Radio Evropa e Lirë
Vendimi i Kushtetueses: Avantazhe për disa, zgjidhje për askënd
Rrëzimi i dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, shihet nga njohësit e fushës si një veprim që stabilizon në njëfarë mase institucionet, por lë të hapur krizën politike.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dekreti i presidentes “nuk ka efekt juridik” dhe i dha Kuvendit një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit - në të kundërtën, Kuvendi do të shpërndahet.
Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes tri rundeve votimi që kërkojnë kuorum dhe shumicë të caktuar, duke e bërë procesin kryesisht të varur nga arritja e kompromisit politik ndërmjet partive.
Nëse ky proces dështon brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, vendi shkon në zgjedhje.
Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se Kushtetuesja përdori një gjuhë të kujdesshme dhe të balancuar juridike në këtë rast.
Sipas tij, vendimi karakterizohet nga një ton neutral interpretues, por nuk i shmanget ndikimit të kontekstit aktual politik.
“Interpretimi kushtetues dhe juridik i këtij dekreti është bërë kryesisht në kontekstin e ngërçit politik aktual. Gjykata e ka një paragraf ku thotë se interpretimi i dispozitave kushtetuese lidhet me rrethanat politike në vend, dhe kjo përbën një nga dobësitë e aktgjykimit”, thekson Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se vendimi, megjithatë, u jep institucioneve mundësi shtesë për të përmbushur detyrimet kushtetuese, përkatësisht për të bërë përpjekje të reja drejt zgjedhjes së presidentit.
Në të njëjtën linjë, por me një ton më kritik, analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e konsideron vendimin e Kushtetueses si një vlerësim neutral, por jo domosdoshmërisht profesional.
Sipas tij, Gjykata ka marrë parasysh edhe rrethanat politike, duke shkuar “përtej interpretimit të ftohtë profesional të Kushtetutës”.
“Sigurisht që dikujt i ka krijuar disa avantazhe, dikujt tjetër më pak. Por, ka qenë një përpjekje që ‘edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet’”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Kush përfiton nga vendimi?Sipas Bugaqkut, përfitues kryesorë janë vetë institucionet dhe rendi kushtetues.
“Fitues realë janë institucionet - Kushtetuta dhe Kuvendi. Gjykata e riktheu në binarë kushtetutshmërinë e mandatit të Kuvendit dhe legjitimitetin e përfaqësuesve të qytetarëve, duke konstatuar se dekreti nuk prodhon asnjë efekt juridik”, thotë ai.
Paçarizi, nga ana tjetër, vëren se në opinion ekziston perceptimi se vendimi i ka krijuar avantazhe Lëvizjes Vetëvendosje. Por, ai nuk sheh përfitime konkrete politike për këtë subjekt, përveç mundësisë për të ndërtuar një narrativ politik.
“Reagimet e Vetëvendosjes u fokusuan te rrëzimi i dekretit të presidentes, jo te gjetja e një zgjidhjeje për krizën. Askush, as nga pushteti e as nga opozita, nuk foli për krijimin e kushteve për të shmangur zgjedhjet”, thekson ai.
Pa fitues real, drejt zgjedhjeve?Pavarësisht efektit stabilizues në planin institucional, analistët vlerësojnë se vendimi nuk ka prodhuar zgjidhje politike.
Paçarizi thekson se mungesa e vullnetit politik për konsensus mes partive e bën të pamundur që ky vendim të shërbejë si pikë kthese.
“Nuk ka një fitues real”, thotë ai, “vendimi nuk krijon kushte për konsolidimin e vullnetit politik për zgjedhjen e presidentit”.
Sipas Paçarizit, vendi tashmë duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendimi i Kushtetueses mund të përdoret nga partitë vetëm si instrument në fushatat e tyre.
“Përfitimi i vetëm është mundësia që secila palë të shfrytëzojë elemente të aktgjykimit për të ndërtuar narrativët e vet parazgjedhorë”, shton ai, duke mbetur skeptik për mundësinë që brenda afatit 34-ditor të ndryshojë dinamika politike.
“Duket se të gjitha partive politike u pëlqen shkuarja në zgjedhje”, thotë Paçarizi.
Reagimet e partive: Përgjegjësia mbetet te konsensusi politikSituata e krijuar pas vendimit të Kushtetueses nxiti reagime të ndryshme nga përfaqësuesit e partive politike në Kosovë.
Arbërie Nagavci, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, tha se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Bedri Hamza, tha para mbledhjes së Kryesisë së partisë të enjten, se pas vendimit të Kushtetueses nuk kishte marrë ndonjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit mbetet te shumica parlamentare, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje.
Ai shtoi se asgjë nuk mund të zgjidhet me imponim, por vetëm “me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese” dhe nëse kjo mungon brenda afatit 34-ditor, LDK-ja “do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë “për të diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e Aleancës lidhur me situatën e krijuar” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas vendimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën, më 30 mars.
Kosova përballë një prove politike: kompromis apo krizë e re?
Qasja në të dhënat penale ngre shqetësim për privatësinë dhe ndarjen e pushteteve në Kosovë
Radioamatorët, lajmëtarët e fundit
Kosova në dilemë institucionale: Kuvendi i shpërndarë, Qeveria në detyrë?
Hasani: Osmani i ka “uzurpuar” kompetencat e Kuvendit të Kosovës
Sipas tij, Osmani nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin, i cili nga sot ka 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.
Ai shpjegon se, vetëm në rast se dështon brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Hasani thekson se konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, janë “fiktive dhe jokushtetuese”, si dhe kanë për qëllim “të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani”.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e komentoni dekretin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës?
Enver Hasani: Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial.
Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh.
Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit pas dekretit presidencial për shpërndarjen e Kuvendit, ndiqeni blogun tonë të drejtpërdrejtë.Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të ketë në proceset e mëtutjeshme, në rast se dekreti i presidentes Osmani kontestohet në Gjykatën Kushtetuese?
Enver Hasani: Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye.
Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendi, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit.
Pra, asnjë organ tjetër nga jashtë, as presidenti dhe as Qeveria, nuk mund ta shpërndajnë Kuvendin, sepse është natyra e sistemit parlamentar që nuk e lejon një gjë të tillë. Kuvendi nuk i përgjigjet as presidentit dhe as Qeverisë, por anasjelltas.
Radio Evropa e Lirë: A prisni ju vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit apo që vendi të shkojë në zgjedhje në prill?
Enver Hasani: Nga sot mbeten edhe 60 ditë për të ndodhur shpërndarja e Kuvendit nëse nuk zgjidhet presidenti i Republikës.
Brenda këtyre ditëve, detyrën e presidentit e ushtron zonja Albulena Haxhiu [kryetare e Kuvendit].
Ajo duhet t’i shpallë zgjedhjet, të cilat mbahen brenda 45 ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së presidentit të Republikës.
Kjo bazohet në nenin 82 të Kushtetutës, për shpërndarjen e Kuvendit. Aty është e përcaktuar qartë.
Radio Evropa e Lirë: Si shpjegohet kjo në praktikë?
Enver Hasani: Dje, Kuvendi ka pasur kuorum. Këtu po ngatërrohet kjo çështje. Kuorumi prej 80 deputetësh nevojitet për rundin e parë dhe të dytë për zgjedhjen e presidentit. Ndërkaq, kuorumi për punën e Kuvendit është 50 për qind plus një votë, që do të thotë 61 deputetë.
Mbrëmë, Kuvendi është mbledhur. E ka nisur procedurën me dy kandidatë për president. Pra, procedura zyrtarisht ka nisur.
Prej momentit që nis, Kuvendi i ka 60 ditë për ta zgjedhur presidentin. Në rast se nuk zgjidhet, shkohet me automatizëm në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Radio Evropa e Lirë: Presidentja Osmani ka thënë se, sipas nenit 86 të Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill. Si e sheh Kushtetuta këtë situatë dhe a ka zgjidhje tjetër kushtetuese?
Enver Hasani: Ashtu thotë Kushtetuta, por ajo askund nuk thotë se vendi shkon në zgjedhje me automatizëm.
Neni 86 nuk ia jep asnjë kompetencë kujtdo qoftë për ta shpërndarë Kuvendin. Kalimi i afatit 30-ditor para zgjedhjes së presidentit në mandat të rregullt, asnjë pasojë juridike - në kuptim të shpërndarjes së Kuvendit - nuk mund të prodhojë.
Në veçanti, nuk thotë se presidenti aktual i Republikës ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës. Ky është anulim arbitrar i vullnetit të sovranit, akoma pa u testuar në praktikë sipas rrugës kushtetuese.
Me Kushtetutë përcaktohet saktë se kur shpërndahet dhe si shpërndahet Kuvendi.
Asnjë normë kushtetuese nuk i jep të drejtë presidentit të Republikës ta shpërndajë Kuvendin krye në vete.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual, është kriter procedural.
Por, moszgjedhja e tij, sipas nenit 86, nuk i jep të drejtë as kompetencë presidentit për shpërndarje të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst vlen neni 82 për 60 ditët. Pra, afati 30-ditor nuk e ka më asnjë vlerë. Nga sot e tutje, janë 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. Në qoftë se nuk zgjidhet, atëherë Kuvendi shpërndahet në mënyrë automatike dhe shkohet me automatizëm në zgjedhje.
Radio Evropa e Lirë: Osmani mbajti konsultime me disa parti politike - a pritet të shpallen zgjedhjet?
Enver Hasani: Partitë politike nuk do të duhej të shkonin në konsultime të tilla fiktive dhe jokushtetuese, për të përligjur rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani.
Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për procedurën e zgjedhjes së presidentit, pas nisjes së seancës mbrëmë, më 5 mars. A ka bazë për shqyrtim kjo kërkesë apo është vetëm pyetje për situatë hipotetike, për të cilën Gjykata tashmë ka ndërtuar standard dhe nuk jep më vendime dhe vlerësime?
Enver Hasani: Kërkesa e zonjës Haxhiu është abuzive dhe nuk besoj që e shqyrton Gjykata Kushtetuese, sepse nuk ka çfarë të shqyrtojë.
Gjykata Kushtetuese shqyrton dhe duhet të shqyrtojë vetëm dekretin jokushtetues të zonjës Osmani.
Efekti i anulimit të tij eventual është i njëjtë, sepse gjendja kushtetuese restaurohet dhe çdo gjë kthehet në binarët kushtetues të 60-ditëshit, plus 45 ditëve të tjera pas tyre, me supozimin që dështon zgjedhja e presidentit të Republikës - procedurë që u nis dje ligjërisht.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju gjithë këtë situatë të krijuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit?
Enver Hasani: Përpjekje për mbrojtje të interesave personale përmes rrugës antikushtetuese. Kjo mund të çojë në kaos të mëtejmë dhe krijon precedent të rrezikshëm, që ka pasoja serioze për rendin kushtetues. Kjo nuk duhet lejuar!
Radio Evropa e Lirë: Kush nuk duhet ta lejojë?
Enver Hasani: Këtë nuk duhet ta lejojnë forcat politike. Ato nuk duhet ta pranojnë këtë lojë. Forcat politike janë ato që vendosin se a duhet shpërndarë Kuvendi dhe për të shkuar ose jo në zgjedhje.
Ato e kanë atë të drejtë, me dy të tretat e 120 votave të deputetëve. E kanë atë të drejtë edhe nëse brenda 60 ditësh nuk e zgjedhin Qeverinë ose presidentin.
Ato nuk do të duhej të shkonin fare në konsultime me presidenten për caktimin e zgjedhjeve, sepse ai caktim është jokushtetues. Pra, ai dekret (i presidentes Osmani për zgjedhje) është jokushtetues.
Radio Evropa e Lirë: A mund të rikthehet amendamentimi i Kushtetutës në Kuvend për çështjen e zgjedhjes së presidentit në ditët në vazhdim?
Enver Hasani: Jo. Ato amendamente janë të reja dhe nuk janë të njëjta me amendamentet e kontrolluara nga Gjykata Kushtetuese më 20 korrik 2012.
Si të tilla, ato duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe vetëm pastaj të rikthehen në Kuvend.
Krejt procedura e ndjekur mbrëmë ishte antikushtetuese dhe abuzive. Nuk ka të drejtë presidenti i Republikës të dërgojë në Kuvend amendamente të reja për shqyrtim e miratim, pa kaluar në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund t’i dërgojë pastaj në Kuvend.
Presidenti i Republikës ka të drejtë të nisë amendamentime të reja, por ato duhet të dërgohen te kryetari i Kuvendit, i cili, sipas nenit 144.3, i dërgon për kontroll kushtetues në Gjykatën Kushtetuese.
Kosovarët në Lindjen e Mesme: Mes sirenave të luftës dhe kujtimeve të vitit 1999
Atëherë, frika kishte emër dhe vend: lufta në shtëpinë e tij.
Sot, në moshën 36-vjeçare, ai i përjeton të njëjtat emocione, por rreth 2.300 kilometra larg atdheut.
Si mësimdhënës i gjuhës angleze në Kuvajt, Sherifi po dëgjon sërish sirena alarmi dhe shpërthime - këtë herë nga sulmet raketore të Iranit ndaj vendeve të Gjirit Persik.
“Paniku se çfarë do të ndodhë... ajo ndjenjë frike dhe emocionesh të përziera më kujton kohën e fëmijërisë gjatë luftës në Kosovë”, thotë ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, përmes video-lidhjes.
“Diskutoj edhe me miqtë se si ishte gjendja atëherë dhe si ne erdhëm këtu, për të punuar... Po ngjan thuajse e njëjta gjë edhe në këtë pjesë të botës”, shprehet Sherifi.
Në këtë video mund të mësoni më shumë për përjetimet e Sherifit dhe kosovarëve tjerë në Lindjen e Mesme.
Kujtime lufte, realitet i riSulmet iraniane ndaj vendeve të Gjirit pasuan operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit, të nisur më 28 shkurt.
Në këtë operacion u vra udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi.
Në shenjë hakmarrjeje, Irani vuri në shënjestër disa vende të rajonit, përfshirë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahrejnin dhe Arabinë Saudite, duke goditur baza amerikane atje dhe të tjera.
Në qytetin Sabah Al-Salem të Kuvajtit, ku jeton Sherifi bashkë me 12 mësimdhënës të tjerë nga Kosova, shpërthimet janë bërë pjesë e përditshmërisë.
“Shpesh ndodhin edhe kur jemi në gjumë. Lëshohen sirenat dhe vjen njoftimi: ‘Mos lëvizni, ka sulm’. Kjo e rrit ndjeshmërinë emocionale dhe krijon panik, sepse nuk dihet sa i madh është rreziku”, tregon ai.
Ndër objektivat e goditura në Kuvajt ishte edhe aeroporti, ndërsa nën kërcënim mbeten zona pranë Ambasadës amerikane dhe instalacioneve ku janë të vendosura trupat amerikane.
Mbrojtja kundërajrore vazhdon t’u përgjigjet raketave balistike dhe dronëve.
Sherifi thotë se përplasjet në qiell i ka parë me sytë e tij, pasi gjurmët e interceptimeve mbeten të dukshme mbi qytet.
