KFOR-i arrin marrëveshje me FSK-në

Paqeruajtës të KFOR-it

KFOR-i rinisi bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas disa ditësh pezullimi. Marrëveshja e arritur mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të FSK-së.





Pas pesë ditësh pezullimi, KFOR-i rinisi të mërkurën bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në një komunikatë për media të KFOR-it, thuhet se, “pas pezullimit të mbështetjes së KFOR-it për Forcën e Sigurisë së Kosovës më 5 mars 2010, presidenti dhe kryeministri kanë punuar me komandantin e KFOR-it, që t’i zgjidhin në mënyrë të kënaqshme çështjet në fjalë”.

Sipas KFOR-it, kjo ka rezultuar në një marrëveshje të re, që ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila do të vazhdojë t’i përdorë, siç thuhet, armët e demilitarizuara me pajtimin e komandantit të KFOR-it.

Marrëveshja rikonfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak, meqë kjo detyrë është e ndërmarrë nga KFOR-i.

“Pas konkludimit të kësaj marrëveshjeje, ne mund të konfirmojmë se KFOR-i do të rikthejë rolin e tij trajnues dhe mentorues me Forcën e Sigurisë së Kosovës”,
thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Tutje, në komunikatë thuhet se qëllimi i NATO-s është që të vazhdojë mbështetjen për FSK-në, derisa ajo të arrijë aftësinë e saj të plotë operacionale.

Paraqitja e Gardës së armatosur në ceremoninë e “Epopesë së UÇK-së” javën e kaluar, kishte nxitur reagimin e KFOR-it, i cili kishte thënë se stili ushtarak i gardës nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së.

Rrjedhimisht, komandanti i KFOR-it kishte marrë vendimin për pezullim të bashkëpunimit me FSK-në.

Ndërkohë, FSK, e cila e quan të tejkaluar mosmarrëveshjen me KFOR-in dy ditë më parë, mirëpriti deklarimin e KFOR-it.

Zëdhënësi i FSK-së, Enver Dugolli, i tha Radios Evropa e Lirë, se FSK-ja beson se nuk do të ketë pasoja në raportet e mëtejme me KFOR-in.

“Kjo ka qenë një ndërprerje e shkurtër, e cila besoj se nuk do të bartë pasoja. Ne e mirëpresim marrëveshjen, pasi që FSK-ja është një projekt i përbashkët i shtetit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila na kanë ndihmuar në themelimin e shtetit të Kosovës dhe në këtë rast edhe FSK-së”,
tha Dugolli.

Zëdhënësi Dugolli arsyetoi edhe vendimin e cekur në marrëveshje, se njësiti ceremonial i FSK-së do të paraqitet vetëm me pajtimin e komandantit të KFOR-it.

“Kjo u referohet edhe akteve ligjore, Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit, ku parashihet një gjë e tillë. KFOR-i në këtë periudhë është organ ekzekutiv mbi FSK-në, që do të thotë se është në mentorim, pastaj këshillim dhe ka rol kyç në ndërtimin e kësaj force. Kjo përkon me aktet normative ligjore në fuqi”
, deklaroi Dugolli.

Ndryshe, pesë ditë pezullimi të bashkëpunimit mes KFOR-it e FSK-së, patën ngritur shqetësimin e ekspertëve ushtarakë, sipas të cilëve ndihma e NATO-së dhe e KFOR-it në ngritjen e FSK-së është e patjetërsueshme.

Drejtori i Klubit Euro-Atlantik të Kosovës, Ramë Arifaj, ish-epror i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, tha se situata e krijuar ka pasur një ndikim negativ.

“Kjo tashmë ka ndikuar mjaft, sepse ka pasur ndikim negativ edhe në aspektin psikologjik edhe te masa”
, tha Arifaj, duke potencuar nevojën e bashkëpunimit të institucioneve me misionin ushtarak në Kosovë.

Më herët, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kishin quajtur legjitime paraqitjen e Gardës më 5 Mars.

Madje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, kishte thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë arsye për t’i kërkuar falje KFOR-it e NATO-s, ashtu siç kanë kërkuar partitë opozitare.

Por, eksperti për çështje ushtarake, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, u shpreh se kjo që bënë zyrtarët e Qeverisë, është formë e gabuar.

Ai shpjegoi se paraqitja e FSK-së në ceremoninë e “Epopesë së UÇK-së”, nuk ka qenë e rregulluar me ligj.

“Zyrtarët e Qeverisë duhet ta dinë se ka kaluar koha e rrahagjokseve dhe e bërjes gara se kush është më patriot se tjetri. Në lidhje me pjesëmarrjen e FSK-së në ceremoninë e 5 Marsit, duhet ditur se ne nuk kemi ende ligj për dëshmorët, pra ligjin për ditën e dëshmorëve, me të cilin do të sanksionohej se si do të zhvillohej ceremonia e asaj dite”.

“Unë nuk e di saktë marrëveshjen që ka qenë me Qeverinë dhe KFOR-in, kur u angazhua NATO dhe KFOR-i në ngritjen e FSK-së. Ne nuk e kemi në dispozicion atë marrëveshje dhe nuk ka qenë e publikuar. Mirëpo, ndoshta ka pasur ndonjë pikë që nuk i është përmbajtur Qeveria, mbase edhe jo me qëllim”,
u shpreh Maloku.

Formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës kishte filluar një vit më parë, ndërsa ngritja e kapaciteteve të saj është marrë përsipër nga NATO-ja.

Është po kjo aleancë ajo që ka autoritet ekzekutiv ndaj FSK-së, derisa kjo forcë të arrijë kapacitetin e plotë operacional.