Radio Evropa e Lirë
“100% shtrenjtim”: Nafta godet rëndë bizneset në Kosovë
Gjatë më shumë se një muaji armiqësi të ashpra - me sulme të SHBA-së dhe Izraelit në njërën anë dhe kundërpërgjigje të Iranit në anën tjetër - çmimi i naftës së papërpunuar Brent, standard global i referencës, është rritur deri në gati 50 për qind në kulmet e krizës.
Kjo rritje, e nxitur nga pasiguritë rreth furnizimit global, është reflektuar shpejt në tregjet evropiane të energjisë - deri në Kosovë.
Pa rafineri të veten të naftës, Kosova është tërësisht e varur nga importet dhe, për pasojë, e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj lëkundjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt deri në mes të prillit, çmimet e naftës në vend janë rritur për më shumë se 50 centë për litër.
Në përpjekje për të kontrolluar tregun, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka përcaktuar një marzhë maksimale tregtare për derivatet e naftës, duke kufizuar kështu hapësirën e fitimit për shitësit, dhe më pas e ka zëvendësuar atë me çmime tavan.
Por, efekti i kësaj mase mbetet i diskutueshëm, sidomos për bizneset që varen drejtpërdrejt nga importi dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Disa prej tyre raportojnë se ajo nuk është e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostove të prodhimit.
Në Ferizaj - pjesa juglindore e Kosovës - fabrika e produkteve të pastrimit “Cadi Cleaning” është një shembull i drejtpërdrejtë i kësaj trysnie. Brenda pak javësh, kostot e lëndës së parë për të, që importohet nga jashtë, janë rritur në mënyrë drastike.
Pronari i saj, Sadri Gashi, thotë se baza e prodhimit të tyre - granulati plastik - është e lidhur ngushtë me naftën, pasi rrjedh nga përpunimi në rafineri. Si rezultat, çdo lëvizje në çmimin e naftës përkthehet pothuajse menjëherë në rritje të kostove për fabrikën e tij.
“Kryesisht te ne lëndë e parë është thuajse nafta. Granulati ka përmbajtje prej naftës, do të thotë prej rafinerisë, kështu që te ne ka ngritje të çmimeve ekstrem shumë, rreth 100% është ngritja e çmimit”, thotë Gashi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Përveç shtrenjtimit të lëndës së parë, janë rritur edhe kostot e transportit dhe furnizimit, duke e rënduar edhe më tej bilancin e kompanisë. Aktualisht, fabrika e Gashit, me 75 punëtorë dhe me rreth 70 për qind të prodhimit të orientuar për eksport, po operon me stoqe të siguruara më herët, ndërsa furnizimet e reja vijnë me çmime dukshëm më të larta.
“Pak kemi marrë me çmimet e reja, me shpresën që do të rregullohet dhe stabilizohet tregu, sepse me këto çmime nuk e di se si do të jemi konkurrentë në tregjet ndërkombëtare”, thotë Gashi.
Kjo pasiguri nuk ndalet vetëm tek ekpsortet, por gradualisht zhvendoset edhe në tregun e brendshëm, ku bizneset përballen me zgjedhjen mes uljes së fitimit ose rritjes së çmimeve për konsumatorët. Në të dyja rastet, presioni ekonomik përfundon te qytetari.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit kanë vazhduar të rriten edhe në mars, duke konfirmuar trendin e inflacionit në vend. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni mujor arriti në 1.5 për qind krahasuar me shkurtin, ndërsa norma vjetore ishte 6.7 për qind, krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Kjo valë shtrenjtimesh vjen mbi një terren tashmë të lodhur nga inflacioni rekord i fillimit të viteve 2020, që ishte nxitur nga pandemia COVID-19, e pastaj edhe nga lufta në Ukrainë.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se çmimet e naftës janë një nga shtytësit kryesorë të inflacionit në vend.
Në një ekonomi si Kosova, e varur pothuajse tërësisht nga tregjet e huaja - me mbi 7 miliardë euro importe dhe më pak se 1 miliard euro eksporte vitin e kaluar, ai thekson se derivatet përbëjnë kosto bazë për çdo biznes, dhe shtrenjtimi i tyre reflektohet drejtpërdrejt në transport, prodhim dhe çmime finale.
Me fjalët e tij, Kosova po importon edhe pasojat e krizës së fundit në Lindjen e Mesme.
“Çmimi i derivateve të naftës nuk është rritur vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë dhe në mbarë botën. Në vendet ku prodhohet lënda e parë, kostot operative ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të saj. Më pas, prodhuesi ynë e blen atë lëndë të parë dhe e importon me çmimin e ri që vendos prodhuesi i atij vendi”, thotë Rafuna për Exposenë.
Sipas tij, sektori më i prekur nga shtrenjtimi i derivateve të naftës është ai i prodhimit. Ai paralajmëron se rritja e kostove e dobëson konkurrueshmërinë e bizneseve vendore përballë importit, duke sjellë rënie të kërkesës për prodhimet vendore dhe, pastaj, rrezik për tkurrje të prodhimit, mbyllje biznesesh dhe humbje të vendeve të punës.
Në këtë kontekst, Rafuna thekson nevojën për ndërhyrje më aktive të Qeverisë, në mbrojtje të prodhimit vendor - çmimet tavan për derivatet e naftës thotë se nuk mjaftojnë.
“Ne kemi kërkuar qysh para një muaji, kur kishte tendencë të rritjes së çmimeve, që të merren masa: ose të ulet norma e akcizës, ose të ulet norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo madje të largohet krejtësisht TVSH-ja. Por, nuk është ndërmarrë asnjë veprim, me arsyetimin se dëmtohet buxheti i shtetit”, thotë Rafuna.
Akciza për derivatet e naftës në Kosovë është 36 centë për litër, ndërsa TVSH-ja llogaritet në 18 për qind të çmimit final.
Në rajon, disa vende kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të zbutur rritjen e çmimeve. Maqedonia e Veriut ka ulur përkohësisht TVSH-në për derivate, ndërsa Serbia ka ulur akcizën dhe ka ndaluar përkohësisht eksportin e tyre, për të siguruar furnizimin e brendshëm dhe për të frenuar rritjen e çmimeve.
Ndërkohë, edhe ekonomitë e mëdha evropiane, si Gjermania, kanë ndërhyrë duke ulur taksat për naftën dhe benzinën - në disa raste deri në rreth 17 centë për litër, për periudha të kufizuara.
Institucionet qeveritare në Kosovë thonë se ndikimi i rritjes së çmimeve të naftës në inflacion po menaxhohet përmes masave të targetuara dhe ndërhyrjeve të kufizuara në treg.
Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se fokusi është te sektorët më të ndjeshëm, si bujqësia dhe transporti.
Për këto kategori, sipas ministrisë, parashihen mbështetje të drejtpërdrejta, përfshirë rishikimin e skemave të subvencioneve dhe vazhdimin e mbulimit të akcizës për karburantet bujqësore, si praktikë që aplikohet prej vitesh.
Sa u përket konsumatorëve, institucionet po përgatisin një projektligj që synon të krijojë mekanizma ndërhyrjeje në rast të destabilizimit të tregut, përfshirë mundësinë e vendosjes së marzhës së fitimit ose çmimeve tavan për produktet bazë.
“Ky projektligj, aktualisht, është duke u trajtuar si prioritet në Kuvendin e Kosovës - çka reflekton angazhimin institucional për të krijuar një bazë të qëndrueshme ligjore për ndërhyrje të shpejta dhe efektive, në mbrojtje të konsumatorit dhe funksionimit të drejtë të tregut”, thonë nga MINT-i.
Në një prononcim për gazetarët javën e kaluar, ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari Lila, vlerësoi se nuk ka nevojë për masa shtesë, si ulja e akcizës apo heqja e TVSH-së, duke theksuar se rritja e çmimeve nuk ka qenë ekstreme, pavarësisht lëvizjeve në bursat ndërkombëtare.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në anën tjetër, doli me një parashikim të zymtë. Institucioni financiar, me seli në Uashington, paralajmëroi se ekonomia globale mund t’i afrohet recesionit, nëse tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdojnë dhe çmimet e energjisë mbeten të larta.
Në raportin “World Economic Outlook” FMN-ja vlerësoi se, në një skenar negativ - me rritje të qëndrueshme të çmimeve të naftës, gazit dhe ushqimeve - rritja globale mund të bjerë nën 2 për qind në vitin 2026.
FMN-ja nuk e përmendi Kosovën në mënyrë të veçantë, por theksoi se ngadalësimi i rritjes dhe rritja e inflacionit pritet të jenë veçanërisht të theksuar në ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova.
Vendi renditet ndër ekonomitë më të varfra në Evropë kur matet me produktin e brendshëm bruto për kokë banori. Struktura ekonomike e tij vazhdon të mbështetet në importe, remitenca dhe konsum, ndërsa sektori prodhues është relativisht i dobët.
Në këto rrethana, Gashi mbetet në pritje të stabilizimit të tregut - në të kundërtën, paralajmëron shtrenjtim të produkteve të tij nga fundi i prillit.
“Ishalla nuk vazhdon kjo situatë, se nëse vazhdon, bëhet më keq. Nuk e di. Nëse vazhdon, ajo do të vazhdojë për të gjithë... por shpresoj të rregullohet”, thotë ai.
E, siç paralajmërojnë analizat ndërkombëtare, edhe nëse konflikti ndalet shpejt, tregu i energjisë nuk rikthehet menjëherë në normalitet, pasi mungesat në furnizim dhe pasiguria pritet të vazhdojnë me muaj, nëse jo vite.
“Fundi i naftës së lirë nuk do të thotë fund i përdorimit të saj. Do të thotë kosto më e lartë në jetën e përditshme”, shkruan mediumi The Conversation.
Nafta ndez valë të re të shtrenjtimit në Kosovë
Joseph: Kurti të heqë dorë nga populizmi përçarës dhe të përfitojë nga dobësimi i Vuçiqit
Ai e përshkruan largimin e liderit hungarez pas 16 vjetësh në pushtet si një “goditje” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç që i ka dhënë Beogradit hapësirë manovrimi brenda BE-së.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë këtë “dobësim të Vuçiqit”, të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe ta pozicionojë Kosovën si faktor stabiliteti, duke i lënë pas qasjet përçarëse.
“Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Joseph flet edhe për përplasjet mes SHBA-së dhe Evropës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Kosovë, në kohën kur në BE po shtohen thirrjet për më shumë autonomi në fushën e mbrojtjes.
Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar - si boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan.
Radio Evropa e Lirë: Në disa deklarata së voni keni thënë se politika perëndimore në Ballkan shpesh është e paqartë dhe jokonsistente. Në Evropë po shtohen diskutimet për uljen e varësisë nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes. Si i vlerësoni pasojat e këtij trendi për sigurinë e Kosovës?
Edward P. Joseph: Tensionet e paprecedenta në marrëdhëniet transatlantike dhe në NATO, që burojnë nga lufta në Iran dhe çështje të tjera të diskutueshme, kanë ndikim në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin.
Për momentin, jam shpresëplotë se nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e SHBA-së ndaj [misionit të NATO-s në Kosovë] KFOR. Anëtarë të njohur të Kongresit nga të dyja partitë, Republikane dhe Demokrate, i kanë shkruar sekretarit të Shtetit [Marco] Rubio, duke i kërkuar që të mos ketë ndryshime në praninë e SHBA-së në KFOR.
Megjithatë, divergjenca mes Evropës dhe SHBA-së vazhdon dhe, pavarësisht kësaj, Evropa ende ka nevojë për SHBA-në për sigurinë e përgjithshme. Uashingtoni mbetet boshti kryesor i NATO-s, ndërsa NATO-ja mbetet boshti i sigurisë në Ballkan.
Radio Evropa e Lirë: Ju shpesh keni theksuar rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të SHBA-së në Ballkan. Nëse Evropa merr një rol më autonom në fushën e mbrojtjes, a prisni ndonjë ndryshim në angazhimin e Uashingtonit në Kosovë?
Edward P. Joseph: Unë, si shumë të tjerë, besoj se çdo tërheqje apo ulje e pranisë së SHBA-së në KFOR-i, është krejtësisht e parakohshme.
Po, është e rëndësishme që Evropa të ndërtojë më shumë kapacitete për sigurinë e saj dhe Evropa po e bën këtë. Megjithatë, Evropa nuk gëzon besueshmërinë e SHBA-së dhe besueshmëria është përbërësi kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.
Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi - përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze - është një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?
Alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara në Beograd për Deklaratën e Përbashkët të Sigurisë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës janë gjithashtu shqetësuese, pasi Beogradi duket se po e përdor atë si pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit.
Radio Evropa e Lirë: Keni paralajmëruar më herët për paqartësitë në politikën e Perëndimit ndaj Serbisë. Debatet aktuale për “autonominë strategjike” të BE-së, a mund - pa dashje - t’i krijojnë Serbisë ose Rusisë mundësi për të testuar sa i bashkuar është Perëndimi në rajon?
Edward P. Joseph: Jo, nuk shoh asnjë lidhje mes autonomisë strategjike evropiane dhe politikës perëndimore ndaj Serbisë. Përkundrazi, shoh një ashpërsim të vonuar të qëndrimit të BE-së ndaj Serbisë.
[Komisionarja për Zgjerim e BE-së] Marta Kos ka kritikuar Beogradin për ligjet në gjyqësor. Po ashtu, po diskutohet seriozisht mundësia e pezullimit të një pjese të konsiderueshme të fondeve të BE-së.
Në të njëjtën kohë, administrata Trump nuk duket e interesuar për lojërat e Vuçiqit.
Uashingtoni e ka befasuar Beogradin me qëndrimin e fortë për nxjerrjen e rusëve nga [Industria e Naftës] NIS. Shpresohet që zgjedhjet në Hungari ta përshpejtojnë shitjen e NIS-it te [kompania hungareze] MOL.
Rusia dhe mbështetësit e saj kryesorë në Serbi nuk mund të jenë të lumtur që [kryeministri në largim i Hungarisë] Viktor Orban nuk do të jetë më ai që mbikëqyr MOL-in dhe kontrollin mbi NIS-in.
Humbja e partisë Fidesz të Orbanit në zgjedhjet në Hungari vetëm sa mund ta inkurajojë BE-në që, më në fund, të mbajë përgjegjës Beogradin dhe presidentin Vuçiq për reformat, për shtypjen e brendshme dhe për politikat destabilizuese ndaj fqinjëve të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Në kontekstin e dialogut të ngecur midis Kosovës dhe Serbisë, a mund ta përmirësojë një qëndrim më i fortë mbrojtës i BE-së ndikimin e saj politik? Apo mungesa e unitetit të brendshëm të BE-së mbetet pengesë kryesore...
Edward P. Joseph: Kjo e dyta - ndarjet e brendshme në BE lidhur me Kosovën - është pengesa e vërtetë për ndikimin politik të BE-së në Ballkan.
Në fakt, siç kam shkruar dhe deklaruar edhe më herët, katër vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën - Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - e mbajnë të ngrirë këtë ngërç dhe e mbajnë rajonin të bllokuar.
Këto katër vende anëtare të NATO-s ia dorëzojnë në të vërtetë ndikimin Serbisë, duke i dhënë në mënyrë efektive Beogradit një lloj vetoje mbi lëvizjet e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së.
Nuk ka nevojë të merret në konsideratë ndonjë forcim ushtarak nga Evropa, kur Evropa është ende e ndarë politikisht për shkak të Kosovës. Në SAIS, kam publikuar dy punime për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Së pari, Ukraina mund ta njohë Kosovën - gjë që do të nxiste njohjen nga Greqia, e më pas nga Rumania dhe Sllovakia. Spanja, pastaj, do ta ndiqte natyrshëm këtë rrugë.
Së dyti, SHBA-ja mund të ofrojë një rrugë për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në NATO. Kjo do të ishte menjëherë transformuese për gjithë rajonin.
Por, për ta arritur këtë, Evropa duhet fillimisht të tejkalojë krizën aktuale në marrëdhëniet me administratën Trump.
Radio Evropa e Lirë: Në këtë mjedis në ndryshim, cili duhet të jetë prioriteti kryesor strategjik i Kosovës?
Edward P. Joseph: Prioriteti strategjik i Kosovës duhet të jetë pikërisht shfrytëzimi i vështirësive të Vuçiqit për t’u shfaqur si një shtyllë stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkan. Pas takimeve të tij në Paris dhe Londër, tani është momenti për kryeministrin Albin Kurti që ta stabilizojë situatën në Kosovë.
Kurti duhet të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe të bashkëpunojë me opozitën për një zgjidhje kompromisi për presidentin.
Kurti, gjithashtu, duhet të ndërmarrë hapa të veçantë për të treguar përkushtimin e tij të fortë ndaj komuniteteve joshumicë.
Ai duhet t’i vizitojë serbët dhe të deklarojë angazhimin e tij të plotë, se shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera do të vazhdojnë pa ndërprerje, derisa institucionet dikur serbe të integrohen në Republikën e Kosovës.
Ndërsa Vuçiq përballet me një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga BE-ja - ku ai nuk e gëzon më mbrojtjen e Viktor Orbanit - Kurti mund ta shfrytëzojë këtë situatë.
Tani është momenti për të vendosur interesat e Kosovës në plan të parë dhe për të treguar kapacitete shtetërore si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Radio Evropa e Lirë: A ka qenë Orbani deri më tani një nga faktorët kryesorë që i ka dhënë Serbisë hapësirë për manovra brenda BE-së?
Edward P. Joseph: Po, Orban ka qenë faktor kyç - por jo i vetmi - që i ka dhënë Vuçiqit hapësirë manovrimi brenda BE-së.
Së pari, humbja e madhe zgjedhore e Orbanit është një tjetër goditje për Vuçiqin. Ndikimi në Beograd është shumë më i madh sesa arrestimi i Nicolas Maduros në janar, që gjithashtu erdhi si surprizë për presidentin serb. Këtë herë, ndikimi ndihet edhe në Uashington dhe në Moskë, duke goditur gjithë agjendën populiste-autoritare dhe proruse.
Së dyti, humbja e Orbanit është një shtysë për opozitën në Serbi në një vit zgjedhor. Krahasimi është i dukshëm për të gjithë: ‘nëse hungarezët mund ta largojnë Orbanin, atëherë serbët mund ta largojnë Vuçiqin dhe SNS-në’.
Së treti, kjo humbje rrit vetëbesimin e BE-së, pikërisht në momentin kur Vuçiq po përballet me një vëzhgim gjithnjë e më të madh. Komisioni i Venecias pritet të japë opinion për ligjet kontroverse për gjyqësorin, ndërsa Parlamenti Evropian pritet të publikojë një raport që ka gjasa ta trajtojë presionin e Beogradit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe opozitës.
Shkurt, humbja e Orbanit i heq Beogradit mbrojtësin e tij kryesor brenda BE-së, ndërsa njëkohësisht dobëson aleatët e Vuçiqit në Uashington dhe Moskë.
Dhe, siç është parë, administrata Trump nuk i ka ofruar Vuçiqit mbështetje të fortë siç i ka dhënë Orbanit.
Budapesti mori një zgjatje njëvjeçare për importin e naftës dhe gazit rus, ndërsa Beogradi u përball me sanksione ndaj NIS-it, që çuan në mbylljen e rafinerisë në Pançevë. Kjo do të thotë se tani ka edhe më pak arsye që Uashingtoni ta mbështesë Vuçiqin.
Radio Evropa e Lirë: Thatë pak më herët se tani është momenti për Kurtin që t’i vërë interesat e Kosovës në plan të parë dhe të tregojë aftësi shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Duke pasur parasysh që Kosova mbetet vendi më i prapambetur në integrimin në BE… çfarë përfitimesh konkrete mund të presë realisht në këmbim?
Edward P. Joseph: Zgjedhjet në Hungari krijojnë një mundësi të rëndësishme për Kurtin, nëse ai di ta shfrytëzojë atë.
