Maqedoni: OJQ-të protestojnë, sindikalistët festojnë

Fotografi ilustruese

Zdravko Savevski, aktivist në organizatën joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve “Solsidarnost”, thotë se në Maqedoni qëllimisht ka pësuar disa herë radhazi ligji që mbron të drejtat e punëtorëve, ngase në këtë mënyrë punëtorët nuk kanë ide të qartë se çka u shkurtohet si e drejtë dhe çka në fakt u shtohet - por nuk arrin të gjejë zbatim në kushtet e ekonomisë së vendit.

“Situata, e cila ka të bëjë me statusin e punëtorëve dhe të drejtave të tyre, nuk është përkeqësuar brenda një dite në të gjitha sferat, por sot është shkurtuar diçka, një muaj më herët diçka tjetër, para disa të tjerëve dhe ca pjesë të tjera dhe kështu, në periudhë të shkurtër kohore, duket se nuk janë prekur interesat e punëtorëve. Por, në planin afatgjatë, duket qartë se këto të drejta janë cunguar në atë masë saqë nuk gjejnë zbatim”, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, konsideron se Maqedonia ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të përmirësimit të të drejtave të punëtorëve, duke shtuar se ka ngelur ende punë në këtë drejtim.

Duke arsyetuar mosmbështetjen e protestave të së mërkurës, për më shumë të drejta për punëtorët, sindikalistët theksojnë se do të fillojnë të formojnë këshilla lokalë ekonomiko-social.

“Qëllimi është që nëpërmjet tyre, të forcohen funksionet që kanë. Dita e Punës do të shënohet me disa takime me qytetarë edhe nga Konfederata e sindikatave të lira”, konfirmon përmes një përgjigjeje me shkrim LSM-ja, duke bërë të ditur se në Parkun e Qytetit, përfaqësues të sindikatës do t’i informojnë qytetarët për lëvizjet sindikaliste dhe për ndryshimet e mundshme.

Por, organizatat joqeveritarë thonë se statusi i punëtorëve është më i pavolitshëm se kurdoherë. Ndryshimet e fundit ligjore punëtorëve u kanë sjellë më pakë ditë për pushim, gjoba të larta për sindikalistët dhe të njëjtat janë shumë më të ulëta për punëdhënësit. Njëkohësisht, nënave të reja që kanë probleme gjatë shtatzënisë, do të paguhet 70 për qind e rrogës dhe jo siç ishte më parë 100për qind.

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse duhet protestuar më 1 Maj, shprehet Dimitar Apasiev, nga organizata joqeveritare “LENKA”.

“Në Maqedoni nga gjithsej 65-66 mijë kompanitë e regjistruara vetëm 2 mijë prej tyre kanë të themeluara qeliza sindikaliste , që do të thotë se sipas analizave tona, rreth 500 mijë punëtorë nuk janë pjesë e sindikatës”, bën të ditur Apasiev.

Ai shton se kjo amulli, bën që sindikata mos të paraqitet si organ serioz, përmes të cilit do të mbroheshin të drejtat e punëtorëve.

Ndërkaq, Adnan Jashari, ekspert juridik, thotë se influenca e politikës ka bërë që Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë, mos të paraqesë të ashtuquajturin motor që mbron pa kompromis interesat e punëtorëve.

“Politika është ajo që ka mënjanuar në formë të drejtpërdrejtë funksionin e sindikatës, duke u vënë në interes të pushtetit dhe partive politike në pushtet dhe jo të funksionit të vërtetë që ka - mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Besoj se pikërisht kjo është rezultat i drejtpërdrejtë pse sindikata në Maqedoni, ose organizatat sindikale të vendit nuk janë në funksion të realizimit, gjegjësisht mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve, por kanë qëllime ë tjera, të cilat drejtpërdrejt, do të thosha janë edhe jashtë sferës ligjore”, vlerëson Jashari.

Ndryshe, Dita ndërkombëtare e Punës, e cila është festë shtetërore në më shumë vende të botës, në Maqedoni deri në vitin 2006 festohej dy ditë, më 1 dhe 2 Maj. Por pas vitit 2007, kjo festë festohet vetëm më 1 maj.