Ndërlidhjet

Zelensky: Ka nisur beteja për Donbasin


Pamje të shpërthimeve në Mariupol.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka nisur ofensivën e gjerë në rajonin e Donbasit.

Mediat ukrainase kanë raportuar më 19 prill për bombardime të fuqishme në rajonin Donjeck, përkatësisht në Marinka, Sllavjanska dhe Kramatorsk.

“Ne mund të konfirmojmë tani se trupat ruse kanë nisur betejën për Donbasin, të cilën e kanë përgatitur për kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani është e dedikuar në këtë ofensivë”, ka thënë Zelensky në llogarinë e tij në Telegram më 18 prill.

“Nuk ka rëndësi sa trupa ruse janë dërguar atje, ne do të luftojmë. Ne do të mbrojmë veten. Do ta bëjmë këtë çdo ditë”, ka thënë ai.

Zelensky ka falënderuar mbrojtësit ukrainas, të gjitha qytetet e Donbasit, përfshirë Mariupolin, por edhe qytetet në rajonin e Harkivit, të cilat “mbrojnë fatin e gjithë shtetit”.

A do të dalë Putini në bankën e të akuzuarve?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:12:02 0:00

Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë thënë më herët se Rusia duket se ka nisur ofensivë të re, pas një serie të sulmeve me raketa në infrastrukturë ushtarake në qytetin perëndimor të Lvivit, si pasojë e të cilave kanë vdekur të paktën shtatë njerëz.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se ka parë “shenja të një ofensive të re në rajonin lindor” dhe në fokus duket se janë rajonet e Harkivit dhe Donjeckut.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, ka raportuar po ashtu për ofensivën.

“Ne humbëm kontrollin e qytetit Kremina. Ka luftime në rrugë”, ka thënë ai, duke përmendur se evakuimet nuk janë më të mundshme.

“Çdo orë situata po përkeqësohet”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 19 prill se forcat e saj kanë goditur 1,260 shënjestra në Ukrainë gjatë natës dhe kanë rrëzuar një aeroplan luftarak MiG-29 të forcave ukrainase në rajonin Donjeck.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Përveç shtatë të vrarëve në Lviv, 11 të tjerë janë dërguar në spital për trajtim, kanë thënë zyrtarë qeveritarë të Lvivit më 18 prill.

Lvivi dhe pjesa tjetër perëndimore e Ukrainës është prekur më pak nga sulmet, në krahasim me pjesën tjetër të shtetit.

Rusia ka thënë se përmes sulmeve në Lviv ka shkatërruar një depo të madhe me armë të huaja, që janë dërguar së fundi në Ukrainë.

Aeroplanët rusë kanë goditur qendrën ukrainase të logjistikës “ku ka pasur armë të huaja, të dërguara në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në gjashtë ditët e fundit” dhe “i kanë shkatërruar ato”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Ai ka thënë se municioni është shkatërruar edhe në rajonin e Kievit.

Mbi 100,000 njerëz të bllokuar në Mariupol

Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk ka thënë më 19 prill se nuk është arritur pajtueshmëri për hapje të korridoreve humanitare me Rusinë, për të tretën ditë me radhë, duke lënë të bllokuar mijëra njerëz në qytetin e Mariupolit.

“Fatkeqësisht, nuk ka korridore humanitare. Bombardimet intensive janë duke vazhduar në Donbas”, ka thënë Vereshchuk përmes Telegramit më 19 prill.

“Ne po vazhdojmë negociatat e vështira për të hapur korridoret humanitare në rajonet Herson dhe Harkiv”, ka shtuar ajo.

Vazhdimi i rrethimit të Mariupolit në juglindje të Ukrainës ka rezultuar me viktima të konsiderueshme civile dhe shkatërrim të një pjese të madhe të infrastrukturës.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke zbatuar taktikat e luftërave sikurse në Çeçeni dhe Siri, pavarësisht pretendimeve të Moskës në nisje të pushtimit se “Rusia nuk do të godasë qytete dhe as nuk do të kërcënojë popullsinë ukrainase”.

Vlerësohet se 100,000 njerëz kanë mbetur brenda qytetit, pa ushqim, ujë, ngrohje apo rrymë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Para luftës, Mariupoli ka pasur 450,000 banorë.

Biden s’ka plan të vizitojë Kievin

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 18 prill se presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka plane për të vizituar Kievin.

Zelensky i ka bërë thirrje Bidenit që të demonstrojë mbështetjen amerikane në luftimet kundër Rusisë, duke udhëtuar drejt kryeqytetit ukrainas, mirëpo zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se nuk ka plane që presidenti amerikan të shkojë atje.

Zelensky ka thënë më 17 prill se ai mendon që Biden do të bëjë një vizitë të tillë, mirëpo ka thënë se vendimi i përket presidentit amerikan dhe do të varet nga situata e sigurisë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se në vend të Bidenit, ka shumë mundësi që Kievin ta vizitojnë zyrtarë të lartë amerikanë, sikurse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken apo Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG