Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE PRESIN PROPOZIMIN PËR STATUSIN MË 2007, POR JO ZGJIDHJEN


Zijadin Gashi

Me statusin e ardhshëm të Kosovës nuk do të jenë të kënaqur as shqiptarët dhe as serbët, thonë përfaqësuesit politik të komunitetit serb në Kosovë. Ata thonë se viti 2007 nuk do të sjell zgjidhjen e statusit, por do të sjell propozimin për definimin e statusit nga ana e Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit. Shefi i Grupit Politik të serbëve të Kosovës, Ranxhel Nojkiq thotë se definimi i statusit do të sjell deri te bartja e pushtetit te autoritetet vendore në Kosovë, por sipas tij, do të mbeten të hapura çështja e kufijve të Kosovës dhe ulëses në Kombet e Bashkuara: “Sigurisht se shqiptarët do ta quajnë këtë pavarësi të kushtëzuar. Kurse serbët do të thonë, ja nuk ka asgjë prej pavarësisë”, thotë Nojkiq. Sipas tij, do të ketë një shkallë të caktuar të pavarësisë në administratë, gjyqësi dhe fushën e legjislacionit, mirëpo njëkohësisht do të definohen të drejtat e serbëve dhe lidhje e drejtpërdrejta të serbëve të Kosovës me Beogradin. Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar Serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviq thotë se pavarësisht që serbët e Kosovës do të angazhohen që Kosova të mos jetë e pavarur, në fund serbët nuk do të jenë të kënaqur me statusin që do t’i ofrohet Kosovës. “Çfarëdo që të jetë zgjidhja fakti është se si pala serbe ashtu dhe ajo shqiptare në masë të madhe do të jenë të pakënaqura. Pala shqiptare se ka pritur shumë, kurse edhe pala serbe nuk do t’i fitoj të gjithat që i ka dëshiruar. Mendoj se për ne pavarësisht zgjidhjes, Kosova do të mbetet përgjithmonë pjesë e Serbisë”, thotë Joviq. Edhe partitë e reja serbe, presin që pavarësisht statusit, të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me pakicën serbe. Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë Liberale serbe thotë se garancat për serbët mund të sigurohen përmes vetëqeverisjes lokale. “Pres që Marti Ahtisari pas zgjedhjeve në Serbi të dalë me propozimin për zgjidhjen e statusit dhe decentralizimin që mund të jetë i përshtatshëm për serbët”, thotë Petroviq. Serbët thonë po ashtu se edhe pas statusit, presin një prani ndërkombëtare dhe një rol të fuqishëm ndërkombëtar në Kosovë. Po ashtu, përfaqësuesit e subjektit më të madh të këtij komuniteti, ata të Listës Serbe, thonë se gjatë vitit 2007, mund të vijë deri te vendimi që serbët t’i japin fund bojkotit të institucioneve të Kosovës. Por, njëkohësisht ata thonë se për një vendim të tillë, për komunitetin serb do të jetë i domosdoshëm dhe miratimi nga Beogradi. Gjithashtu, te disa nga përfaqësuesit e serbëve vlerësohet se interesat e këtij komuniteti mund të mbrohen më së miri nëse ata do të përfaqësohen në institucione si një bllok unik dhe jo si parti të veçanta politike.
XS
SM
MD
LG