Mbi 150 të lënduar pas përplasjes së dy trenave në Barcelonë

Pamje nga një aksident i mëhershëm hekurudhor në Spanjë. Fotografi nga arkivi.

Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën në periferi të Barcelonës, thanë shërbimet e urgjencës, raporton BBC.

Përplasja ndodhi rreth orës 08:00 me kohën lokale në një stacion në rajonin verilindor të Katalonisë të Spanjës.

Mediat lokale raportuan se trenat po udhëtonin në të njëjtin drejtim dhe u përplasën derisa njëri ishte i parkuar në stacion.

Ende është e paqartë se si ka ndodhur aksidenti.

Zyrtarët e urgjencës thanë se përplasja ndodhi në stacionin “Montcada i Reixac – Manresa”, rreth 12 km nga qendra e qytetit.

Ata shtuan se 150 persona ishin lënduar lehtë, ndërsa pesë të tjerë janë "në gjendje pak më të rëndë". Nga këta pesë, tre janë transferuar në spital.

SHIKONI EDHE:

Tre të vdekur nga përplasja e trenave në ÇekiKalon 60 numri i viktimave nga përplasja e trenave në PakistanPërplasen trenat në Egjipt, mbesin 36 të vdekur

Disa linja të trenave u ndërprenë për një kohë të shkurtër për shkak të aksidentit, tha qeveria rajonale.

Duke përshkruar momentin e përplasjes, një udhëtare i tha gazetës Ser Catalunya se kishte përjetuar "një goditje të jashtëzakonshme" dhe tha se "njerëzit po bërtisnin".

Ministrja spanjolle e Transportit, Raquel Sanchez, tha se është duke e monitoruar nga afër situatën dhe u uroi "shërim të shpejtë" të lënduarve.