Me Aleksandar Vuçiqin të dobësuar dhe Serbinë që hyn në një periudhë të tensionuar zgjedhore, nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh nga BE-ja, Kosova mund të shfaqet si një burim stabiliteti.
Për ta arritur këtë, kryeministri Kurti duhet të heqë dorë nga populizmi i tij përçarës. Ai duhet të ndërtojë konsensus për një president të ri, duke shmangur zgjedhjet e përsëritura që janë të panevojshme dhe shpërqendruese.
Në këmbim, Kosova mund të presë mbështetje të re në Bruksel, në kryeqytetet e BE-së dhe në Uashington.
Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë.
Kurti ka mundësinë të ndryshojë perceptimin - një perceptim që e dëmton Kosovën - se ai është një nxitës problematik. Në vend të kësaj, ai mund të tregojë se ai dhe Kosova janë partnerë të vlefshëm për BE-në, NATO-n dhe SHBA-në.
Kosova mes vetëkënaqësisë dhe rrezikut real
Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton.
Goxha premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik - të paktën në fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat - me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.
“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re - atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.
Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.
Edhe pse udhëheqësit në Kosovë, Serbi dhe Bashkimin Evropian kanë ndryshuar ndër vite, përparimi në pikën kyç të marrëveshjes - krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë - ka mbetur i kufizuar.
Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur mospërputhje me Kushtetutën në disa parime. Ndonëse ka lënë hapësirë për harmonizim, në Prishtinë ka pasur rezerva të vazhdueshme, për shkak të, siç është thënë, ndikimit të mundshëm të Asociacionit në funksionalitetin e shtetit, ndërsa Brukseli dhe Beogradi kanë këmbëngulur në themelimin e tij.
Në fund, pavarësisht dhjetëra takimeve, një draft-statuti evropian dhe një marrëveshjeje të re pas dhjetë vjetësh, procesi ka mbetur në vendnumëro.
Serbia, ka më shumë se një vit, që përballet me protesta antiqeveritare, ndërsa Kosova me përçarje politike, që për muaj të tërë e kanë lënë pa Kuvend funksional dhe me Qeveri në detyrë. Në këto rrethana ka munguar edhe kontakti i drejtpërdrejtë në nivel të lartë - një takim i tillë mes udhëheqësve të dy vendeve, Albin Kurtit në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiqit në Serbi, nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.
Nga këndvështrimi i ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, ky bllokim i procesit të Brukselit mbart pasoja më të menjëhershme për Kosovën sesa për Serbinë.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai vlerëson se Kosova paguan çmim në siguri, në stabilitet dhe në orientimin e saj drejt së ardhmes, derisa politikat e saj mbeten kryesisht të brendshme dhe jo të përshtatura mjaftueshëm në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik.
“Sa herë që jam në Prishtinë ose flas me njerëzit atje, më krijohet përshtypja se ekziston vetëm Kosova dhe asgjë tjetër. Kjo është një qasje krejtësisht e gabuar. Zoti Kurti ka cilësi të dukshme, por nëse nuk kupton se duhet të veprojë si pjesë e një ekipi - si brenda vendit, ashtu edhe në arenën evropiane - gjërat nuk do të shkojnë mirë për zhvillimin e Kosovës”, thotë Petritsch.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është e hapur për një fazë të re të dialogut me Serbinë dhe për mënyrën se si planifikon ta shmangë ngecjen, por nuk mori përgjigje.
Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, muajin e kaluar, Kurti tha se Qeveria e tij do ta ndjekë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes një dialogu konstruktiv dhe kreativ.
“Siç kemi vepruar në katër vjetët e kaluar, normalizimi është çështje e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, pra si raport bilateral e i jashtëm, e jo ndërhyrje apo përzierje në çështje të brendshme”, tha Kurti më 11 shkurt.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesja amerikane deklaroi këtë javë se presidenti Donald Trump pret angazhim të qartë nga Kosova dhe Serbia për të punuar së bashku, për të ulur tensionet dhe për t’u rikthyer në një dialog real, jo vetëm deklarativ. Sipas Tammy Bruce, SHBA-ja do të punojë nga afër vetëm me liderë që “shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara”.
Për Petritschin, hapi i parë duhet të vijë nga Prishtina, e cila duhet t’u ofrojë serbëve përgjegjësi konkrete kulturore, gjuhësore dhe administrative, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Kjo do të sinjalizonte, sipas tij, një qasje të re bashkëpunuese dhe do të krijonte mundësinë për një marrëdhënie të vërtetë me përfaqësuesit serbë. Edhe nëse Serbia do ta kundërshtonte, do të dilte ajo si bllokuese e procesit.
Petritsch vë në dukje se garancitë nga Brukseli janë thelbësore në këtë drejtim.
“Ka qenë e qartë që nga fillimi se evropianët nuk do të lejojnë krijimin e një tjetër Republike Sërpska. Kemi paguar një çmim të lartë për të në Bosnje e Hercegovinë dhe nuk duam që ajo të përsëritet në Kosovë. Andaj, qartazi, bëhet fjalë për çështje kulturore, gjuhësore dhe administrative që duhet të zgjidhen”, thotë Petritsch.
Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian nëse ka përpjekje për një fazë të re të dialogut, por nuk mori përgjigje. Këtë javë, por edhe muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi disa vizita në Kosovë dhe në Serbi, ku theksoi rëndësinë e çuarjes përpara të procesit.
Në mars, ai u prit edhe nga zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit në Uashington, me të cilët tha se ka siguruar harmonizim për hapat e ardhshëm në dialog, por nuk dha më shumë detaje.
Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i Radios Evropa e Lirë, thotë se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Kurtit dhe Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.
“Nuk ka pasur kurrë më shumë optimizëm për një takim mes dy liderëve që kur Kaja Kallas ka marrë detyrën si shefe e politikës së jashtme të BE-së. Kjo shihet si mundësia më e mirë në gati një vit e gjysmë që një takim i tillë të ndodhë. Kur saktësisht, nuk dihet, por shpresat janë për diku rreth majit ose qershorit”, thotë Jozwiak për Exoposenë.
Megjithatë, ai është pesimist për ndonjë përparim thelbësor apo avancim drejt anëtarësimit në BE në një të ardhme të afërt, sepse, siç thotë, udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd përfitojnë në politikat e brendshme duke mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Brukselit, dhe ata nuk presin përfitime konkrete nga BE-ja gjatë karrierave të tyre politike.
“Procesi i integrimit kërkon kohë. E shohim sa gjatë i është dashur Malit të Zi, që nuk ka probleme dypalëshe si këto dy vende. Shohim se sa e bllokuar është Maqedonia e Veriut. Shohim se sa e bllokuar është Bosnja. Ndaj, premtimi i BE-së, që ishte shumë i fortë në vitin 2013 - e madje edhe nga viti 2011 kur nisën negociatat midis Kosovës dhe Serbisë - nuk e ka më atë peshë. Sa vende janë anëtarësuar në BE që nga viti 2011? Vetëm Kroacia, e cila ishte në rrugë drejt anëtarësimit”, kujton Jozwiak.
Ai paralajmëron se kjo status quo mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj këtij rreziku, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të, e madje edhe të përfitojnë prej tij.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Petritsch, por ai nënvizon rëndësinë që Kosova të veprojë me urgjencë.
Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza, thotë ai.
Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s dhe të ardhmen e angazhimit amerikan, Petritsch paralajmëron se Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.
Sipas tij, përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit nuk është thjesht një detaj teknik, por një kusht thelbësor për stabilizimin e vetë ekzistencës së Republikës së Kosovës.
“Kosova në vitin 1999 ishte i vetmi vend në histori që u çlirua nga një aleancë që mori armët. Dhe kjo, sipas meje, i vendos një përgjegjësi të veçantë asaj: të veprojë me maturi, të bashkëpunojë, të bëjë atë që është e nevojshme dhe të shkojë një hap më tej, për t’u bërë pjesë e familjes së shteteve evropiane”, thotë Petritsch.
Kosova, e cila ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.
Serbia, e cila deri vonë konsiderohej lidere në procesin e pranimit në Bruksel, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021, për shkak të refuzimit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së.
Sipas Jozwiakut, i gjithë Ballkani Perëndimor zë tani një vend të ulët në agjendën e BE-së - është i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran... derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje.
Takimi Kurti-Vuçiq në prag? Pranvera sjell sinjale nga Brukseli
A mund të detyrohet Kosova të zgjedhë mes SHBA-së dhe BE-së?
Tani, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shfaqin gjithnjë e më shumë dallime në prioritetet dhe qasjet e tyre, kjo mbështetje nuk duket më aq e koordinuar - duke e vendosur Kosovën përballë sfidave të reja politike dhe strategjike.
Javën e kaluar u mbushën plot 27 vjet nga ndërhyrja e NATO-s që ndali dhunën e forcave serbe në Kosovë dhe ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë së saj.
Vendimi, atëkohë, ishte i bashkërenduar nga të gjithë aleatët dhe konfirmonte angazhimin e tyre për të ndaluar gjakderdhjen dhe spastrimin etnik.
“Sot, ne dhe 18 aleatët tanë të NATO-s u dakorduam të bëjmë atë që thamë se do ta bëjmë, atë që duhet ta bëjmë për të rikthyer paqen”, tha më 24 mars 1999 presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clintron.
Që nga ajo kohë, Kosova ka konsoliduar pavarësinë e saj. Me sfidat dhe sukseset e veta, është njohur ndërkombëtarisht, është pranuar në organizata të ndryshme dhe ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit euro-atlantik - të gjitha falë mbështetjes së vazhdueshme të aleatëve perëndimorë.
Por, rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO mbetet e gjatë dhe e lidhur ngushtë me Perëndimin që sot është ndryshe - i përçarë dhe i paqartë në qëndrime.
Tensionet mes SHBA-së në njërën anë dhe Evropës në anën tjetër kanë kulmuar me luftën në Iran, por, në fakt, kanë nisur të rriten që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump, për një varg çështjesh - nisur nga tregtia deri tek ambiciet e tij për territorin autonom të Danimarkës, Grenlandën.
Në një nga paralajmërimet më të forta të bëra këtë javë, Trump kërcënoi se mund ta tërheqë SHBA-në nga NATO-ja, pas refuzimit të aleatëve evropianë për të dërguar anije për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, pranë Iranit.
Paraprakisht, ai e përshkroi aleancën si “tigër prej letre”, që nuk i jep mbështetje SHBA-së.
“Do ta them publikisht, jemi shumë të zhgënjyer me NATO-n, sepse NATO-ja nuk ka bërë asgjë… Më e rëndësishmja është se ne u vijmë në ndihmë atyre, por ata nuk na vijnë kurrë neve”, tha Trump.
Megjithëse kishte paralajmëruar se do ta trajtonte këtë temë edhe në fjalimin drejtuar kombit, më 1 prill, ai e shmangu atë.
Një ditë më vonë, bashkëkryesuesit e Grupit Vëzhgues të NATO-s në Senatin amerikan thanë se Kongresi nuk do të lejojë tërheqjen e Uashingtonit nga aleanca ushtarake perëndimore.
Në anën tjetër të Atlantikut, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pranoi se marrëdhënia mes dy poleve është “e komplikuar”.
Në një intervistë dhënë gazetës Financial Times muajin e kaluar, ajo tha se Shtetet e Bashkuara “duan ta përçajnë Evropën”.
“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se SHBA-ja e ka bërë shumë të qartë se dëshiron ta përçajë Evropën. Ajo nuk e pëlqen Bashkimin Evropian”, tha Kallas.
Deklarata u bë ato ditë kur administrata Trump nisi hetime tregtare ndaj Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të tjera, duke i akuzuar për praktika të padrejta tregtare, dhe për pasojë, këto vende mund të përballen me tarifa të reja në muajt në vijim.
“Vendet e huaja që na kanë mashtruar për vite me radhë, janë në ekstazë, janë shumë të lumtura, dhe po vallëzojnë në rrugë, por nuk do të vallëzojnë edhe për shumë kohë. Për këtë, ju siguroj”, tha Trump.
Jehu i kësaj përçarjeje ndihet larg, dhe Kosova shfaqet si një partnere veçanërisht e brishtë dhe e ekspozuar.
Një studim i fundit i Grupit për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë identifikoi pesë rreziqe kryesore që i kanosen Kosovës nga kjo situatë - nisur ndërhyrja në rritje në punët e brendshme të Kosovës, cenueshmëria më e lartë ndaj kërcënimeve të jashtme, erozioni i parimit të sovranitetit, forcimi i autoritarizmit, deri te pengesa në procesin e integrimit euro-atlantik.
Autori i studimit, Alejandro Esteso Perez, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Kosova është më e cenueshme se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për faktin se statusi i saj i kontestuar e vendos atë në një pozicion të pafavorshëm ndërkombëtar, duke mos i lejuar të ketë njohje të plotë, pjesëmarrje të barabartë në institucionet ndërkombëtare dhe vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Këto pesë rreziqe duhet të kuptohen si tërësi. Të gjitha kontribuojnë në pozicionin aktual dhe të ardhshëm të Kosovës nëpërmjet dimensioneve të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme. Ekzistojnë rreziqe brenda vendit, rajonit dhe ndërkombëtare, të cilat nxiten nga aktorë të ndryshëm, por të gjitha ndikojnë në pozicionin e Kosovës në afat të shkurtër dhe të mesëm”, thotë Perez.
Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, pajtohet se siguria dhe e ardhmja politike e Kosovës janë gjithnjë e më të cenueshme.
Ndërsa shpesh flitet për skenarë konkretë - si tërheqja e trupave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR - Vogel e sheh rrezikun kryesor diku tjetër: te pasiguria.
“Jetojmë në një mjedis gjeopolitik tepër të vështirë: nuk kemi vetëm luftën në Iran, por edhe atë në Ukrainë. Po ashtu, Gaza mbetet e pazgjidhur, tani ka luftë edhe në Liban dhe çështje të tjera të ngjashme. Të gjitha këto e shpërqendrojnë vëmendjen nga një analizë strategjike për Ballkanin. Dhe me keqardhje duhet të them se Kosova ka rënë thuajse në fund të listës së prioriteteve për evropianët”, thotë Vogel për Exposenë.
Vogel paralajmëron se çdo ndryshim i mundshëm në praninë ndërkombëtare në Kosovë mund të provokojë veprime më agresive nga aktorë të ndryshëm.
Ai nuk e përjashton as skenarin e incidenteve të lokalizuara, që mund të përshkallëzohen në një zinxhir reagimesh, duke theksuar se BE-ja nuk është e gatshme të përballet me Serbinë, e cila vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës.
“Pra, në rast se SHBA-ja tërheq trupat nga KFOR-i, kjo mund të ketë pasoja shumë serioze. Jo në kuptimin e një rikthimi të menjëhershëm të dhunës, e lëre më të luftës... edhe pse, sinqerisht, në këto kohë dhe kushte kaotike, nuk do të përjashtoja asgjë”, thotë Vogel.
Me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të bëjnë përparim konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe kanë theksuar nevojën për mbështetjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohjen reciproke.
Megjithatë, dy vendet nuk kanë zhvilluar asnjë takim të nivelit të lartë qysh në shtator të vitit 2023, ndonëse në BE kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për ta ndërmjetësuar një të tillë.
Vogel vlerëson se qëllimi i deklaruar përfundimtar i dialogut - njohja reciproke - është zbehur ndjeshëm në Bruksel, dhe shton se BE-ja nuk ka treguar interes real për ta avancuar Kosovën në procesin e anëtarësimit, duke mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati.
Perez, në anën tjetër, thotë se është e vështirë të bëhen parashikime të sakta për dialogun me Serbinë, integrimin në BE dhe çështjet e sigurisë, për shkak të paparashikueshmërisë gjeopolitike në Uashington dhe paqëndrueshmërisë së zhvillimeve globale.
“Kriza aktuale energjetike, që ka pasuar sulmin e SHBA-së dhe Izraelit në Iran, është një zhvillim i ri dhe fatkeq, që në masë të madhe nuk ka mundur të parashikohet. Kjo situatë po e detyron Bashkimin Evropian që ta zhvendosë vëmendjen e tij diplomatike larg zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor, duke rrezikuar që Kosova të mbetet e neglizhuar”, thotë Perez.
I pyetur nëse Kosova duhet të zgjedhë anë mes SHBA-së dhe BE-së, Perez thekson se vendi duhet të tregojë koherencë mes vlerave demokratike që promovon dhe veprimeve të tij në politikën e jashtme.
Sipas tij, rreshtimi përkrah regjimeve problematike në iniciativa ndërkombëtare, krijon perceptimin e një nënshtrimi të pakushtëzuar, më shumë sesa të një sovraniteti të mirëfilltë, duke e zbehur imazhin e Kosovës si shtet me ambicie demokratizuese.
Kosova i është bashkuar Bordit të Paqes për Gazën - një nismë kjo e ndërmarrë nga presidenti Trump, ku përfshihen edhe vende me prirje autoritare, si Azerbajxhani dhe Uzbekistani.
Fuqitë kryesore evropiane - përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën - kanë refuzuar t’i bashkohen këtij projekti dhe kjo, sipas Vogelit, tregon se Kosova, në njëfarë mënyre, ka marrë anë.
“Kjo është diçka që BE-së nuk i pëlqen. Ajo nuk e sheh me sy të mirë që një vend potencial kandidat të rreshtohet aq hapur me SHBA-në në një veprim që shumëkush e konsideron si një organizim të mundshëm rival të Kombeve të Bashkuara”, thotë Vogel.
Megjithatë, ai e konsideron këtë vendim si një lëvizje pragmatike dhe jo ideologjike. Përballë mungesës së perspektivës reale për anëtarësim në BE, refuzimit të njohjes nga pesë vende dhe qëndrimeve shpesh ndëshkuese të bllokut, ai thotë se bashkimi i Kosovës me Bordin e Paqes shërben si mënyrë për të qëndruar pranë SHBA-së dhe si mburojë kundër ndryshimeve të papritura në politikën ndërkombëtare.
Por, pavarësisht kësaj, të ardhmen afatgjate të Kosovës, Vogel e sheh brenda Evropës, kryesisht përmes strukturave panevropiane dhe marrëdhënieve të forta dypalëshe me shtetet kyç të BE-së.
Për autoritetet në Kosovë, këto aleanca me Perëndimin mbeten pa alternativë, por mungesa e koordinimit transatlantik, sipas analistëve, e ka kufizuar dukshëm hapësirën e tyre për manovrim.
Ata theksojnë se e ardhmja e vendit nuk varet vetëm nga veprimet e brendshme, por në një masë të madhe edhe nga vendimet që merren në qendrat kryesore të fuqisë në Perëndim.
Dhe pikërisht aty, aktualisht, mungon qartësia.
Aleatët në konflikt, Kosova në pasiguri
Siguria e Kosovës nën kërcënimin e raketave me rreze të gjatë
Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar - njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3.000 kilometra nga baza e nisjes.
Ushtria izraelite tha se Irani ka lëshuar raketa balistike me rreze të gjatë drejt një objektivi amerikan, duke dëshmuar kapacitete prej rreth 4.000 kilometrash - mjaftueshëm për të vënë në shënjestër edhe kryeqytetet evropiane.
“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.
“Sulmi tregoi se raketat iraniane mund të arrijnë përtej kufirit prej 2.000 kilometrash, të cilin regjimi ka thënë prej kohësh se e ka vendosur vetë si limit... Sulmi i tentuar përmbys disa nga supozimet për programin raketor të Iranit, veçanërisht sa i përket kërcënimit që ai mund të paraqesë për Evropën”, sipas ISW-së.
Deri më tani besohej se Irani nuk kishte kapacitet të godiste në distanca të tilla, ndërsa vetë regjimi pretendonte se kishte vendosur atë kufi prej 2.000 kilometrash në programin e tij të raketave balistike.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla - të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk komentoi sulmet ndaj Diego Garcias dhe kapacitetet raketore të Iranit, duke iu referuar vetëm deklaratës së mëparshme për rastin kur Turqia interceptoi me sukses sulme të ngjashme nga Irani.
Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit - katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë - është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.
Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.
Sipas tij, bazuar në rrezen e demonstruar të lëshimeve të kaluara raketore, Irani mund të godasë disa pjesë të Evropës Juglindore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë parashikuar këtë rrezik prej kohësh dhe kanë ndërtuar sisteme mbrojtëse në Poloni dhe Rumani, por paralajmëron se Evropa ende nuk është plotësisht e përgatitur.
“... sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.
“Së pari, duhet konfirmuar nëse Irani ka raketa që mund të godasin objektiva në distanca prej 4-5 mijë kilometrash. Edhe nëse i ka ato mundësi - duke marrë parasysh flotën e madhe në Mesdhe dhe shpërndarjen e sistemeve antiraketore - jam i bindur se ato do të shkatërroheshin gjatë fazës së afrimit, pasi do të duhej të kalonin mbi Izraelin ose Turqinë. Me shumë gjasa, do të neutralizoheshin në ato hapësira”, thotë Akrap për Exposenë.
Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.
Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.
“Shumë vende kanë marrëdhënie me NATO-n që u mundësojnë të koordinojnë gjëra të tilla si mbrojtja ajrore. Natyrisht, suedezët dhe finlandezët i kanë pasur këto marrëdhënie shumë vite para se të bëheshin anëtarë. Kështu që, është e mundur ta vendosësh një vend të vogël nën ombrellën e NATO-s pa qenë domosdoshmërisht anëtar i saj”, thotë Cancian.
NATO-ja, përkatësisht forca e saj KFOR, mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë - ajo mbi 6.200 metra - është nën kontrollin e Hungarisë - vend anëtar i NATO-s.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se gjatë mandatit të ri qeverisës, do të ndahen mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila posedon tashmë armë të blera nga aleatët e NATO-s.
Akrap pajtohet se Kosova përfiton nga marrëdhënia e saj me NATO-n, por sugjeron se e ardhmja e sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te strukturat e mëdha si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për shkak të sfidave të mëdha në marrjen e vendimeve. Ai thekson se forma më fleksibile të bashkëpunimit, si marrëveshja në mbrojtje e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë, mund t’i ndihmojnë asaj të përgatitet më mirë për sfidat e ardhshme.
“Askush nuk mund të dalë më fitues nga asnjë konflikt ose luftë, nëse vepron i vetëm. Prandaj, duhet të ndërtohen partneritete, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm. Përçarjet nuk i shërbejnë askujt, përveç sulmuesve”, thotë Akrap.
Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, i cili është rreshtuar pranë Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së saj. Disa qytetarë serbë kanë shpërndarë në rrjete sociale koordinatat e bazës amerikane Bondsteel, duke i bërë thirrje Iranit që ta sulmojë atë.
NATO-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KFOR-i vazhdon të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa autoritetet e vendit kanë thënë se po monitorojnë nga afër implikimet e mundshme të luftës, por nuk kanë sqaruar më shumë.
Cancian argumenton se Kosova dhe Evropa janë tashmë të përfshira indirekt në këtë luftë, përmes ndërprerjeve të energjisë, bllokimit të dërgesave të naftës në Ngushticën e Hormuzit dhe pasigurisë ekonomike, ndërsa, në vlerësimin e Akrapit, këto vende duhet të shqetësohen me të drejtë edhe nga aksionet e mundshme terroriste nga individë apo rrjete të lidhura me Iranin.
“Nuk duhet të harrojmë faktin se shumë pjesëtarë të organizatave të ndryshme shiite i kanë sulmuar caqet perëndimore dhe izraelite gjetiu nëpër botë”, thotë Akrap.
Konflikti në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta për të frenuar programin bërthamor të Republikës Islamike. Në kundërpërgjigje, Irani dhe aleatët e tij goditën Izraelin dhe objektiva të SHBA-së në vendet aleate - nga Arabia Saudite deri në Qipro.
Cancian thotë se sulmi ndaj Diego Garcias ishte një mesazh i Iranit se ka ende “letra për të luajtur” edhe pas disa javësh luftë.
“Me fjalë të tjera, ai godet vende që strehojnë baza amerikane ose që e lejojnë SHBA-në t’i përdorë bazat e saj në territorin e tyre”, thotë ai.
Sipas tij, askush nuk mund ta dijë me siguri se sa do të zgjasë kjo luftë dhe shmang çdo parashikim të qartë. Ai thekson se negociatat e mundshme që përfliten, janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, pasi gjashtë palë do të duhet të bien dakord: SHBA-ja, Izraeli, ndërmjetësit, Garda Revolucionare e Iranit, shtetet e Gjirit dhe aktorët kryesorë globalë - Evropa dhe Japonia.
Në pak fjalë, ekspertët e përshkruajnë situatën si një kërcënim në evolucion, me gjithnjë e më shumë shtete që zhvillojnë kapacitete për të goditur në distanca të mëdha. Kjo nënkupton që Evropa, sipas tyre, duhet të përgatitet për një botë ku kërcënimet nuk janë më të kufizuara gjeografikisht.
Në këtë kuadër, Akrap nënvizon se Kosova duhet të veprojë me mençuri, të ndjekë politika të përgjegjshme dhe të pranojë kompromise strategjike, që do t’i avanconin marrëdhëniet e saj me BE-në dhe me NATO-n.
Irani “fluturon” larg: Çfarë rreziku sjell për Kosovën?
Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin
Armët bërthamore, raketat balistike dhe avionët luftarakë transformuan mënyrën e konceptimit të fuqisë në vitet që pasuan.
Sot, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, lëvizjet e Serbisë dërgojnë paralajmërime serioze.
Ky vend - partner i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian - bleu raketa balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore. Kështu, u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketat ajër-tokë CM-400AKG, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“E kemi bërë me sukses integrimin e raketave kineze në avionët rusë MiG-29 të gjeneratës së katërt. Këta janë sot ndër avionët më të mirë në Evropë - ndoshta edhe në botë. Raketat ajër-tokë nënkuptojnë goditjen e objektivave në tokë dhe kanë fuqi shkatërruese”, tha Vuçiq më 12 mars.
Reagimet ishin të shumta nga fqinjët që luftuan kundër Serbisë gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.
Kroacia - sot anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian - e konsideroi blerjen e raketave kineze si kërcënim për stabilitetin rajonal dhe shenjë të rritjes së garës së armatimit në Ballkan, ndërsa Kosova akuzoi Serbinë për tendenca hegjemoniste ndaj fqinjëve.
Këto dy vende, së bashku me Shqipërinë, nënshkruan në mars të vitit 2025 një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën Vuçiq e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Serbisë - “nuk ekziston asnjë arsye tjetër për bashkimin e tyre, vetëm Serbia”.
“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiq teksa fliste për raketat kineze në Radio-Televizionin e Serbisë.
Ai nuk paraqiti asnjë provë për këto pretendime, të cilat Zagrebi, Prishtina dhe Tirana i hedhin vazhdimisht poshtë. Tha vetëm se forcat e armatosura serbe kanë në dispozicion edhe armë të tjera të sofistikuara, që nuk mund të bëhen publike.
Për njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, këto mesazhe dërgojnë sinjale frike dhe pasigurie në rajon, rrisin perceptimin e kërcënimit dhe shtyjnë vendet fqinje drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Kjo dinamikë, sipas tyre, mund të shndërrohet lehtësisht në një spirale të re armatimi, ku çdo veprim prodhon kundërveprim dhe tensionet vetëm se rriten.
Redion Qirjazi, ekspert i sigurisë në Shqipëri - vend anëtar i NATO-s, thotë se raketat kineze i japin Serbisë mundësi të reja për të projektuar fuqinë dhe ndryshojnë balancën e sigurisë në rajon; ato nuk janë thjesht mbrojtje - siç pretendon blerësi - por zgjasin kapacitetet ushtarake në distanca të largëta.
“Raketat kineze janë shumë precize. Një veçori shqetësuese e tyre është edhe shpejtësia e lartë - rreth Mach 4 deri Mach 5, ose deri në 6 mijë km/orë - që i fut në kategorinë e raketave të vështira për t’u interceptuar”, thotë Qirjazi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Në Ballkan, Serbia mban tensione të hapura me Kosovën, ndaj së cilës ka pretendime territoriale, me Kroacinë dhe herë pas here me Malin e Zi. Marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të qeta, ndërsa lidhja me Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet një rast i veçantë, që dallon nga pjesa tjetër e këtij shteti.
Blerjet e raketave kineze, sipas Kadri Kastratit, ekspert ushtarak nga Kosova, tregojnë qartë tendencën e Serbisë për t’u pozicionuar si aktori më i armatosur dhe më dominues në Ballkan dhe për ta mbajtur rajonin gjithmonë në teh të destabilizimit.
“Gjithë këtë armatim, Serbia është duke e blerë për të hyrë në garë, para së gjithash me Kroacinë. Pas furnizimit të Kroacisë me avionët Rafale nga Franca, Vuçiq bëri marrëveshje me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për blerjen e avionëve të tillë. Pra, është një garë mes tyre”, thotë Kastrati për Exposenë.
Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në vitin 2024, shpenzoi 2.2 miliardë dollarë - rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe vendi i dytë në rajon për shpenzime ushtarake, sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI).
Serbia shpenzon dukshëm më shumë edhe se Kroacia, e cila gjithashtu është anëtare e NATO-s. Sipas SIPRI-t, dallimi në shpenzimet e mbrojtjes midis këtyre dy vendeve arrin në qindra miliona euro çdo vit.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Serbia i ndryshoi burimet e saj të armatimit, duke iu drejtuar Kinës për dronë luftarakë dhe sistemin raketor anti-ajror FK-3, por nuk ndaloi as blerjet nga Perëndimi, si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Në deklaratat e tij, Vuçiq i kushton vëmendje të veçantë sidomos forcës ushtarake të Kroacisë. Në vitin 2024, kur Serbia bleu avionë luftarakë shumëfunksionalë, Rafale, nga Franca, ai ironizoi duke thënë se kur Kroacia bën të njëjtën gjë, është “lajm i mirë për rajonin”, ndërsa kur Serbia i blen, bëhet “tragjedi”.
