Ndërlidhjet

MITROVICË: HAPET ZYRA PËR KTHIMIN E ROMËVE, ASHKALIJVE DHE EGJIPTASVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata ndërkombëtare dhe autoritetet lokale në Mitrovicë janë duke realizuar një prej projekteve më të mëdha të kthimit kolektiv të personave të zhvendosur. Bëhet fjalë për banorë romë, ashkali dhe egjiptas, të cilët planifikohet të kthehen në pjesën jugore të Mitrovicës, në Mëhallën Rome. Për shtatë vite këta banorë janë strehuar nëpër kampe në veri të qytetit, ku kushtet e jetesës janë vlerësuar se janë minimale, e në disa raste të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e tyre.sidomos të fëmijëve dhe grave shtatzëna.

Shefi i zyrës së UNDP-së në Kosovë Fred Mouring, tha sot se në pjesën jugore është hapur një zyrë e përbashkët e Kombeve të Bashkuara dhe autoriteteve lokale, e cila do të koordinojë aktivitetet e kthimit të personave të zhvendosur në jug të qytetit.

"Jam i sigurt se hapja e kësaj zyre të agjencioneve të Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qytetarët, do të mundësojë kthimin e të gjithë romëve të cilët kanë jetuar këtu më parë", ka thënë Mouring.

Ndërkaq kryeshefi i ekzekutivit të Mitrovicës Sadri Ferrati, thotë se planifikohet ndërtimi i gjashtë blloqeve të banesave si dhe i shtëpive për ata që kanë patur pronë. Kthimi parashihet të ndodhë nëpër faza të caktuara, thotë Ferrati.

"Nga 93 aplikues sa kanë qenë në këtë fazë do të vendosen 24, pastaj do të kalohet si fazë e dytë në 48 dhe me shpresën se si fazë e tretë do të vendosen të gjithë ata që janë të interesuar. Flitet për vendosjen e tyre nëpër apartamente. Ndërsa ata banorë që kanë pronat e tyre, atyre do t'u ndërtohet shtëpia. Pra deri tash janë përfunduar dy blloqe, ndërsa së shpejti presim që do të rritet edhe numri i shtëpive", tha Ferrati.

Në pjesën jugore të Mitrovicës, deri në vitin 1999 thuhet se kanë jetuar rreth 8 mijë romë dhe pjesëtarë të tjerë të komuniteteve pakicë. Mitrovica karakterizohet edhe për zhvendosjen e popullatës shqiptare nga veriu në jug të qytetit dhe për zhvendosjen e serbëve nga jugu në veri. Kjo çështje sot megjithatë nuk është trajtuar në kuadër të këtij projekti për kthimin e të zhvendosurve.
XS
SM
MD
LG