Para se të angazhohej si mësimdhënës, ai shërbeu për 16 vjet në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai beson se kjo përvojë e ka ndihmuar të ruajë qetësinë dhe të menaxhojë aspektin psikologjik të situatës, jo vetëm për vete, por edhe për kolegët që jetojnë pranë.
Sipas tij, autoritetet kanë dhënë udhëzime të qarta për sjelljen gjatë alarmit.
Aktualisht, nuk ka evakuime masive në strehimore, ndonëse ato ekzistojnë dhe janë të përgatitura për çdo lagje.
Lëvizja e qytetarëve është e kufizuar, por shërbimet shëndetësore dhe furnizimi me produkte bazë vazhdojnë.
Sfidë mbetet kthimi në Kosovë, pasi aeroporti i Kuvajtit është i mbyllur.
Dalja nga vendi kërkon leje të posaçme, ndërsa aeroportet më të afërta funksionale janë në Riad dhe Xheda, në Arabinë Saudite, ku hyrja kërkon vizë.
“Po presim udhëzimet e ambasadorit tonë në Arabinë Saudite se si do të organizohet evakuimi. Edhe udhëtimi deri atje është shqetësues, sepse as Arabia Saudite nuk është plotësisht e sigurt”, thotë Sherifi.
Në perceptim tjetër i sigurisë në DubaiNë anën tjetër të Gjirit, në Dubai, realiteti perceptohet ndryshe.
Adrian Sylejmani, shtetas i Kosovës që jeton prej 14 vjetësh në Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë se ka pasur sulme dhe dëme në infrastrukturë, por se jeta vazhdon pothuajse normalisht.
Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë drejt këtij shteti.
Aeroporti i Dubait ishte ndër caqet e goditura, por Sylejmani thotë se, personalisht, nuk ka parë sulme direkte.
“Ka pasur zhurma dhe tinguj të raketave dhe kundërajrorëve, por nuk i kam parë. Siguria këtu është prioritet shumë i lartë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, lëvizja e qytetarëve nuk është kufizuar ndjeshëm, përveç kalimit të përkohshëm të mësimit në format online. Edhe puna administrative, kur është e mundur, po zhvillohet nga shtëpia.
Pavarësisht udhëzimeve të autoriteteve të Kosovës për qytetarët në Emirate, Sylejmani nuk e konsideron largimin si opsion.
“Rrugët e Dubait dhe Abu Dhabit, për mua personalisht, mbeten më të sigurta se shumë vende të tjera në botë”, thotë ai.
Rreth një mijë kosovarë në rajonSipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, rreth një mijë shtetas të Kosovës ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit Persik.
Në Arabinë Saudite janë 435, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë, në Katar 75, në Kuvajt rreth 60, në Izrael 21, në Bahrejn 4 dhe në Oman 2 qytetarë.
Më 2 mars, Ministria njoftoi se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po koordinohet me autoritetet përkatëse për të siguruar opsione evakuimi, nëse situata përkeqësohet.
Autoritetet e Emirateve kanë bërë të ditur se kufiri me Omanin mbetet i hapur, ndërsa ekzistojnë mundësi fluturimi nga Riadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Megjithatë, rekomandimi zyrtar është që të shmangen udhëtimet deri në stabilizimin e plotë të situatës së sigurisë.
Për Sherifin, ky nuk është thjesht alarm sigurie, por jehonë e një fëmijërie të trazuar në Kosovë.
“Isha vetëm 9-vjeçar dhe ajo çka më asocion me tani, është paniku se a do të përkeqësohet gjendja...”, shprehet 36-vjeçari.
Si po e përjetojnë kosovarët në Lindjen e Mesme situatën atje?
Edhe në skajin e afatit, llogaritjet për presidentin nuk ndalen
Në prapaskenë, procesi nuk duket të jetë vetëm një detyrim formal kushtetues, por pjesë e një kalkulimi më të gjerë politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Kurti synon një president që do të jetë nën kontrollin e tij në momentet e rëndësishme politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve në Kosovë.
Ai vlerëson se veprimtaria diplomatike e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i pengon llogaritjet e Kurtit, ndaj është në kërkim të një emri të ri.
Të hënën, më 23 shkurt, Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi - në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Osmani e ka bërë të qartë se synon mandat të ri, por Kurti - partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën në Kuvend - nuk e përmendi emrin e saj.
Ai nuk e përjashtoi kategorikisht, por vuri në dukje se do të ishte e kotë që partia të propozonte një kandidat, pasi e vetme mund të sigurojë maksimumi 66 vota - shumë larg numrit prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Për këtë çështje, Kurti takoi kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare - të dielën, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe të hënën, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Hamza u shpreh i gatshëm për bashkërendim parlamentar për, siç tha, çështje të interesit shtetëror e kombëtar, ndërsa Abdixhiku kërkoi ose marrëveshje politike, ose konsensus.
Kurti pranoi se situata për zgjedhjen e presidentit nuk është e lehtë.
“Nuk shoh zell për zgjedhje të reja dhe kjo është një e përbashkët që kemi. Këto elemente më bëjnë optimist”, tha ai për gazetarët.
Megjithatë, ai nuk përmendi asnjë kandidat konkret, edhe kur u pyet për një mundësi nga familja e heroit Adem Jashari.
Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.
“Unë mendoj se Kurti mund ta ketë një emër që do ta propozojë, me shpresën që edhe opozita ta mbështesë. Nuk e di nëse ky emër do të vijë nga familja Jashari”, thotë Mushkolaj, duke shtuar se i gjithë procesi po zhvillohet me një mungesë shqetësuese të transparencës.
Sipas Mushkolajt, mesazhet publike të Kurtit lënë të kuptohet se mund të hiqet dorë nga mundësia që Osmani të fitojë një mandat të ri. Por, ai paralajmëron se nëse Vetëvendosja dhe opozita nuk gjejnë një emër të përbashkët, ajo mund të rikthehet si kandidate, për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Për të evituar zgjedhjet e parakohshme, nuk përjashtohet që zonja Osmani të jetë sërish në lojë”, vlerëson Mushkolaj.
“Por, thellë-thellë, unë besoj që Kurti është i interesuar për një person që nuk ia prish matematikat”, shton ai.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Osmani garoi në një listë me Kurtin dhe ishte ndër kandidatët më të votuar në Kosovë.
Ajo u zgjodh presidente në prill të atij viti dhe në politikën e jashtme shënoi disa arritje - nga sigurimi i njohjeve të reja ndërkombëtare të Kosovës deri tek anëtarësimi i saj në Bordin e Paqes për Gazën - një iniciativë e nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Me Kurtin, në disa raste, ka pasur përplasje të tërthorta, si për aleancat me aleatët perëndimorë apo për tarifën për importet nga SHBA-ja.
Analisti politik, Ilir Deda, vlerëson se presidenti i ardhshëm duhet të jetë dikush që “kupton dhe njeh thellësisht çështjet ndërkombëtare dhe pozicionin e Kosovës në arenën globale”.
“Ne duhet ta dimë se cili profil i kandidatëve do t’i bënte të ndiheshin rehat tri partitë e mëdha në Kosovë - LVV, PDK dhe LDK. A do të vazhdojë mandati i presidentes Osmani, apo do të zgjidhet një figurë e re? Këtë ende nuk e dimë”, shton Deda.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se zgjedhja e një presidenti konsensual do të sillte stabilitet institucional, por, deri tani, partitë politike, thotë ai, po e shohin procesin kryesisht nga prizmi i interesave partiake, e jo të vendit.
Aktualisht, sipas tij, nuk është në interes të Kosovës, e as të partive, që të mbahen zgjedhje të reja, për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Video: A do të arrijë legjislatura e re të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës?
Kosova mbajti dy palë zgjedhje vitin e kaluar, pasi rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit 2025 nuk i mundësuan Kurtit - edhe pse partia e tij fitoi - të formonte Qeverinë e re.
Osmani nuk bëri ndonjë deklarim publik pas takimeve që zhvilloi Kurti me udhëheqësit opozitarë, por në rrjetet e saj sociale bëri disa përmbledhje të mandatit të deritashëm 5-vjeçar - nga vizitat jashtë vendit deri te takimet me diasporën.
“Në pozitën e presidentit nuk mund të vendoset dikush - sidomos në situatën e tanishme - që nuk ka haber në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo do ta dëmtonte edhe Kosovën, edhe institucionin e presidentit”, përfundon Deda.
“Drejtësi, jo politikë”: Marshi i mijërave njerëzve në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së
“Kurti 3” - nga zotimi për reduktim te zgjerimi i kabinetit
Kryeministri i Kosovës e zgjeroi strukturën ekzekutive për mandatin e ri katërvjeçar, ndonëse dikur vetë premtonte reduktim të dikastereve qeveritare, në emër të efikasitetit, uljes së kostove dhe një qeverisjeje më të thjeshtë.
“Nuk do të shkojmë përtej numrit të ministrive që i kemi pasur në pranverën e vitit 2020. Atëherë i kemi pasur 15 ministri, do të synojmë më pak, por jo më shumë”, zotohej Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Kryeministrit për të pyetur për arsyet specifike që çuan në rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë e sapoformuar, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike dhe institucionale kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket zgjerimit të kabinetit qeverisës. Disa paralajmërojnë për rritje të burokracisë dhe për vendimmarrje më të ngadalta, ndërkohë që ka vlerësime të tjera se ndarja më e qartë e përgjegjësive mund ta bëjë ekzekutivin më funksional.
Përbërja e Qeverisë së re të KosovësKryeministër, Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
Ministër i Financave, Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri
Pse u rrit ekzekutivi?Në Lëvizjen FOL, organizatë që promovon transparencën dhe llogaridhënien në institucionet publike, vlerësojnë se zgjerimi i Qeverisë me dikastere shtesë shënon një kthim prapa të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe udhëheqësit të saj Kurti nga diskursi i vitit 2021.
Drejtorja ekzekutive e kësaj organizate, Mexhide Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimi i Kurtit për një qeveri “të vogël e efikase” është zëvendësuar me nevojën për një qeveri “të gjerë e gjithëpërfshirëse”.
Zgjerimin e Qeverisë së re, ajo e sheh më shumë si nevojë të LVV-së për të akomoduar partnerët e koalicionit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV-ja, bashkë me partinë Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), u futën në një listë të përbashkët zgjedhore, si një koalicion.
“Vetë fjala koalicion tregon se do të ketë edhe interesa të partive tjera. Prandaj, qoftë për të menaxhuar fraksionet e brendshme partiake apo brenda koalicionit, këto janë arsyet që kanë çuar LVV-në ta lërë në plan të dytë zotimin e mëparshëm për numër më të vogël ministrish”, vlerëson Demolli.
Ajo shton se zgjerimi i kabinetit qeveritar nga Kurti mund të krijojë burokraci më të madhe, dhe për pasojë edhe një proces vendimmarrjeje më të ngadaltë.
Por, ndryshe e sheh situatën analisti Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Guxo, Alternativa dhe PSHDK-ja, sipas tij, në zgjedhjet e fundit ishin “forca satelite” të LVV-së, dhe jo subjekte të fuqishme që imponojnë edhe ndarjen e pushtetit me këtë parti.
“Në këtë kuptim, Kurti ka qenë komod, dhe nuk mendoj që ka bërë kalkulime për këtë qëllim. Mendoj që rritja e numrit të ministrive është rezultat i analizimit të mënyrës së qeverisjes dhe rritjes së efikasitetit”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se premtimi i dikurshëm i Kurtit për zvogëlimin e numrit të ministrive ishte i natyrës populiste dhe jo reale, sepse ulja e shpenzimeve nuk mund të prodhojë “rritje të efikasitetit”.
Në këtë drejtim, ai nuk e sheh si vendim të keq rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë “Kurti 3”.
Efikasiteti dhe kostojaRritja e numrit të ministrive rrit edhe koston e shpenzimeve publike, vlerëson Demolli.
Aty, sipas saj, përfshihen edhe pagat e ministrave, të zëvendësministrave, të stafit politik, të kabineteve, si dhe shpenzimet operative, ku hyjnë objektet për zyra, veturat, udhëtimet e të tjera.
Ndryshe nga ajo paraprake, Qeveria aktuale, thotë Demolli, do të shpenzojë edhe për katër dikastere më shumë.
“Në vend që të kursehen taksat e qytetarëve për reforma që janë më se të nevojshme, ato do të shkojnë për mirëmbajtjen e strukturës së kësaj qeverie”, shprehet ajo.
Demolli e konsideron të panevojshme ndarjen e disa ministrive të mëparshme në dy dikastere, ose shtimin e kompetencave për ministri të caktuara.
Shembull për këtë, sipas saj, është ish-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga e cila, tashmë kanë dalë dy ministri: Ministria e Kulturës dhe Turizmit, si dhe Ministria e Sportit dhe Rinisë.
“Nuk e kam parë të nevojshme, sepse jemi vend i vogël që të kemi ndarje në dy ministri. Por, duhet pasur parasysh që në këtë rast, Ministria e Kulturës po i takon LVV-së, ndërkaq Ministria e Sportit i takon Guxo-së”, thekson Demolli, duke mbështetur mendimin se LVV-ja ka rritur numrin e ministrive për të akomoduar partnerët e saj.
Por, Paçarizi e sheh si veprim të mirë ndarjen e disa ministrive në dy, siç është rasti në ndarjen e çështjeve të kulturës dhe të sportit në dy dikastere.
Po ashtu, çështjet e teknologjisë dhe inovacioneve kanë dalë nga kompetencat e Ministrisë aktuale të Arsimit dhe Shkencës, dhe janë transferuar në formë të dikasterit brenda Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Ai e sheh pozitive edhe formimin e disa dikastereve të reja, sikurse ai për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
“Unë mendoj se [Kurti] ka bërë zgjidhje të mira, dhe ka emëruar njerëz të duhur në këto ministri, të cilat i ka ndarë. Ata ministra kanë predispozita për të ofruar qasje më dinamike, efikase dhe të mira administrative”, vlerëson Paçarizi.
Ai shton se vendosja e personave të caktuar në krye të ministrive përkatëse nga ana e LVV-së dhe Kurtit, është më shumë rezultat i vlerësimit të brendshëm, sesa i një pazari të mundshëm politik.
Qeveria e re me figura të përsërituraKabineti aktual qeveritar i Kurtit ka përfshirë edhe emra të rinj, të cilët më parë nuk kanë qenë pjesë e ekzekutivit.
Por, shumica e dikastereve do të drejtohen nga figurat e njëjta dhe më të zëshme të LVV-së, të cilët ishin pjesë e qeverisjes, si dhe të legjislaturës paraprake.
Në dikasteret, sikurse ato për financa, mbrojtje, polici, shëndetësi, pushtet lokal, detyrën e ministrave do ta vazhdojnë emrat e njëjtë që i kanë drejtuar ato edhe më parë.
Ndërkaq, disa emra të tjerë nga mandati paraprak qeverisës kanë ndryshuar dikasterin që drejtojnë.
Vazhdimi i qeverisjes dhe për një mandat, me shumicën e figurave të njëjta, sipas Demollit, është shenjë e stagnimit të reformave nga LVV-ja.
