Ndërlidhjet

Martin Luther King: "Kam një ëndërr" mbush 50 vjet


Shtetet e Bashkuara kujtojnë 50 vjetorin e fjalimit legjendar "Unë kam një ëndërr" të aktivistit Martin Luther King.

Fjalimi i vitit 1963, në të cilin predikuesi afrikano-amerikan, Martin Luter King, e artikuloi vizionin e tij të vendit të liruar nga padrejtësia raciale, ishte moment vendimtar në lëvizjen për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara. Fjalimi konsiderohet si thirrja më ndikuese për drejtësi shoqërore në histori.

“E kam një ëndërr që një ditë, ky vend do të ngrihet dhe jetoj kuptimin e vërtetë të kredos së tij - ne i mbajmë këto të vërteta që të jetë të vetëkuptueshme: që të gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë – e kam një ëndërr që një ditë në kodrat e kuqe të Gjeorgjisë, bijtë e ish-skllevërve dhe bijtë e ish-pronarëve të skllevërve, do të jenë të aftë të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë”, pat thënë Martin Luther King, atëherë 34 vjeçar.

Ky fjalim, po ashtu, i ka inspiruar shumë breza të aktivistëve në mbarë botën për të ndërmarrë rezistencë të pa dhunshme, siç ka kërkuar Kingu, që “forca fizike të kundërshtohet me forcën e shpirtit”.

Më vonë është zbuluar se Martin Luther Kingu ishte shmangur tekstit të përgatitur për ta paraqitur vizionin e tij legjendar.

“E kam një ëndërr që katër fëmijët e mij të vegjël, një ditë do të jetojnë në shtet ku ata nuk do të vlerësohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. E kam një ëndërr sot”, pat thënë Martin Luther King.

Fjalimi shumë i njohur i Kingut ishte bërë në mbyllje të “Marshit në Uashington për Punë dhe Liri”, në të cilin patën marrë pjesë 250 mijë vetë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ku ndonjëherë ndodhnin beteja të përgjakshme për të drejtat civile.

Kjo ngjarje më 28 gusht të vitit 1963, e ka mundësuar kalimin e legjislacionit madhor për të drejtat civile dhe votuese, gjatë viteve të ardhshme.

Organizuesit e marshimit të sotëm thonë se qëllimi është që të përkujtohet e kaluara, por edhe të kërkohet progres në padrejtësitë shoqërore aktuale, siç janë pabarazia raciale që vazhdon, reforma imigruese dhe të drejtat homoseksuale.

Në një marsh të mbajtur më datën 24 të këtij muaji në Uashington, para përkujtimit zyrtar të 28 gushtit, po ashtu është theksuar mbështetja për këto dhe për çështje të tjera.

Eleanor Holmes Norton, aktiviste e cila kishte marrë pjesë në marshin e vitit 1963, tash është e dërguar e Uashingtonit DC-së, në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Ja se çka i deklaroi ajo Zërit të Amerikës lidhur me marshimin e atëhershëm.

“Lëvizja mbetet e rëndësishme pasi është zhvilluar për t’i plotësuar nevojat ditore,dhe nevojat ditore të afrikano-amerikanëve janë arritja e paritetit relativ me amerikanët e tjerë. Ne nuk jemi as afër kësaj. Ne jemi më tepër së bashku si rezultat i punës së lëvizjes për të drejtat civile, të doktor Kingut dhe të tjerëve, por shkaqet që lëvizjet për të drejtat civile ende kanë rezonancë të tillë në mesin e popullit amerikanë janë për shkak të distancës që ende ka mbetur, e jo distanca prej nga kemi ardhur”, tha Eleanor Holmes Norton.

Derisa afrikano-amerikanët kanë parë avancime të rëndësishme në arsim dhe forcë politike, papunësia e tyre në Shtetet e Bashkuara është afro sa gjysma e të bardhëve, pra e njëjtë me atë që ishte para 50 vitesh.

Studimet tregojnë se pjesërisht fajtor për këtë dallim është diskriminimi.

Një hulumtim aktual i opinionit nga Pew Research Center, ka gjetur se pothuajse gjysma e të anketuarve besojnë se “shumë më tepër” duhet të bëhet për të arritur shoqëri të lirë nga racizmi.

Më vonë gjatë ditës, pritet të flasë edhe presidenti amerikan, Barack Obama.

Këmbanat në gjithë Amerikën do të bien në orën 21 sipas kohës së Evropës së Mesme, meqë Kingu në fund të fjalimit të tij ka bërë thirrje që “të lejojmë të kumbojë liria”.

Martin Luter Kingu, që ishte edhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe, u vra më 4 prill të vitit 1968 në Memfis të shtetit Tenesi, në moshën 39 vjeçare. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG