Gjyqësori vihet në thumb të kritikave për mosndëshkim të korrupsionit në dy raporte, atë të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Agjencisë Anti-Korrupsion. Por, shoqëria civile fajëson edhe Qeverinë e Kosovës për gjendjen e krijuar.
Dy raporte të kësaj jave kritikuan gjyqësorin se nuk po i ndëshkon zyrtarët e korruptuar.
Raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit Amerikan të Shtetit tha, ndër të tjera, se mungesa e një sistemi efikas juridik dhe dobësitë në shtetin ligjor, kanë kontribuar në korrupsionin e Qeverisë.
Ndërsa, Agjencia Anti-Korrupsionit alarmoi se për tri vite, nga 168 lëndë të dërguara në prokurori, asnjë nuk është përfunduar, ndërsa janë ngritur vetëm pesë aktakuza.
Raporti i kësaj agjencie, për vitin 2009 tregon se krahasuar me vitin e kaluar, korrupsioni në gjyqësi ka shënuar rritje prej 63 për qind.
Por, kryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Lirie Osmani, u del në mbrojtje gjyqtarëve.
“S’e di, po thuhet që është mjaft i korruptuar, por nuk besoj që është kaq i korruptuar sa po thuhet. Tash po përmenden 53 raste, që i ka dërguar Agjencia Anti-Korrupsion”.
“Ata nuk japin emra, ato lëndë janë nëpër prokurori. Derisa prokuroria nuk ngre aktakuza, unë besoj se as prokurorët nuk mund të japin emra”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lirie Osmani.
Në të vërtetë, Agjencia Anti-Korrupsion bën të ditur, se të paktën për një rast, aktakuza është ngritur para 14 muajsh, mirëpo nuk ka pasuar asnjë seancë gjyqësore.
Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës kundër korrupsionit “Çohu”, thotë se pa funksionim të duhur të gjyqësorit, nuk do të ketë ndëshkime për të korruptuarit.
“Derisa nuk funksionon gjyqësori, nuk mund të presim ndonjë ndëshkim dhe, në anën tjetër, raportet e fundit dhe iniciativat brenda Qeverisë, vetëm sa po e ekspozojnë më shumë problemin e korrupsionit në Kosovë”.
“Por, ky problem nuk do të ketë zgjidhje, derisa Qeveria dhe institucionet tjera nuk merren seriozisht me gjyqësorin, i cili në Kosovë, për tërë këto vjet, ka qenë jofunksional”, shprehet Zogiani.
Për mosfunksionalitetin e gjyqësorit, Lirie Osmani fajëson numrin e vogël të gjyqtarëve.
“Është edhe një çështje, që me të vërtetë gjykatat kanë shumë lëndë, prandaj është e mundur, sepse këto akuza janë bërë në kohët e fundit, ndërsa gjyqtarët janë të ngarkuar me lëndë. Por, për këtë çështje duhet të marrim informacion të plotë nga të gjitha gjykatat, që i kanë këto lëndë”, thekson Osmani.
Duke parë se rastet e dyshimta korruptive kanë kaluar pa u gjykuar në tri vjetët e fundit, kësaj here, 34 rastet më të ndjeshme, për të cilat dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve, Agjencia Anti-Korrupsion i ka dërguar në prokurorinë e EULEX-it.
Agjencia bën të ditur se me aferat korruptive të tyre është dëmtuar shumë buxheti. Por, Avni Zogiani shprehet skeptik se EULEX-i do t’i ndëshkojë zyrtarët në fjalë.
“EULEX-i është peng i vetë natyrës së tij. EULEX-i në Kosovë varet tepër shumë nga lojaliteti i politikës kosovare, lojalitet ky, i cili varet pastaj nga ajo nëse EULEX do të ndërmarrë masa kundër korrupsionit, ose jo".
“Pra, është njëfarë ndërvarësie reciproke e EULEX-it me politikën aktuale, e cila është në masë të konsiderueshme e korruptuar”, thotë Zogiani.
Ditë më parë EULEX-i ka bërë të ditur se ka ngritur hetime për 33 raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkaq, javën e kaluar shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i bëri thirrje të hapur Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për t’i larguar ata që janë të përfshirë në këtë dukuri.