“Rikthimi i të njëjtave figura në të njëjtat poste sinjalizon mungesë të një freskimi të ideve dhe politikave. Kjo sugjeron se Qeveria po luan sigurt, duke vazhduar me status quo-në, në vend që të sjellë ekspertizë të re ose njerëz të rinj për të trajtuar sfidat e vjetra”, thekson Demolli.
Ajo shton se qeverisja për dy mandate me figura të njëjta nxit dilema se a ka kërkuar ose fare Kurti llogaridhënie nga emrat e caktuar për rezultatet dhe përmbushjen ose jo të objektivave në qeverisjen paraprake.
Për Paçarizin, caktimi i fytyrave të njohura në kabinetin qeveritar është sinjal se Kurti nuk ndihet rehat me arritjet në mandatin paraprak qeverisës.
Megjithatë, sipas tij, Kurti, duke riemëruar një numër të madh të udhëheqësve të ministrive në pozicionet e tyre, dëshiron të përçojë mesazhin se në mandatin paraprak qeverisës ka qenë i suksesshëm.
“Mendoj se secili kryeministër do ta kishte ndjekur të njëjtin model, sepse, përndryshe do të duhej të pranonte se nuk ka funksionuar diçka apo shumëçka në ministritë e tij... Unë nuk mendoj se ka qenë i suksesshëm, por qëllimi i zotit Kurti është të tregojë se qeverisja [paraprake] ka qenë e suksesshme”, thekson Paçarizi.
Ai shton se Kurti nuk do të arrinte të dërgonte sinjale te qytetarët se ka qeverisur mirë, në rast se do të ndërronte numrin më të madh të emrave nga qeverisja e kaluar.
Mandatin e tretë qeverisës, Kurti e mori pas pothuajse një viti qeverisjeje në detyrë.
Pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, konstituimi i Kuvendit të Kosovës u zvarrit për disa muaj, ndërkaq partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse fituese, nuk kishte vota të mjaftueshme për ta bërë qeverinë.
Në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, LVV-ja siguroi 57 vende në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh, ku 20 u takojnë komuniteteve joshumicë.
Si u shndërrua Gaza në debat të brendshëm në Kosovë...
Ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur militantë të Hamasit - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - kaluan kufirin me Izraelin, vranë mbi 1.200 njerëz dhe rrëmbyen qindra të tjerë, shkaktuan një krizë humanitare në enklavën e kontrolluar nga Hamasi, që vazhdon të tronditë botën.
Mbi dy vjet më vonë, pas ndërmjetësimit të presidentit amerikan, Donald Trump, Izraeli dhe Hamasi bënë një armëpushim të brishtë, por pasojat e dhunës mbeten të thella: rreth 70 mijë palestinezë të vrarë në Gazë dhe një botë e ndarë midis viktimave dhe sulmuesve nga të dyja anët.
Në këtë kontekst, debatet në Kosovë, të cilat vazhdonin që nga fillimi i konfliktit, u intensifikuan javën e kaluar pas publikimit të një dokumentari nga gazetari kosovar, Kushtrim Sadiku.
Po, përse ky polarizim?
Kërcënimet ndaj gazetarit dhe reagimet publikeTri ditë para publikimit të dokumentarit në Televizionin Kanal 10 - i cili rikthen ngjarjet e 7 tetorit përmes rrëfimeve të të mbijetuarve dhe analizës së situatës në Izrael, mbi dy vjet më vonë - Sadiku filloi të përballej me reagime të ndryshme lidhur me përmbajtjen.
Pas publikimit, mesazhet kërcënuese rritën shqetësimin e tij dhe të familjes.
“Kam marrë kërcënime për jetën, të cilat i kam adresuar te Policia dhe Prokuroria e Kosovës. Gjithashtu, kam njoftuar edhe disa ambasada mike”, deklaroi Sadiku për Radion Evropa e Lirë.
Debati në televizionet vendore dhe rrjetet sociale u ndez menjëherë.
Opinionistë dhe qytetarë morën qëndrime mbështetëse ose kritike, ndërsa komentet shpesh kaluan edhe në tone të ashpra.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi, duke kërkuar që diskutimi të zhvillohet brenda kornizave të debatit të lirë, pa kërcënime ndaj sigurisë personale.
Rrjetet sociale, terren i polarizimitPër njohësit e fushës, gjërat nuk janë thjeshta.
Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, thotë se konflikti izraelito-palestinez është ndër më të mediatizuarit në botë dhe shton se rrjetet sociale në Kosovë janë ato që përdoren si mjet për përçarje.
“Komentet nuk filtrohen, debati nuk organizohet, ndërsa përçarja shfrytëzohet për audiencë dhe shikueshmëri. Televizionet vendore shpesh i amplifikojnë këto tensione përmes fragmenteve të emisioneve të tyre në rrjetet sociale”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.
Ky model i “ekonomisë së vëmendjes”, sipas tij, sjell pasoja reale: debatet emocionale tejkalojnë analizën objektive dhe argumentet racionale, duke amplifikuar ndasitë brenda shoqërisë.
“Unë mendoj se kjo është e lidhur direkt me mënyrën se si po bëhet biznes me median në Kosovë, sepse monetizimi i përmbajtjeve nga mediat sociale e krijon këtë lloj të logjikës së përplasjes. Në modelin e biznesit të vetë mediave sociale, dominon ekonomia e vëmendjes, pa të cilën këto platforma nuk janë të vlefshme”, shton ai.
Reagimet historike dhe fetareProfesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës, Mentor Hasani, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e Kosovës në këtë debat lidhet me shumë faktorë - historikë, fetarë, politikë e gjeopolitikë.
Sipas tij, Ballkani - përfshirë Kosovën - ka qenë historikisht pjesë e perandorive me shtrirje globale, ku janë formësuar identitete të ndryshme fetare, kulturore dhe sisteme vlerash që ndikojnë edhe sot në leximin e konflikteve ndërkombëtare.
Ai thotë se për shqiptarët e Kosovës, kujtesa e luftës, dhunës dhe spastrimit etnik mbetet e freskët, edhe gati 27 vjet pas përfundimit të saj.
Kjo përvojë, sipas tij, reflektohet drejtpërdrejt në reagimet ndaj konfliktit në Gazë, ku individë dhe grupe të ndryshme shfaqin empati ose mirëkuptim për njërën apo tjetrën palë.
“Njerëzit e lexojnë konfliktin përmes përvojës personale - kush është viktimë, kush agresor, kush ka pushtet dhe kush është i pambrojtur - çka shpesh çon në vlerësime të pasakta”, sipas tij.
Hasani shton se reagimet në rrjetet sociale, veçanërisht ato në mbështetje të palestinezëve, përveç empatisë ndaj viktimave, bartin edhe një dimension fetar.
Edhe pse në Kosovë vazhdon të dominojë një islam tradicional, ai paralajmëron për ekzistencën e grupeve periferike që predikojnë forma radikale të fesë dhe nxisin përplasje brenda komunitetit.
“Ky emocionalitet i ushqyer nga pamjet e dhunës në Palestinë, ka krijuar hapësirë për instrumentalizim dhe përhapje të ideve radikale, duke lënë edhe përshtypjen e një antisemitizmi në nivele të caktuara”, thekson Hasani.
Megjithatë, ai vëren se në debatet publike ka edhe qëndrime mbështetëse për Izraelin, të cilat i sheh si strategjike dhe pragmatike.
“Këta njerëz e shohin këtë mbështetje si pjesë të orientimit drejt Perëndimit dhe fuqive të mëdha, që kanë luajtur rol vendimtar në mbijetesën e popullit dhe shoqërisë sonë”, thotë Hasani.