“Ne nuk krijojmë probleme askund, as nuk i planifikojmë, as nuk i synojmë. Ky është një sinjal i madh i besimit mes Francës dhe Serbisë. Ne vetëm duam ta ruajmë vendin tonë”, tha Vuçiq.
Katarina Gjokiq, hulumtuese në Institutin e Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, thotë se krahasimet mes Serbisë dhe Kroacisë duhet parë me kujdes. Kroacia, si anëtare e NATO-s, planifikon kapacitetet e saj ushtarake brenda aleancës dhe ndjek detyrat përkatëse, ndërsa Serbia vepron jashtë këtij mekanizmi.
Gjokiq thotë se ekziston një tendencë e elitave politike që të shikojnë përtej kufirit dhe ta përdorin armatimin e fqinjëve si alibi për të justifikuar zgjerimin e fuqisë së tyre.
“Ajo që është shqetësuese - kur bëhet fjalë për Serbinë, Kosovën dhe Kroacinë - është fjalori i papërgjegjshëm i elitave politike, që rrit tensionet, në vend se të shfrytëzohen mekanizmat ekzistues rajonalë ose të krijohen të rinj për komunikim dhe zgjidhje të problemeve. Thjesht, ekziston një prirje për të shkuar drejt rritjes së tensioneve - gjë që mund të jetë e rrezikshme, sepse edhe te qytetarët krijohet ndjenja e pasigurisë dhe frika se çfarë mund të ndodhë”, thotë Gjokiq për Exposenë.
Qirjazi paralajmëron se një klimë e tillë tensionesh dhe mosbesimi mund të çojë në interpretime të gabuara nga pala tjetër, duke nxitur reagime të shpejta dhe të pakontrolluara.
Kjo rrit rrezikun e përshkallëzimit edhe pa një qëllim të drejtpërdrejtë për konflikt - një situatë të cilën Qirjazi e përkufizon si “keqllogaritje”.
“Këtë e kemi parë edhe në konfliktin e fundit midis Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ku argumenti ishte se kemi prova që Irani do të sulmonte i pari, ndaj ne goditëm. Apo - edhe në rastin e Irakut - u tha se Saddam Husseini do të krijonte armë bërthamore dhe do t’i përdorte kundër aleatëve në rajon, ndaj ne do të veprojmë. Kjo është ajo spiralja e sigurisë dhe përshkallëzimi”, shpjegon Qirjazi.
Në përgjigje të blerjes së raketave kineze, Bashkimi Evropian - ku Serbia synon të anëtarësohet - tha se vendi duhet të bëjë zgjedhje të qarta strategjike në rrugën e integrimit. Ndërkohë, NATO-ja, partnere e Serbisë, nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si e sheh bashkëpunimin e vazhdueshëm të Beogradit me Pekinin.
Në muajin maj, aleanca perëndimore do të mbajë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Serbinë në poligonin Borovac, pranë kufirit me Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli tha se stërvitja do të zhvillohet me ftesë të Serbisë. Sipas saj, ajo forcon bashkëpunimin praktik dhe mbështet stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Për Qirjazin, kjo dëshmon se Serbia ndjek strategjinë e “lojës me disa porta”. Nga njëra anë i hap derën Kinës për të rritur ndikimin në rajon, dhe nga ana tjetër bashkëpunon me Perëndimin për të krijuar një lloj varësie të ndërsjellë.
“Kjo strategji ka qenë karakteristike edhe e ish-Jugosllavisë me Titon, pasi mbante partneritete dhe aleanca me shumë aktorë të ndryshëm strategjikë, në mënyrë që të krijonte një varësi të këtyre superfuqive ndaj këtij vendi”, thotë Qirjazi.
Sipas tij, kjo qasje i jep Serbisë më shumë hapësirë manovrimi dhe i vendos aktorët ndërkombëtarë në një pozitë më të ndërlikuar në rast të konfliktit të mundshëm. Gjokiq pajtohet, por vë në pah edhe një aspekt tjetër:
“Një nga arsyet pse shumë vende sigurojnë armë nga Kina është se ato janë më të lira. Rasti i Serbisë është pak më specifik në aspektin gjeografik, sepse ajo ndodhet në Evropë dhe prej saj ka pritje të tjera”.
“Unë, për shembull, merrem me Afrikën Perëndimore dhe e di se atje ka shumë vende që kanë marrëdhënie të shkëlqyera me BE-në dhe, në të njëjtën kohë, sigurojnë armatim nga Kina, sepse është më i lirë”, thotë Gjokiq.
Vuçiq nuk zbuloi çmimin e raketave kineze CM-400AKG, të cilat mund të bartin deri në 200 kg material shpërthyes, por i përshkroi si “shumë të shtrenjta”.
Sipas raportit të fundit të SIPRI-t, blerjet e armëve në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë kontinentin rajonin më të madh importues - me një rritje prej 210% midis periudhave 2016-2020 dhe 2021-2025.
Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë rritur dominimin në eksportet e armëve - me Kosovën një prej klientëve të shumtë të tyre.
Zyrtarët kosovarë të Mbrojtjes theksojnë se blerjet e armëve bëhen ekskluzivisht nga aleatët e NATO-s.
Serbia ndez “alarmin raketor”
“Kush e dëgjon një vend që nuk mund të gjejë president?”
Arsyet mund të jenë të ndryshme, por sipas analistit Daniel Serwer, një krizë që zgjat kaq gjatë, “nuk është normale”, dhe minon pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai paralajmëron se, në këto kushte, vendi rrezikon drejtpërdrejt mbështetjen e SHBA-së.
“Po flas për një marrëdhënie të vërtetë dhe të qëndrueshme midis Uashingtonit dhe Prishtinës, dhe kjo marrëdhënie nuk mund të ndërtohet me një qeveri në detyrë dhe pa president. Thjesht, nuk funksionon kështu”, thotë Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Tensionet kulmuan më 6 mars, kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit - vetëm një ditë pasi ai dështoi të zgjidhte presidentin e ri të shtetit.
“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme... Në kohë pasigurish të mëdha në rajon dhe në botë, Kosova nuk mund ta ketë luksin e zvarrtjeve të pafundme dhe të legjitimitetit të kontestuar”, tha Osmani në një konferencë për media.
Ajo nuk përmendi emra konkretë, por dekreti i saj u sfidua në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me arsyetimin se bie ndesh me Kushtetutën.
“Unë nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kemi një kërkesë para saj”, u tha Kurti gazetarëve.
Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit. Deri atëherë, institucioni nuk mund të zhvillojë asnjë aktivitet parlamentar - as të mblidhet për zgjedhjen e presidentit të ri, edhe pse mandati i presidentes Osmani përfundon më 5 prill.
Krejt kjo situatë kujton edhe vitin 2025, kur pas zgjedhjeve të shkurtit Kuvendi mezi u konstituua, pas dhjetëra përpjekjesh, ndërsa Qeveria nuk arriti të formohej, dhe vendi përfundoi sërish në zgjedhje.
Serwer paralajmëron se ky cikël krizash ka tejkaluar tashmë pengesat normale të një sistemi parlamentar, duke e bërë Kosovën të duket jokompetente në sytë e aleatëve.
“Është problemi me Gazën, është problemi me luftën në Iran, është problemi me luftën në Ukrainë. Kush do ta dëgjojë një vend që nuk mund të gjejë një president?”, thotë Serwer.
Bashkimi Evropian, me gjasë, jo.
Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, ka shtyrë vizitën e planifikuar këtë javë në Kosovë, duke e lidhur këtë vendim direkt me zhvillimet e fundit politike.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku është i gatshëm të mbështesë agjendën evropiane të Kosovës, por se kjo kërkon institucione plotësisht funksionale.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe ambasadat e vendeve të Quint-it - SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë - se si e shohin ato krizën politike në Kosovë dhe nëse ajo mund të ndikojë në angazhimin e tyre.
Përgjigje mori vetëm prej Ambasadës gjermane, e cila tha se “Gjermania vazhdon të jetë një mike dhe partnere e fortë në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të arritur përparim në këtë rrugë, ne kemi nevojë për institucione të konsoliduara plotësisht dhe të qëndrueshme”.
Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, shkroi në rrjetet sociale se Kosova ka nevojë urgjente për t’iu rikthyer stabilitetit politik dhe për të bërë përparim në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare, ndërsa e cilësoi si “jetik” dialogun konstruktiv për gjetjen e një rruge përpara.
Augustin Palokaj, gazetar me përvojë në politikën evropiane, thotë se kjo krizë ndodh në një moment kyç, kur Kosova kishte shansin të rikuperonte humbjet e viteve të fundit, shkaktuar nga masat ndëshkuese të BE-së dhe mungesa e institucioneve funksionale.
Ai paralajmëron se nëse kriza vazhdon, dhe çon edhe në një palë zgjedhje, rrezikohet përdorimi i miliona eurove nga Plani i Rritjes i BE-së dhe fondet e tjera ndërkombëtare.
“Të gjithë duan që në Kosovë të kenë partnerë të besueshëm dhe partnerë që do të kenë legjitimitet të plotë kur të flasin, të negociojnë dhe të marrin obligime në emër të Kosovës. Prandaj, nuk mund të ketë raporte me Kosovën nëse Kosova nuk ka stabilitet të brendshëm politik dhe nuk ka struktura me legjitimitet të plotë”, thotë Palokaj për Exposenë.
Për më tepër, shton ai, kriza politike mund ta pengojë Kosovën të hyjë edhe këtë vit në rend dite për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa e bën më të pasigurt edhe fatin e aplikimit të saj për anëtarësim në BE.
