuar kurse afatshkurtra në të cilat të kthyerit mund të mësojnë aftësi të reja për punë dhe profesion.

Disa gra që u kthyen në janar të këtij viti nga Siria, kanë përfunduar kurse dhe kanë gjetur punë si floktare. Zarina thotë se ende nuk ka vendosur se çfarë të bëjë me jetën e saj. Ajo dhe fëmijët e saj jetojnë me prindërit e saj dhe marrin mbështetje financiare nga të afërmit e bashkëshortit të saj i cili u vra në Siri.

Qeveria bën të ditur se fëmijët e lindur në Siri do të marrin pasaporta kazake.

Shumë nga fqinjët e Kazakistanit në Azinë Qendore kanë ndërmarrë hapa të njejtë kështu duke u marrë me shtetasit e tyre që janë në Siri dhe Irak, të cilët i janë bashkuar IS-it.

Në fund të muajit maj të këtij viti, Uzbekistani ka njoftuar se ka riatdhesuar 156 shtetas të vet nga Siria dhe Iraku.

Taxhikistani ka ofruar amnisti për shtetasit e saj të cilët kthehen vullnetarisht nga Siria dhe Iraku. Ndërsa, Kirgistani njoftoi se Qeveria ka filluar punën për të sqaruar numrin e qytetarëve të Kirgistanit që janë në Siri dhe Irak.

Zarina ndjehet me fat që do të ketë një shans të dytë.

“Më vjen keq që e lash atdheun tim dhe është diçka për të cilën do të ndjehem keq tërë jetën time,” tha ajo.

“Përkundër gabimeve tona, Kazakistani na mirëpriti, nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time”.

Përgatiti: Donika Alihajdari
XS
SM
MD
LG