Përplasjet online dhe emocionetPër psikologun Dashamir Bërxulli, përplasjet online janë shpesh amplifikim i emocioneve historike dhe fetare.
Individët ose grupet me orientim fetar mbështesin kauzën palestineze, ndërsa të tjerët, me orientim historik, mbështesin Izraelin, sipas tij.
Ai paralajmëron se polarizimi i tillë mund të sjellë tension edhe në jetën reale, nëse nuk menaxhohet me kujdes nga elitat politike dhe intelektuale.
“Unë nuk po them se (polarizimi i shoqërisë) do të kulmojë në veprime të caktuara. Por, me gjasë, kur një tullumbace me energji mblidhet, atëherë - në një mënyrë ose tjetër - do të shpërthejë”, thotë Bërxulli për Radion Evropa e Lirë.
Edukimi dhe dialogu si zgjidhjeHistoriani Mentor Hasani vlerëson se në parandalimin e thellimit të polarizimit shoqëror, rol të rëndësishëm mund të luajnë përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme, përfshirë ato fetare.
Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave mbi 93 për qind e qytetarëve deklarohen të besimit islam, Hasani thekson se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) mund të ketë ndikim kyç në shtendosjen e përplasjeve publike, veçanërisht në rastet kur përdoret fjalor me ngjyrim antisemit nga grupe me qëndrime radikale.
“Bashkësia Islame e Kosovës mund ta luajë një rol të madh, ashtu siç e ka luajtur viteve të fundit përballë këtyre rrymave”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BIK-ut për koment lidhur me këto polarizime, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Në anën tjetër, diplomati i Kongresit Botëror Hebre për Kosovën, Flori Zevi, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se debatet rreth Gazës janë tregues i qartë i nevojës për më shumë edukim medial, qasje ndërdisiplinore dhe dialog të përgjegjshëm publik.
Sipas tij, dokumentari i gazetarit Sadiku ka hapur një diskutim të domosdoshëm, por reagimet ndaj tij dëshmojnë vështirësinë e shoqërisë për të ndarë faktet nga emocionet dhe analizën nga pozicionimi ideologjik.
Zevi thotë se në diskursin publik po zbehen zërat që kërkojnë paqe dhe dialog, ndërsa po dominojnë slogane që, në kontekstin e tyre historik dhe ideologjik, mohojnë të drejtën e Izraelit dhe të popullit hebre për ekzistencë.
“Kur kritika politike shndërrohet në demonizim kolektiv, atëherë kemi kaluar kufirin nga debati legjitim në diskriminim dhe urrejtje etnike apo fetare. Pikërisht për këtë arsye, edukimi është kyç”, thotë Zevi.
Paqja nuk ndërtohet me slogane shkatërruese, por me empati, dije dhe përgjegjësi morale, përfundon Zevi.
Bllokada e Kuvendit mund të kthehet sërish
Kështu vlerëson për Radion Evropa e Lirë Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se tani bëhet fjalë për një çështje politike, e jo ligjore.
Mundësinë e një bllokade të re institucionale nuk e përjashton as Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasi përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, “e interpretojnë ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që ata shumë lehtë të kapen pas ndonjë fjale, pjese të tekstit ose ndonjë dispozite të vendimit dhe ta interpretojnë me qëllim gabimisht, ashtu siç kanë bërë gjatë 56 seancave të konstituimit të Kuvendit, vitin e kaluar”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Më 28 janar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, e bërë përmes shortit, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata theksoi se e drejta për të propozuar kandidatin i takon partisë që ka fituar shumicën e vendeve të rezervuara për komunitetin serb - në këtë rast, Listës Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë mandatet.
Kjo parti - më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit - fitoi sërish nëntë mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, ndërsa një mandat e fitoi Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Bllokada institucionale mund të rikthehet nëse Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi në zgjedhjet e fundit, vazhdon të refuzojë çdo bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa Lista Serbe refuzon të propozojë Rashiqin.
Lista Serbe vlerëson se Rashiq ka hyrë në Kuvendin e Kosovës me mbështetjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe e konsideron atë si përfaqësues “jolegjitim” të serbëve.
A ka shanse për marrëveshje?Radio Evropa e Lirë kërkoi koment për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mundësinë e një marrëveshjeje si nga Nenad Rashiq dhe Lista Serbe, ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori asnjë përgjigje.
Mimoza Kusari Lila deklaroi për Tëvë 1 se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ku bën pjesë dhe ajo, nuk do të japë votë për kandidatët e Listës Serbe, derisa të shqyrtohen të gjitha detajet e vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe të përcaktohet mënyra e duhur e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb - pra përfshirë edhe kandidatin Nenad Rashiq.
Ajo theksoi se ekzistojnë edhe vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese që i përcaktojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit.
Vendimi i shtatorit të vitit të kaluar konstatonte se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, përveç rastit kur procesi pengohet qëllimisht - në atë rast, Kuvendi mund të funksionojë vetëm me kuorum për vendimmarrje.
Megjithatë, gjykata shpjegoi atëkohë se në rastin konkret, procesi nuk ishte bllokuar qëllimisht, pasi dështimi për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti minoritar, i atribuohej shumicës shqiptare.
Bugaqku i vlerëson deklaratat e Kusari Lilës si “tërësisht të paqëndrueshme dhe të gabuara” dhe thekson se dy vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese ishin të qarta.
Sipas tij, Gjykata sqaroi se bllokada në konstituimin e Kuvendit nuk u shkaktua nga mospropozimi i kandidatëve nga Lista Serbe, por për faktin se deputetët nga komuniteti shqiptar nuk votuan.
“Gjithashtu, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk e kanë respektuar as aktgjykimin, as Kushtetutën dhe as vetë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke mos votuar kandidatët që janë propozuar nga grupi që është shumicë e komunitetit serb”, thotë Bugaqku.
Ai shton se deputetët shqiptarë nga të gjitha partitë politike në Kuvend, nuk kanë të drejtë të diktojnë se si do të përfaqësohet një komunitet në Kryesinë e Kuvendit.
Sfidimi i vendimeve të Gjykatës KushtetueseKosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, pasi partitë shqiptare nuk arritën të binin dakord për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit - gjë që u pasua nga një bllokadë për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pasi dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje - Albin Kurti dhe Glauk Konjufca - nuk arritën të siguronin numrin e mjaftueshëm të votave për të formuar Qeverinë e re.
Partitë janë drejtuar disa herë në Gjykatën Kushtetuese, por, sipas Bugaqkut, mbetet ende e paqartë se çfarë pasojash ligjore do të kenë deputetët, nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
Aktualisht, vazhdon rinumërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe pas përfundimit të procesit, pritet të nisë krijimi i institucioneve të reja.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që kërkesat e Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit, të shpallen të papranueshme.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar gjithashtu se Gjykata Kushtetuese vepron në mënyrë të njëanshme, duke favorizuar partitë shqiptare që kanë qenë në opozitë.
Gjykata Kushtetuese ka reaguar, duke theksuar se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të garantuara me Kushtetutë dhe se asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj.
Më herët, disa vende perëndimore dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje përfaqësuesve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e saj, duke vlerësuar se pavarësia e drejtësisë është themeli i sundimit të ligjit.
Fondet e Kosovës për Luginën e Preshevës ndezin përplasje politike
Bllokada e kufijve godet bizneset kosovare dhe rrit frikën për çmime më të larta
Drejtuesi i kompanisë, Ramiz Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai është eksportues i rregullt dhe, sipas marrëveshjes, prodhimet do të duhej të arrinin në destinacion brenda kësaj jave. Në të kundërtën, kontrata rrezikon të shkelet, të rinegociohet ose të dështojë fare.