“Është i vetmi vend në Evropë që ka aplikuar për anëtarësim në BE, por aplikimi nuk është shqyrtuar fare dhe nuk ka as plan që të shqyrtohet. Nëse Kosova vazhdon me kriza të tilla të brendshme politike dhe nuk nxiton vetë, atëherë pse do të duhej të nxitonte BE-ja? Shtetet që edhe ashtu nuk janë të interesuara ta ndihmojnë Kosovën, do ta shfrytëzojnë këtë situatë për ta mbajtur vendin të margjinalizuar edhe në të ardhmen”, thotë Palokaj.
Vetëm dy javë para se të nxirrte dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Osmani mori pjesë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes për Gazën, si anëtare themeluese e kësaj nisme të ndërmarrë nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Serwer e konsideron të mençur vendimin e saj për t’u përfshirë në Bord. Edhe pse vetë nuk e mbështet, ai thotë se për Kosovën kjo është një mënyrë për t’u pozicionuar më mirë në raport me Uashingtonin.
Në Kosovë, megjithatë, sinjalet nuk kanë qenë të qarta nëse pjesëmarrja në Bordin e Paqes gëzon mbështetje të plotë politike ose jo, ndërsa mbetet e paqartë edhe si do të vazhdojë angazhimi i vendit në të ardhmen.
Serwer thotë se Kosova duhet të ruajë besimin e SHBA-së, e cila tashmë ka shfaqur pakënaqësi për ngërçin politik, duke pezulluar Dialogun Strategjik vitin e kaluar.
Ai argumenton se anëtarësimi në NATO duhet të jetë objektivi më urgjent strategjik i vendit, pasi pa mbështetjen e Aleancës, Kosova mund të mbrohet vetëm për një kohë të shkurtër. Ai paralajmëron se kriza e gjatë institucionale e kërcënon direkt këtë objektiv, duke penguar ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme me SHBA-në, e cila është thelbësore për aplikimin e suksesshëm në NATO.
“Ju duhet të keni një marrëdhënie shumë të mirë me NATO-n, por edhe një marrëdhënie shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara, sepse SHBA-ja do të duhet të thotë ‘po’ ose ‘jo’ për mbrojtjen e Kosovës nga Serbia, nëse ndonjëherë lind nevoja. Prandaj, unë do ta ruaja një marrëdhënie shumë të mirë me amerikanët”, thotë Serwer.
Serwer shton se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga vetë udhëheqësit e Kosovës dhe se kompromisi është kërkesa më e natyrshme e një sistemi parlamentar.
Edhe Palokaj thekson se tejkalimi i krizës kërkon kompromise dhe koncesione mes palëve dhe se zgjidhja nuk duhet pritur apo imponuar nga jashtë.
“Partnerët duan ta shohin Kosovën të aftë për të vendosur për veten. Nuk mund të ketë kthim në të kaluarën, kur ambasadorët e huaj kanë vendosur se si të tejkalohen bllokadat politike dhe, madje, kanë shprehur preferenca për kandidatë të caktuar”, thotë Palokaj.
Ditëve të fundit u bë e madhe në media një deklaratë e një deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, u bëri thirrje disa ambasadorëve - pa përmendur emra - që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila po shqyrton ankesën e kësaj partie ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili vizitoi Gjykatën Kushtetuese rreth një muaj më parë, u pyet nga gazetarët për këtë deklaratë, por nuk pranoi të komentonte.
Vitin e kaluar, gjatë krizës institucionale në Kosovë, vetë kryeministri Kurti akuzoi Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri dhe vendimmarrje të padrejtë. Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, vlerësoi atëkohë se këto kritika ishin ndër faktorët kryesorë që çuan SHBA-në të pezullonte Dialogun Strategjik me Kosovën.
Me fjalët e Serwerit, Kosova dikur ishte “mjaft e mirë” në organizimin e zgjedhjeve dhe në alternimin e pushtetit - një provë kjo e rëndësishme e demokracisë së saj. Por sot, sipas tij, vendi “ka humbur pak nga talenti” për ta kthyer rezultatin e zgjedhjeve në një qeveri funksionale.
Sa për fajtorët? “Nuk e di - nuk jam aty kur ata flasin mes vete”, përfundon Serwer.
Kosova teston fatin e vet ndërkombëtar
Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?
Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen.
Në një reagim në X, ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi. Në kundërpërgjigje, Irani dhe mbështetësit e tij po godasin objektiva në vendet aleate të SHBA-së - nga Arabia Saudite deri në Qipro - pavarësisht paralajmërimeve të Trumpit kundër hakmarrjes.
“Më mirë mos ta bëjnë këtë, sepse, nëse e bëjnë, do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin.
Qeveria e tij nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Po ashtu, as Presidenca, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Policia e Kosovës dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk dhanë asnjë koment.
Kosova strehon kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan - dhe rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten herë pas here, sipas zhvillimeve të situatës, në mënyrë që misioni të mbetet i efektshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme”, tha zyrtari i NATO-s.
Irani dhe mbështetësit e tij sulmuan disa baza dhe misione të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme. Një bazë britanike në Qipro ishte gjithashtu shënjestër e sulmeve me dronë. Autoritetet qipriote thanë se, sipas vlerësimeve fillestare, dronët u lëshuan nga Hezbollahu - grup militant i mbështetur nga Irani - nga territori i Libanit.
Incidenti nxiti reagim të menjëhershëm evropian: disa shtete dërguan avionë luftarakë dhe fregata në Qipro, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare të ishullit mesdhetar, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, argumenton se, edhe pse kampi Bondsteel është një instalim i madh amerikan, ai nuk ka gjasa të renditet ndër objektivat prioritare të Teheranit. Kjo, për faktin se Bondsteel-i nuk është bazë ajrore dhe nuk shfrytëzohet për të mbështetur opereacionet aktuale të SHBA-së kundër Iranit.
“Mësa kuptoj, Irani ka në dispozicion një numër të kufizuar raketash balistike. Duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po godasin platformat e lëshimit të tyre, Irani duhet t’i përdorë ato në mënyrë të zgjuar, për të arritur efektin maksimal”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Sipas Zyrës së Drejtorit për Zbulim Kombëtar të SHBA-së, Irani ka rezervën më të madhe të raketave balistike në Lindjen e Mesme. Arsenali i tij përfshin raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë Izraelin, raketa lundruese Kh‑55 me rreze deri në 3.000 km dhe dronë Shahed, që besohet se kanë goditur bazën britanike në Qipro dhe arrijnë deri në 2.500 km.
Kjo do të thotë se, nëse lëshohet nga Irani, Ballkani mbetet jashtë rrezes së këtij arsenali.
Ish-komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, paralajmëron se brenda rrezes së kërcënimeve të mundshme, mund të jetë baza e Marinës amerikane në Kretë të Greqisë. Ai e konsideron atë si një objektiv të rëndësishëm në Evropë edhe për shkak të rolit të saj logjistik në rajon.
Hodges nuk përmend kërcënime specifike me raketa ose dronë ndaj Bondsteel-it, por thekson se baza duhet të trajtohet gjithmonë si nën rrezik potencial.
“Gjithmonë do të supozoja se ekziston një kërcënim, sidomos nëse ka organizata terroriste ose individë që mund të ndjehen të zemëruar për sulmet ndaj Iranit ose për vrasjen e Ajatollahut, dhe vendosin të veprojnë vetë. Prandaj, edhe në kampin Bondsteel duhet të mbahen masat e sigurisë dhe të llogaritet gjithmonë kjo mundësi”, thotë Hodges për Exposenë.
Shea thekson se për Evropën, përfshirë Kosovën, kërcënimet më të mundshme të veprimeve iraniane ose të frymëzuara nga Irani, janë sulmet terroriste, sulmet kibernetike dhe sulmet e individëve të njohur si “ujq të vetmuar” - persona të frymëzuar nga ideologji ose grupe, por që veprojnë në mënyrë të pavarur.
“Shumë kosovarë iu bashkuan Shtetit Islamik gjatë kohës së kalifatit; disa prej tyre mund të jenë kthyer në vend, disa mund të mbeten ende të radikalizuar. Kjo do të thotë se mund të ekzistojnë disa ‘xhepa’ të radikalizimit. Dhe, nuk po flas vetëm për Kosovën, sepse situatë e ngjashme mund të shfaqet edhe në vende të tjera të Evropës, brenda komuniteteve myslimane”, vlerëson Shea.
Ai paralajmëron se konflikti mund të sjellë edhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit, inflacion më të lartë dhe recesion të madh global. Pasojat do të jenë veçanërisht të rënda për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi - një rajon që ai e përshkruan si ekonomikisht të brishtë dhe të varur nga investimet e huaja.
E, përveç kësaj, gjenerali Hodges ndan edhe një shqetësim tjetër - sigurinë e qytetarëve evropianë, përfshirë edhe kosovarë, të bllokuar në vendet e Gjirit dhe Lindjes së Mesme.
“Nëse janë qindra mijëra evropianë të ngujuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar ose vende të ngjashme, për shkak se linjat ajrore janë ndalur, atëherë mund ta kuptoj përse Qeveria franceze mund ta ndiejë nevojën për të dërguar forcën e saj për t’i mbrojtur ata”, thotë Hodges.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi këtë javë se vendi i tij do të dërgojë aeroplanmbajtësin “Charles de Gaulle” në Mesdhe dhe se do të punojë për të formuar një koalicion që do të mbronte trafikun detar, i cili rrezikohet nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme.
Në kontekstin e masave të sigurisë për Kosovën, Shea sugjeron që autoritetet të forcojnë kontrollin e kufijve, të monitorojnë individët potencialisht të radikalizuar, të rrisin sigurinë rreth objekteve të SHBA-së dhe KFOR-it, si dhe të forcojnë bashkëpunimin operacional dhe të inteligjencës me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
“Natyrisht, ekziston edhe një forcë rezervë e NATO-s që mund të dislokohet nëse situata e kërkon. Por, aktualisht, bëhet fjalë për masa të zakonshme parandaluese. Siguria duhet të përshtatet sipas vlerësimeve të kërcënimeve. Nuk duhet të reagosh më pak, por as ta teprosh me reagimin”, thotë Shea.
