KFOR: Edhe më tutje raporte të ngrira me FSK-në

Paqeruajtës të KFOR-it

KFOR-i ende nuk ka rifilluar bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas ngrirjes së raporteve, për shkak se pjesëtarët e FSK-së u paraqitën publikisht me armë. Vendimi për suspendimin e përkohshëm të bashkëpunimit me FSK-në është marrë nga komandanti i KFOR-it, Markus Bentler.

Misioni paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë (KFOR) po vazhdon pezullimin e përkrahjes, mentorimit dhe trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Paraqitja me armë e Gardës Ceremoniale të FSK-së në manifestimin “Epopeja e UÇK-së” ka nxitur reagimin e KFOR-it.

“Ky veprim është ndërmarrë si përgjigje e paraqitjes së Gardës së Nderit të FSK-së të armatosur dhe me stil ushtarak, gjatë Ceremonisë Përkujtimore për Martirët, më 5 mars, 2010. Kjo nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së”.

“Flamuri i NATO-s gjithashtu valonte gjatë ceremonisë. Kjo nuk është e pranueshme, për atë se KFOR-i është neutral ndaj statusit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra për informim e KFOR-it.

Në komunikatë thuhet se pezullimi do të vazhdojë deri në një njoftim të ardhshëm, duke mos saktësuar kohën.

Komandanti i KFOR-it, i cili ka marrë vendimin për pezullim, u ka kërkuar autoriteteve relevante, siç thuhet, “një sqarim të konsiderueshëm rreth incidentit, veprim të përshtatshëm korrigjues dhe garanci se veprime të tilla nuk do të përsëriten më”.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh, shpreson se situata do të tejkalohet.

“Edhe më tej kemi raporte të ngrira me FSK-në, por do të shohim se çka do të sjellë e ardhmja. Jemi të sigurt se do të kemi sërish bashkëpunim”, thotë Hans Peter Buh.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, duke mbrojtur vendimin e paraqitjes së Gardës së armatosur gjatë manifestimit të FSK-së, thonë se kanë respektuar urdhrat që kanë ardhur nga Qeveria.

Zëdhënësi i FSK-së, Enver Dugolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreshtimi i Gardës nuk përçon mesazh të gabuar.

Garda Ceremoniale është ajo, e cila vepron për manifestime. Rreshtimi i saj nuk ka ndonjë mesazh të keq, apo mesazh që bart me vete ndonjë të papritur. Edhe armët e Gardës Ceremoniale janë pjesë e uniformës”, shprehet Dugolli.

Zëdhënësi Dugolli thotë se në FSK nuk ka arritur ende asgjë e shkruar nga KFOR-i, në lidhje me ngrirjen e raporteve. Dugolli shpreson se situata do të tejkalohet.

“Ne jemi nën kontroll të Qeverisë dhe vetëm e kemi zbatuar agjendën e Qeverisë. Besoj se kjo situatë duhet të tejkalohet, për arsye se KFOR-i për ne është një partner strategjik, i cili na ka ndihmuar vazhdimisht. Unë besoj se kjo situatë duhet të kalohet për të mirën e përbashkët”.

“Neve na duhet asistenca e KFOR-it, na duhet ndihma e KFOR-it. Edhe KFOR-i besoj se do të gjejë mirëkuptim dhe do ta kalojë këtë situatë, pasi që FSK-ja është projekt i përbashkët dhe si e tillë do të vazhdojë zhvillimin dhe ndërtimin e saj”
, thotë Dugolli.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka reaguar ndaj veprimit të KFOR-it, duke kërkuar që situata të qartësohet. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer me KFOR-in dhe i janë falënderuese për sigurinë në vend.

Megjithatë, Kuçi ka thënë se askush nuk mund të kërkojë nga Kosova që të mos sillet si shtet sovran.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe si i tillë ka edhe institucionet e veta, përfshirë edhe FSK-në”
, ka thënë Kuçi.

Por, në bazë të Planit të Ahtisarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, NATO-ja ka autoritet ekzekutiv ndaj FSK-së, derisa ajo të arrijë kapacitetin e plotë operacional. FSK-ja pritet që të bëhet plotësisht operacionale brenda periudhës 2 deri në 4-vjeçare.