“Ne mund ta humbim këtë blerës, që është potencialisht më i rëndësishmi që kemi”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Ai paralajmëron se vonesat mund t’i dëmtojnë edhe kontratat me partnerët tjerë - në Gjermani dhe në Kroaci - duke rrezikuar kështu investimet e bëra me kredi bankare që duhet të shlyhen brenda afateve të caktuara.
Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Protesta e tyre është kundër sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, i njohur si EES.
Ky sistem parasheh që shtetasit jashtë Schengenit të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda 180 ditësh, por, sipas transportuesve protestues, kjo periudhë nuk mjafton - sidomos për ata që udhëtojnë në vende më të largëta - ndaj edhe shkakton humbje ekonomike dhe rrezik për dëbime.
Ata kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga ky rregull dhe paralajmërojnë se bllokada do të zgjasë shtatë ditë, nëse brenda kësaj periudhe nuk gjendet një zgjidhje.
Kosova nuk merr pjesë në protestë, por ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.
Për më tepër, edhe shoferët kosovarë i prek njësoj sistemi EES.
Rasti i kompanisë “Kalaja Epox” në Shtime tregon pasojat e bllokadës edhe në import.
Ruzhdi Rexhaj nga kjo kompani thotë se porosia e rrëshirave epokside nga një kompani austriake, tashmë e paguar dhe e ngarkuar, mund të vonohet ose të dështojë.
“Çfarë t’u themi klientëve? U kemi thënë tashmë se malli i porositur, ngarkohet më 27 janar dhe vjen deri në fund të javës. Tani, nuk e dimë se kur do të arrijë këtu, ndërkohë që kemi edhe projekte që i kemi filluar, duke shpresuar në këtë material”, thotë Rexhaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, çdo vonesë e dëmton edhe reputacionin e kompanisë dhe mund të sjellë gjoba sipas kontratave.
Rrezik për kontratat dhe çmimetPër të adresuar situatën, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës iu drejtua me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se protesta njëjavore mund të shkaktojë pasoja të mëtejshme për kompanitë kosovare - përfshirë rrezikimin e kontratave me partnerët evropianë.
Drejtori i kësaj ode, Kushtrim Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sa më gjatë të zgjasë bllokada, aq më i madh është dëmi për kompanitë.
Ai paralajmëron se vonesat dhe pengesat në transit nuk godasin vetëm bizneset që eksportojnë dhe importojnë, por mund të pasqyrohen edhe te konsumatorët.
“... mund të ketë ndikim edhe në çmimet e produkteve në Kosovë, sepse rritet kërkesa për to”, shton Ahmeti.
Sipas tij, importi enorm i mallrave nënkupton edhe importimin e krizave.
“Çfarëdo që ndodh në vendet prej ku importon, automatikisht ka ndikim. Kjo është jashtëzakonisht problematike”, thotë ai.
Kosova është importuese e gati të gjitha produkteve - nga ushqimi deri te materiali ndërtimor e tekstili.
Sipas të dhënave të Doganës, importet e vitit të kaluar kapën vlerën e mbi 7 miliardë eurove, ndërsa eksportet ishin rreth 942 milionë euro - një bilanc që e bën vendin të ndjeshëm ndaj çdo pengese në transit.
Nisur nga kjo, edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se bllokada në kufij krijon presion të drejtpërdrejtë në tregun vendor.
“Reflekton keq në ekonomi, e reflekton edhe te konsumatorët, sepse ka gjasa të rriten çmimet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Importimi i krizaveMe varësinë e madhe nga importi, Kosova ka përjetuar edhe më herët pasojat e krizave të jashtme.
Një nga shembujt më të theksuar ishte viti 2022, kur inflacioni arriti në rreth 14 për qind, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin global të furnizimeve - fillimisht nga pandemia COVID-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë.
Në vitet që pasuan, inflacioni shënoi trend rënieje, por gjatë vitit të kaluar u rikthye sërish në rritje, duke reflektuar presionet e vazhdueshme në treg.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e prodhimit në vend, në periudhën janar-shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, u rritën për 5.5 për qind.
Mes varësisë nga importi dhe mungesës së mekanizmave mbrojtësEkspertët e ekonomisë vlerësojnë se asnjë vend - përfshirë edhe Kosovën - nuk mund të shmangë plotësisht importin e produkteve të caktuara.
Megjithatë, sipas tyre, niveli i lartë i varësisë nga importi e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj krizave të jashtme.
Ramosaj thotë se Kosova, si vend i vogël me bilanc të dobët tregtar dhe me nivel të ulët të integrimit evropian, do të vazhdojë të jetë më shumë konsumuese e krizave sesa faktor që i prodhon ato.
“Ne jemi aq vend i vogël sa nuk jemi në gjendje të eksportojmë kriza, por gjithmonë t’i marrim faturat e të tjerëve. Kjo është natyra e pozicionit tonë - qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik, politik apo të raporteve që kemi me vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Ramosaj.
Sipas tij, ky realitet duhet të shërbejë si sinjal për institucionet e vendit që t’i intensifikojnë përpjekjet drejt integrimit evropian dhe krijimit të politikave më të qëndrueshme ekonomike.
Ai thekson se për të zbutur ndikimin e krizave të importuara, nevojiten mekanizma të planifikuar mirë, të cilët nuk e dëmtojnë ekonominë e tregut të lirë.
Ai, po ashtu, përmend se shumë vende kanë gjetur forma për të mbrojtur prodhimin vendor, investitorët dhe konsumatorët, qoftë përmes masave doganore, tarifore apo subvencioneve.
“Ne ende nuk i kemi këto politika të rregulluara mirë”, vlerëson ai.
Në të njëjtën linjë, edhe Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, thekson se Qeveria duhet të shqyrtojë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve dhe të prodhuesve vendorë.
Sipas tij, një nga opsionet mund të jetë pezullimi i përkohshëm i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet esenciale dhe të konsumit të përditshëm.
Ai thekson se institucionet duhet ta stimulojnë edhe prodhimin vendor të këtyre produkteve.
“Kërkesa vendore për produktet esenciale, që janë të domosdoshme për çdo qytetar, do të duhej të mbulohej të paktën 50 për qind nga prodhimi vendor”, thotë ai, duke shtuar se prodhuesit kanë nevojë për një strategji të qartë mbështetjeje, përmes granteve për teknologji, investime dhe mbrojtje të produkteve të tyre në treg.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për çështjen e bllokimit të kufijve qysh më 26 janar, por nuk mori përgjigje.
Në disa raste, ajo ka ndarë subvencione për prodhuesit, por ato nuk kanë arritur të gjenerojnë rritje domethënëse të prodhimit vendor.
BE-ja njoftoi se po punon për lehtësime që do t’u mundësonin shoferëve të kamionëve dhe disa profesionistëve të tjerë qëndrime më të gjata në Zonën Schengen.
Nga një vendim i tillë do të përfitonin direkt edhe qytetarët e Kosovës.
“...sepse, kompanitë detyrohen që çdo tre muaj të punësojnë shoferë të rinj”, tha për Radion Evropa e Lirë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Votat rinumërohen, koha për institucionet shkurtohet
Qosja: Politikanët, aktorë të shkëlqyeshëm
Minus 52 mijë vota: Si shpjegohet rënia e LDK-së?
Faktorët që ndikuan në këtë rënie të mbështetjes për LDK-në nga elektorati janë të shumtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Por, sipas tyre, kryesorët janë “qasja jo e duhur e lidershipit të partisë”, mosveprimi i partisë “sipas pritjeve të elektoratit” dhe “margjinalizimi i strukturave të vjetra”, të cilat tërheqin votuesit tradicionalë të kësaj partie.
Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 28 dhjetor, për LDK-në votuan 119.201 qytetarë, apo 13.57 për qind e pjesëmarrësve në votime.
Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, LDK-ja mori mbështetjen e 171.357 kosovarëve, ose të 18.27 për qind të atyre që votuan atë ditë.
LDK-ja “ia mbylli dyert vetes”Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore pse LDK-ja ka pësuar “rënie të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur 11 muaj më parë.
Ai rikujton qëndrimin që asokohe kishte bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do të hynte në koalicion as me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), e cila kishte fituar 42 për qind të votave në shkurt, dhe as me dy partitë tjera, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për një qeveri eventuale të kampit ish-opozitar asokohe.
LDK-ja refuzoi ofertën e LVV-së për partneritet në qeverisje.
“Është pikërisht qasja jo e duhur e lidershipit të partisë... Unë jam i bindur që kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë te logjika se si votojnë dhe si kanë votuar votuesit e LDK-së, për shkak se për mua është e pakuptimtë që një parti, e cila ekziston për të ardhur në pushtet – sikurse çdo parti tjetër – thjeshtë ia mbyll dyert vetes”, thekson Mushkolaj.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021, LDK-ja kishte marrë vetëm 12.73 për qind të votave. Megjithatë, ajo shënoi përmirësim në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u rritur për 5 pikë përqindjeje.
Analisti Rrahman Paçarizi konsideron se kur votuesit i rikthehen një partie, ata presin edhe veprim të saj.
“Ndërkohë, veprimi i LDK-së nuk ka ndodhur fare, apo nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë pritur ose perceptuar ata votues, të cilët kanë menduar dhe shpresuar që LDK-ja do të jetë pjesë e institucioneve”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se LDK-ja nuk ka arritur që ta ndërtojë rrëfimin e saj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilat u pasuan me zvarritje disamuajshe të konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arriti ta krijonte e vetme qeverinë e re, gjë që dërgoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të fundvitit.
Megjithatë, trendi i rënies së numrit të votuesve të LDK-së, sipas Paçarizit, kishte nisur rreth pesë vjet më parë.
Ardhja e Abdixhikut në krye të partisë në vitin 2021 nënkuptoi edhe një ekip të ri njerëzish më të besueshëm të tij në strukturat drejtuese të partisë.
Përpjekjet për ripërtëritjen e partisë, thotë Paçarizi, nuk prodhuan edhe rezultat të mirë tek ruajtja e elektoratit.
“Mendoj se LDK-ja i ka lënë pas dore strukturat më të vjetra të saj, të cilat tashmë pothuajse janë margjinalizuar dhe janë struktura të fjetura. Votuesit e këtyre strukturave nuk bëhen elektorat i askujt tjetër, por refuzojnë të dalin për ta votuar LDK-në”, thekson Paçarizi.
Në linjë të njëjtë shpreh mendimin edhe Mushkolaj, i cili po ashtu e sheh margjinalizimin e disa prej njerëzve nga strukturat më të vjetra të LDK-së, si shkaktar të rënies së numrit të votuesve të kësaj partie.
“Të mos harrojmë se profili i votuesve të LDK-së janë edhe njerëzit në moshë mesatare dhe të shtyrë, të cilët gjatë viteve të tëra e kanë asociuar LDK-në me këta njerëz. Atëherë, mos pritni që të njëjtit kanë për t’ia dhënë votën LDK-së. Më e pakta që ata mund të bëjnë është që të abstenojnë nga votimi dhe të mos votojnë LDK-në”.
Ku shkuan votuesit e LDK-së?Rënia e numrit të votuesve të LDK-së më 2021, rikthimi i një numri të tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe rënia e sërishme në zgjedhjet 28 dhjetorit, tregojnë se mjaft prej këtyre votuesve i takojnë “zonës së hirtë” të elektoratit.
Paçarizi shpjegon se ky elektorat është i papërcaktuar për ndonjë parti politike. Sipas tij, LDK-ja arriti të përfitojë një përqindje të mirë të këtij elektorati prej vitit 2021 e deri në shkurt 2025, kur u mbajtën zgjedhjet.
Por, siç thotë ai, brenda 11 muajve të fundit, LDK-ja nuk arriti që këtë elektorat ta mobilizonte në drejtim të saj.
“Pati mungesë të përpjekjes për t’i ftuar, për t’i apeluar votuesit që të hidhen në ‘zonën e hirtë’ ndërmjet partive politike. Ata janë votues të emancipuar, të cilët shohin programet e partive politike. Kjo ka qenë fatale për LDK-në, e cila është rikthyer në rezultatin e saj të vitit 2021”, thekson Paçarizi.
Ndërkaq, Mushkolaj vlerëson se një numër i madh i votuesve të papërcaktuar më 9 shkurt votuan për LDK-në. Por, gjatë 11 muajve të fundit, ata ndryshuan mendje.
“Një numër i madh i këtyre njerëzve që kanë votuar për LDK-në më 9 shkurt, janë kthyer te Lëvizja Vetëvendosje. Unë mendoj që kjo ka ndodhur për shkak se te LDK-ja nuk e panë qëndrueshmërinë dhe seriozitetin e një partie për të ardhur në pushtet, qoftë me opozitën, qoftë me partinë fituese”, shprehet ai.
E ardhmja e mundshme e LDK-sëNë mbrëmjen e 28 dhjetorit, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, lideri i LDK-së pranoi mbi vete përgjegjësinë për rezultatin e ulët të partisë së tij në këto zgjedhje.
Ai paralajmëroi se së shpejti LDK-ja do të mbajë Kuvendin e përgjithshëm, për të adresuar hapat e mëtejmë, dhe nuk përjashtoi mundësinë e dorëheqjes së tij.
Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi zyrtarë të LDK-së, por ata nuk ishin të gatshëm të komentonin zhvillimet e mundshme brenda partisë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike i shohin paralajmërimet e Abdixhikut si një hap para dorëheqjes së tij. Ata besojnë se brenda LDK-së ka persona me ambicie për ta marrë drejtimin e timonit të LDK-së, por mbetet ende pikëpyetje se kush mund të jetë lideri i ardhshëm.
Mushkolaj thekson se ndryshimi eventual i kryesisë së LDK-së duhet të nënkuptojë edhe ndryshim të qasjes së deritashme të udhëheqjes së partisë.
“Nëse do të ketë qasje të ngjashme me këtë të Abdixhikut, nuk mendoj se LDK-ja mund të këndellet, dhe të jetë parti e fortë dhe serioze në garë kundrejt [Albin] Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Mushkolaj.
Homogjenizimi i elektoratit të LDK-së, sipas Paçarizit, kërkon një lider, i cili duhet të ketë qasje përbashkuese të strukturave të partisë.
Por, siç vlerëson ai, pavarësisht ambicieve të disa personave për ta marrë drejtimin e LDK-së, këndellja e kësaj partie do të jetë e vështirë.
“Kur dihet që zgjedhjet e radhës me gjasë do të jenë pas katër vjetësh, atëherë vështirë se do të ketë një lider që do ta marrë me vullnet partinë dhe do të arrijë ta mbajë për katër vjet të ndezur elektoratin e LDK-së, në mënyrë që të shënojë ndonjë rezultat”, shprehet Paçarizi.
Rezultatet preliminare e nxorën LDK-në partinë e tretë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo parashihet t’i ketë 15 vende në Kuvend, ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kur i fitoi 20 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka siguruar 56 vende në Kuvend, PDK-ja 21, AAK-ja 6, ndërsa 20 vende të tjera janë të garantuara për komunitetet joshumicë.
Vit i ri, prioritete të reja: Çfarë duhet të ndryshojë më 2026?
Si erdhi LVV-ja deri te fitorja “spektakolare”?