Me kalimin e çdo dite që lufta vazhdon, rreziqet bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme. Hodges thotë se Uashingtoni nuk e ka përcaktuar kurrë qartë se si dëshiron të duket Irani kur lufta të mbarojë - gjë që, sipas tij, e bën konfliktin më të vështirë për t'u përfunduar.
Ai paralajmëron, gjithashtu, për presionin mbi rezervat ushtarake amerikane dhe mbi kapacitetin e përgjithshëm të parandalimit.
“Sa më gjatë që zgjat konflikti, aq më shumë vihet në provë aftësia e SHBA-së për të siguruar mjaftueshëm municion. Kjo nuk lidhet vetëm me operacionet aktuale, por edhe me ruajtjen e kapaciteteve të parandalimit ndaj Kinës. Unë jam i sigurt se po ushtrohet presion i madh mbi industrinë, për të rritur prodhimin. Por, këto nuk janë produkte të thjeshta - bëhet fjalë për armë shumë të sofistikuara, të shtrenjta dhe që kërkojnë kohë për t’u prodhuar. Nuk mund të trefishosh apo katërfishosh menjëherë prodhimin e interceptorëve Patriot, sistemeve HIMARS apo raketave Tomahawk”, thotë Hodges.
Presidenti Trump tha më 4 mars se forcat e Shteteve të Bashkuara janë në një pozicion shumë të fuqishëm në Iran. Sipas tij, ato kanë bërë një përparim të madh, “edhe pse lufta ka më pak se një javë që ka nisur”. Dhe, ndoshta, faktori më i rëndësishëm për këtë është “rindërtimi i ushtrisë gjatë mandatit tim të parë”, tha Trump.
Në Ballkan, Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës rriti masat e sigurisë në një nivel më të lartë, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krahasoi sulmin e SHBA-së ndaj Iranit me fushatën ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.
Me fjalët e Jamie Sheas, kjo është thjesht një “analogji krejtësisht e rreme” dhe retorikë e përsëritur e Serbisë, e cila ka mbështetjen edhe të Iranit në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.
Kosova në linjën indirekte të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit
Krejt çfarë ndodhi në ditën e katërt të operacionit SHBA-Izrael kundër Iranit
Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë
Forca shumëkombëshe numëronte fillimisht mbi 50.000 ushtarë, prej të cilëve rreth 7.000 amerikanë. Sfidat për ndërtimin e një të ardhmeje pas shkatërrimit të gjerë që la sulmi serb, ishin të jashtëzakonshme, sipas presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton.
Pesë muaj pas përfundimit të luftës, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar trupat amerikane në kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Ballkan dhe një nga simbolet më të fuqishme të pranisë së saj në rajon.
“E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit”, tha Clinton në nëntor të vitit 1999.
Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa prania e KFOR-it është zvogëluar në rreth 4.700 trupa. Megjithatë, reduktimi i forcave nuk do të thotë se stabiliteti është i garantuar.
Mungesa e pajtimit të plotë dhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, e mbajnë hapur dimensionin e sigurisë. Në këtë kontekst, çdo sinjal për një rol më të vogël të Shteteve të Bashkuara në KFOR merr peshë të veçantë.
Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime - jo gjithmonë zyrtare - për mundësinë e një reduktimi të angazhimit amerikan në KFOR, duke hapur pyetje edhe për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.
Në një përgjigje që mori Radio Evropa e Lirë prej Pentagonit më 19 shkurt u tha se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave. Por, po atë ditë, gazeta amerikane, Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë reduktimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.
Kjo nuk është hera e parë që ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e trupave amerikane në Evropë.
Në shkurt të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kontinenti duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane, duke theksuar se vendimet do të varen nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të Uashingtonit.
Po atëkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e lidhi të ardhmen e trupave në Evropë me politikëbërjen në rajon, duke deklaruar se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse qytetarët atje përballen me ndëshkime për postime fyese në rrjetet sociale.
Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n nëse vendet evropiane kanë kapacitet të mbushin boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje ose reduktim i mundshëm i forcave amerikane në KFOR, të cilat aktualisht numërojnë rreth 590 ushtarë.
Në përgjigjen e marrë nga një zyrtar, nuk jepen detaje konkrete, por theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në sigurimin e stabilitetit afatgjatë të Kosovës dhe të rajonit, përmes misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja”.
Radio Evropa e Lirë u dërgoi pyetje edhe ministrive të Mbrojtjes në Itali, Hungari dhe Turqi - tri nga vendet me kontributin më të madh në KFOR - për gatishmërinë e tyre për të ofruar forca dhe mjete shtesë - por asnjëri nga institucionet nuk u përgjigj.
Igor Tabak, analist ushtarak në portalin “Mbrojtja dhe Siguria” në Zagreb, thotë se Evropa ka kapacitetin për të mbuluar boshllëkun që mund të lërë një rol më i vogël i SHBA-së në KFOR. Ai shpjegon se vendet evropiane kanë rritur investimet në mbrojtje gjatë viteve të fundit, duke përfshirë jo vetëm blerjen e teknologjisë së re, por edhe aftësimin e personelit.
“Natyrisht, SHBA-ja është aleatja më e madhe në NATO, por nuk është e vetmja. Ka disa resurse që i posedon vetëm ajo, ndërsa vendet e tjera jo. Shumica prej tyre, siç e ka treguar edhe lufta në Ukrainë, lidhen me armët bërthamore dhe mbrojtjen raketore. Por, këto nuk janë kapacitete që i nevojiten KFOR-it, prandaj prania amerikane mund të zëvendësohet”, thotë Tabak për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili aktualisht udhëheq Qendrën e Sigurisë së Evropës Juglindore, pajtohet se vendet evropiane kanë kapacitet për të marrë një rol më të madh ushtarak në Kosovë, por shton se prania amerikane ka rëndësi që shkon përtej këtij aspekti.
“Nga pikëpamja politike, prezenca e trupave amerikane në Kosovë është shumë e rëndësishme. Ndaj, diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më e shkathët. Nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe e partneritetit afatgjatë, që lidhet edhe me qëllimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Si e tillë, situata do të krijonte një lloj hendikapi”, thotë Mediu për Exposenë.
Kosova, përveç Serbisë, ka në fqinjësi tri vende anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ndryshe nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ajo nuk është as pjesë e Partneritetit për Paqe - programit të NATO-s për bashkëpunim me vendet partnere - për arsye politike.
Forca e saj e Sigurisë është në proces të shndërrimit në ushtri me kapacitete të plota, dhe zyrtarët e saj thonë se kanë aftësinë për të mbrojtur vendin dhe integritetin e tij territorial.
Megjithatë, FSK-ja, ende sot, nuk mund të operojë në veri të Kosovës, ku popullsia shumicë është serbe, pa lejen e KFOR-it. Ky mision është përgjegjës për sigurinë e kufirit tokësor të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare, përgjegjëse është Policia e Kosovës.
Tabak nuk beson se tërheqja eventuale e SHBA-së nga KFOR-i do ta ndryshonte ndjesinë e sigurisë në Kosovë.
“Nuk është rastësi që, muajt e fundit, janë shfaqur iniciativa për bashkëpunim në mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Të tria vendet kanë arritur marrëveshje konkrete në këtë drejtim. Kjo tregon se po punohet për t’u siguruar që stabiliteti në rajon, të mos varet ekskluzivisht nga vullneti i Uashingtonit, i cili mund të ndryshojë me kalimin e kohës”, thotë Tabak.
Por, Mediu nuk e ndan këtë mendim. Sipas tij, prania amerikane ka një efekt të fortë parandalues në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në kalkulimet e Serbisë dhe aktorëve të tjerë. Nëse kjo prani dobësohet, mund të inkurajohen provokime ose përshkallëzime të reja, paralajmëron ai.
“Unë mendoj se çdo problem ose perceptim negativ mbi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, mund të nxisë qëndrime dhe provokime kundër Kosovës, të cilat mund të përshkallëzohen, duke pasur parasysh edhe interesin e Rusisë për të krijuar një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë”, shton Mediu.
Sipas tij, zgjidhja qëndron te diplomacia e zgjuar dhe pragmatike e Kosovës. Ai rekomandon që vendi të orientohet nga interesat amerikane, duke treguar se është partner i besueshëm dhe jo burim problemesh.
“Ne jemi vende periferike në politikën e sigurisë së SHBA-së. Për t’u bërë të rëndësishëm, duhet të sillemi jo si njerëz që krijojmë probleme, por që japim zgjidhje. Analizën duhet ta nisim nga interesi amerikan dhe pastaj të kalojmë tek interesat tona. Të mos themi se kemi probleme me Serbinë, por se problemet në rajon, për shkak të Serbisë, Rusisë, Kinës, bien ndesh me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, që ka miratuar Trump, dhe më pas të lëvizim tek interesat tona të brendshme”, thotë Mediu.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme viteve të fundit, duke kaluar nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në mbi 216 milionë euro këtë vit.
Por, të dy ekspertët vërejnë se ky buxhet mbetet i kufizuar, përballë kostove të larta të armëve dhe pajisjeve moderne. Sipas tyre, Kosova mund t’i përforcojë këto kapacitete duke bashkuar buxhetet me vendet anëtare të NATO-s në Ballkan, duke krijuar nivele operative të përbashkëta dhe duke nxitur investime strategjike nga industria ushtarake amerikane.
Sepse, në fund të fundit, ekonomia ndikon dhe vendos për shumë gjëra, thotë Mediu.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, që përmend ai, synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë, garanton 76.000 trupa amerikane në kontinent dhe ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve. Megjithatë, ai bie ndesh me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e cila thekson se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane”.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin. Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, takoi ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
Tani, nëse Amerika një ditë bën një hap pas, Evropa mund të përballet me provën më të madhe të rolit të saj si garantuese e sigurisë në kontinent.
SHBA thotë se qëllimi është shkatërrimi i raketave balistike iraniane teksa Teherani kërcënon transportin në Gjirin Persik
Trump: Do të vazhdojmë me “forcë të plotë” në Iran derisa t'i arrijmë objektivat
Nga garantues në pikëpyetje: Roli i SHBA-së në KFOR