Ndërlidhjet

ISUFI:"DO TË PUNOJMË PËR INTEGRIMIN E PAKICAVE..."


Ahmet ISUFI, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi tashmë është shtyrë shpallja e propozimit të zotit Ahtisari për statusin e Kosovës. Si e shihni ju këtë në kuptim të efekteve që mund të ketë për procesin e statusit dhe për efektet e tjera që mund të ketë në Kosovë?

AHMET ISUFI
Realisht statusi është shtyrë tash e shtatë vjet dhe kjo është shumë për Kosovën, për arsye se deri tani është dashur të fillojë funksionimi i shtetit të Kosovës, por agjenda ndërkombëtare e po ashtu neglizhenca jonë ndoshta më shumë ka bërë që edhe me këtë rast të bëhet shtyrja e statusit të Kosovës. Unë mendoj se në Ballkan në përgjithësi ku ka pasur zhvillime dhe kriza, ka edhe probleme që nuk mund të zgjidhen lehtë, por është koha e fundit kur duhet të merren vendime të prera që mundësojnë funksionimin e shteteve të ish-Jugosllavisë, në këtë rast edhe të Kosovës, sepse ka pasur luftë në Kosovë, ka pasur ngjarje të rënda me Serbinë si shtet që e ka okupuar Kosovën dhe tash ka ardhur momenti që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi ju përmendët ndër faktorët edhe neglizhencën e palës kosovare dhe thatë se duhen marrë vendime të prera. A mendoni se faktori kosovar ka mundur të bëjë më shumë në këtë plan dhe cilat janë vendimet e prera që duhen marrë?

AHMET ISUFI
Kur jemi te faktori vendor, ne kemi parasysh aktet që do të ishte dashur të ndërmerren dhe që duhet të ketë edhe më tej angazhim në këtë drejtim. Është fjala për Kushtetutën e Kosovës e cila do të ishte dashur të jetë gati para se të ofrohet dokumenti i zotit Ahtisari, të jenë simbolet, të jetë përcaktimi i Kuvendit të Kosovës për pavarësinë e Kosovës. Këto janë detyrat tona që nuk duhet t’i pranojnë si detyra të shtëpisë nga të tjerët, por janë detyrat imediate që kërkojnë angazhim konkret. Duke qenë se ne i bëjmë punët tona, të tjerët në fakt gjenden të pozitë që vetëm duhet të pranojnë realitetin e krijuar, pasi edhe në të kaluarën është dëshmuar se duke bërë veprime të cilat kanë qenë konform vullnetit politik të popullit të Kosovës, kanë qenë të bazuar në rrethana të caktuara, kanë pasur efektet e tyre pozitive. Prandaj, meqë është bërë shtyrja, për të mos lënë më hapësirë për një zhagitje të procesit, institucionet tona, grupi i unitetit dhe faktori vendimmarrës në Kosovë duhet të jetë shumë më aktiv, në mënyrë që të mos presë vetëm detyra, por të ketë edhe iniciativa të vetat konkrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, po si do të reflektohet kjo shtyrje dhe a do të ketë ndonjë ndikim mbi kualitetin e statusit të Kosovës, sipas jush?

AHMET ISUFI
Ne si AAK, përkatësisht si pjesëmarrës në qeveri dhe institucione kemi kërkuar që viti 2006 të jetë vit i përmbylljes së statusit të Kosovës dhe kjo ka qenë edhe agjenda jonë dhe agjendë ndërkombëtare, por që është dashur të funksionalizohet më shumë veprimi i të dy faktorëve, në mënyrë që këtë vit të vendoset, pasi shtyrja e agjendës për vitin tjetër paraqet një zhvlerësim për institucionet tona, të situatës së krijuar dhe mund të kalojë pastaj me pasoja, të cilat nuk do të ishin pastaj të dobishme, as për Kosovën as për bashkësinë ndërkombëtare e cila ka investuar në këtë proces. Ne kërkojmë që sa më shpejt që këto veprime të bëhen dhe Kosova një herë e përgjithmonë ta marrë vendimin e vet përfundimtar për funksionimin si shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë partia juaj udhëheq qeverinë e Kosovës, a do të kenë farë efekti vizitat e fundit që janë bërë qoftë nga kryeministri Çeku, qoftë nga zyrtarët e tjerë, në vendet evropiane dhe në vendet e tjera?

AHMET ISUFI
Besojmë që lobimi është i dobishëm gjithnjë, pasi kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare dhe me faktorët të cilët marrin vendime të rëndësishme, jo vetëm për Kosovës, janë të një niveli i cili e favorizon Kosovën. Të dyja elementet që duhet të jenë në funksion në Kosovë janë - veprimi në Kosovë brenda me aktet të cilat i duhen Kosovës momentalisht dhe veprimi i jashtëm duke e bërë edhe në agjendën ndërkombëtare sa më të favorizuar çështjen e Kosovës. Me veprimin e brendshëm do t’u japim mundësinë edhe miqve të na ndihmojnë edhe në të njëjtën kohë, vullnetin tonë, iniciativat tona i afrojmë më shumë te ndërkombëtarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Isufi, cili është qëndrimi i AAK për pozitën e pakicave në Kosovën me status të zgjidhur?

AHMET ISUFI
Absolutisht, institucionet tona dhe në përgjithësi elementet funksionale në Kosovë duhet t’u ofrojnë pakicave gjithë atë që është domosdoshmëri, sepse gjithkund duhet të ketë demokraci të brendshme dhe e drejta e funksionimit duhet të jetë për të gjithë njësoj. Në këtë drejtim, mendoj se nuk duhet pritur iniciativat e ndërkombëtarëve, por vetë vendorët duhet të jenë më të angazhuar që pakicat të ndjehen më të sigurt në Kosovë dhe unë besoj shumë se me një aktivitet më të drejtpërdrejtë ne mund ta bëjmë edhe integrimin në mënyrë normale, sepse, sa punojmë ne që t’i ofrojmë pakicat, aq punon edhe Serbia dhe të tjerët që nuk ia duan të mirën Kosovës, që t’i dezintegrojnë ata dhe të mos e lënë Kosovën të funksionojë si duhet. Por, është në dorën e qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës që të bëjë të gjitha veprimet konform standardeve.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG