Ndërlidhjet

VJENË


Një raport i BE-së tha se myslimanët në mbarë Evropën po përballen me një "islamofobi" në rritje, që shtrihet prej sulmeve të dhunshme e deri te diskriminimi në punë.
Studimi i Qendrës Evropiane për Monitorimin e Racizmit dhe Ksenofobisë, citon qindra raste të dhunës dhe kërcënimeve ndaj myslimanëve në Bashkimin Evropian prej vitit 2004.
Drejtoresha e qendrës, Beate Winkler i tha Radios Evropa e Lirë se myslimanët nuk janë të përfaqësuar proporcionalisht.
"Shumë myslimanë në Bashkimin Evropianë janë të diskriminuar. Arsimimi i tyre është nën mesataren, dhe jetojnë në kushte të mjerueshme. Shkalla e papunësisë është më e lartë se mesatarja, ndërsa myslimanët zakonisht punojnë aty ku kërkohen kualifikime më të ulta", tha Winkler.
Raporti thotë se autoritetet duhet t'i forcojnë politikat e integrimit, dhe të bëjnë më shumë për të zhvilluar kuadrin ligjor për institucionet kulturore dhe fetare të myslimanëve. Ndërkaq, nga rreth 13 deri 15 milionë myslimanët kërkohet të marrin më shumë përgjegjësi gjatë integrimit, dhe të angazhohen më tepër për t'iu kundërvënë perceptimeve negative të shkaktuara nga terrorizmi dhe çështjet tjera.
XS
SM
MD
LG