“Danas”: Dejton për ndarjen e Kosovës

E përditshmja serbe “Danas” shkruan se në Uashington po përflitet për mundësinë e një konference në formën e Dejtonit, në të cilën, përveç tjerash, thuhet se do të trajtohej edhe opsioni i ndarjes së Kosovës.



E përditshmja serbe “Danas”, në një artikull për Kosovën, shkruan se gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, në Shtetet e Bashkuara, adresa të ndryshme në Uashington janë duke analizuar porositë që Jeremiq ka sjellë nga Beogradi.

Në këtë kuadër, gazeta shkruan se ministri i Jashtëm serb, në mënyrë të palodhshme, ka insistuar se “Serbia nuk do ta njohë kurrë shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, por, prapa dyerve të mbyllura, siç merret vesh, ai me angazhim ka folur për gatishmërinë mbi një kompromis dhe “për secilin rezultat, i cili realisht do të ishte në interes të paqes në Ballkan”.

Ky formulim i maskuar për ndarjen e Kosovës si zgjidhje përfundimtare – të cilën publikisht ende po e mohojnë të dyja palët – sipas burimeve amerikane, bazohet në këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, nëpërmjet statusit eksterritorial për objektet e kultit serb.

Ky variant, shkruan e përditshmja “Danas”, është përfolur edhe në një pritje me rastin e përvjetorit të dytë të shtetësisë së Kosovës dhe në reagimet e para në Uashington viti 2010 përmendet si afat i mundshëm kohor për një formë konference të Dejtonit për Kosovën. (A.V.)