Ndërlidhjet

SHBA: DEMOKRATËT KONTROLLOJNË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE


Andrew Tully

Partia opozitare Demokrate ka fituar kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet që u mbajtën për Kongresin amerikan, duke fituar të paktën 227 nga 435 ulëset e përgjithshme.

Por ende nuk është e qartë nëse demokratët do të mund ta marrin kontrollin edhe në Senat nga partia republikane e presidentit George Bush. Rezultatet e deritashme tregojnë se dy partitë kanë nga 49 senatorë në Senatin që ka 100 ulëse.

"Sonte është fitore e madhe për popullin amerikan. Sot amerikanët votuan për ndryshime, dhe votuan që demokratët ta çojnë vendin në drejtim të ri".
Kjo ishte përfaqësuesja Nancy Pelosi, demokrate nga Kalifornia, e cila së shpejti pritet të jetë folëse në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo është hera e parë në historinë amerikane që një grua do jetë në këtë post.

Sipas anketimeve të fundit, nuk ishin premtimet e demokratëve ato që atyre u sollën fitoren, por ishte zemërimi i madh i votuesve me Kongresin dhe administratën e presidentit George Bush. Para zgjedhjeve, rreth 3 të 4 e të anketuarve thanë se vota e tyre do të ndikohet nga skandalet e fundit në Kongres. Nga ana tjetër, 60% e zgjedhësve thanë se me votat e tyre do t'i dërgojnë sinjale Bushit për atë që e konsiderojnë keqmenaxhim të luftës në Irak.

Megjithate dje gjatë votimit, presidenti Bush dha një mesazh shumë të pa-anshëm.
"Pavarësisht bindjeve tuaja partiake apo edhe në mos i paçi fare, bëni detyrën tuaj dhe votoni. Le të dëgjohet zëri juaj", tha presidenti Bush.

Njëra nga betejat më të interesante u zhvillua në shtetin federal të Pensilvanisë, që përfaqësohej nga senatori republikan Rick Santorum. Kritikët thonë se politikat e tij ultrakonservatore ndërhynë në jetën private të amerikanëve. Demokratët i dhanë mbështetje të madhe financiare sfiduesit Bob Casey, i cili në fund fitoi. Santorum vetë e pranoi humbjen në kryeqytetin Filadelfia.

"Iu zotova fituesit për ta mbështetur, në mënyrë që njerëzve të Pensilvanisë t'u shërbejmë në mënyrë të duhur. I urova fitoren me gjithë zemër. Ai bëri një fushatë të shkëlqyer. E di se është njeriu i duhur që do të bëjë punë të mira për Pensilvaninë", tha Santorum.
Patrick Basham, themelues i Institutit Demokratik në Uashington, thotë se vëmendja e publikut tash do të përqëndrohet në rolin e demokratëve në Kongres dhe përplasjet e tyre me republikanët për ligjet që duhet të miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

"Mendoj se nga ajo që ndodh në vend rreth taksave, kujdesit shëndetësor apo shpenzimeve, Bushi përsëri do të jetë në qendër të vëmendjes. Kur demokratët do të dëshirojnë që diçka të kalojë, ndoshta do të mendojnë se Bushi atë nuk do ta votojë", pohon ai.
Patrik Basham thotë se presidenti Bush ende do të vazhdojë ta drejtojë politikën e jashtme, por demokratët do të jenë ata që gjithmonë do të vazhdojnë ta sfidojnë.


XS
SM
MD
LG