Ndërlidhjet

B. ZENELI: PRESIONI I BEOGRADIT MBI SERBËT E KOSOVËS, ENDE I MADH


Bernard Zeneli, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut Petersen, ditët e fundit e ka ritheksuar rëndësinë e pakicave për proceset e ardhshme, duke emëruar edhe një këshilltar për pakicat. Si e shihni ju një qasje të tillë?

BERNARD ZENELI
Unë do të thosha se kjo është në vazhdimësi të procesit të përmbushjes së standardeve. Ato që janë quajtur mbistandarde apo standarde kryesore, duket se kanë marrë një rëndësi të veçantë për hapjen e procesit, apo përshpejtimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe në këtë aspekt kërkohet edhe një njeri që të jetë më përgjegjës, sa i takon çështjes së pakicave. Unë e vlerësoj si një hap të qëlluar, në aspektin që nuk kemi të bëjmë vetëm çështjen e popullatës serbe, por janë edhe pakicat e tjera, të cilat kanë probleme të ndryshme nga serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
A do ta ndihmojë ky emërim çështjen e përmirësimit të pozitës së pakicave?

BERNARD ZENELI
Të paktën në qasjen institucionale po. Dhe ky, ma merr mendja, është hapi i parë dhe hapat e tjerë pastaj vijnë me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës kanë shprehur rezerva për përfshirjen e tyre në institucione. Si do të ndikojë kjo në proceset që e presin Kosovën?

BERNARD ZENELI
Unë e kam thënë edhe më parë, që gjithmonë varet nga çështja e ofertës. Duket se oferta që po bëhet nga UNMIK-u dhe nga institucionet kosovare, është gjithnjë e më tërheqëse, por në anën tjetër, duhet pasur parasysh se presioni që po ushtron Beogradi mbi këtë popullsi, ose mbi udhëheqësit e kësaj popullsie, është ende i madh, prandaj kemi të bëjmë me këto lloj rezervash. Nuk ma merr mendja që pjesëmarrja ose jo e tyre në këto procese, do të ndikojë në masë të madhe në substancën, ose në cilësinë e proceseve, në të cilat ka hyrë Kosova, por sigurisht që ndikon në pikëpamjen metaforike, ose në pikëpamjen e të qënit politikisht korrekt - përderisa është pjesë e popullatës së Kosovës, ajo duhet përfshirë dhe prandaj është vënë ky theks kaq i madh në përfshirjen e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Krerët e institucioneve u kanë bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në grupet për standardet, në grupin për decentralizimin dhe në institucione. Çfarë tjetër u mbetet të bëjnë këtyre institucioneve, për të futur serbët në institucione?

BERNARD ZENELI
Kuptohet që kjo ofertë duhet të pasohet nga politika të qarta qeveritare dhe nga masa që duhen ndërmarrë për vënien në zbatim të këtyre politikave, por theksoj dhe është e rëndësishme, që qoftë bërja e këtyre politikave, qoftë vënia e tyre në zbatim, do të mbeten të pasuksesshme, në qoftë se nuk përfshihet në të pjesa, për të cilën këto politika bëhen, pra popullsia serbe në këtë rast. Kështu që, detyra kryesore e kësaj qeverie duhet të vazhdojë të jetë, që të vazhdojë luftën e saj për të bindur këtë pjesë të popullsisë së Kosovës, që oferta e tyre është më e vlefshmja dhe më afatgjata dhe që këta njerëz ta shohin të ardhmen e tyre të lidhur me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i UNMIK-ut të hënën e ardhshme takohet në Beograd me autoritetet e atjeshme. A mund të pritet ndonjë lëvizje drejt integrimit të serbëve në proceset e këtushme?

BERNARD ZENELI
Kam përshtypjen që në takimin e radhës mund të arrihet një marrëveshje për sa u takon ministrave dhe posteve ministrore në qeveri. Nëse Peterseni kthehet me një lloj aprovimi për emrat e këtyre ministrave dhe bërjen e këtyre ministrive funksionale, unë do të thosha që është ky një hap drejt një normalizimi të mëtejshëm të marrëdhënieve UNMIK-Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu kthyer standardeve zoti Zeneli, sa është premtues ritmi i tanishëm i punës së qeverisë për përmbushjen e standardeve?

BERNARD ZENELI
Nuk mund të them që në praktikë kemi parë ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm. Ajo që do të theksoj është se ka një rritje të frymës dhe rritjes së publicitetit, qoftë në media, qoftë në përgjithësi në diskursin e përditshëm, për sa u takon standardeve. Por, ende nuk kemi parë diçka të zbatueshme, përjashto këtu standardin numër tetë për sa i takon TMK-së, e cila kanë bërë një përpjekje më të dukshme në këtë rast, për përfshirjen e njerëzve të etnive të tjera në trupat e saj. Në vendet e tjera është ende e padukshme dhe nuk është shumë e qartë se çfarë po bëhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sipas analizave tuaja të deritanishme, a kanë arritur qeveria dhe institucionet të ndërtojnë së paku infrastrukturën e domosdoshme për të përmbushur këto standarde?

BERNARD ZENELI
Unë besoj se po. Ka një strukturë, ndryshe nga qeveria e tjetër, ka një lloj përafrimi, ka një mirëkuptim sa u takon këtyre standardeve. Nuk shikohen më aq të huaja sa janë parë më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar garanci nga bashkësia ndërkombëtare për mosndarjen e Kosovës dhe Petersen ka premtuar se ndarja e Kosovës nuk do të jetë opsion. Si e vlerësoni ju një deklaratë të tillë në këtë kohë?

BERNARD ZENELI
Unë do të thosha se është në vazhdën e deklaratave në përputhje me rezolutën 1244, nuk ka ndonjë vlerë të veçantë si deklaratë e tillë, vetëm se vazhdon të japë atë idenë, që vazhdimisht po theksohet nga faktori ndërkombëtar, se për statusin ndërkombëtar të Kosovës si njësi e plotë, do të vendosë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Pra, është në vazhdën e saj dhe nuk ka ndonjë risi për mendimin tim.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, çfarë pritni nga mesi i 2005 zoti Zeneli?

BERNARD ZENELI
Unë shpresoj që të fillojë ai procesi i shumëpremtuar i hapjes së negociatave, për të vlerësuar se çfarë arritjesh janë bërë për standardet. Dhe, ndoshta mesi i vitit 2005, do të sjellë një grup të ri detyrash për qeverinë kosovare, të ngjashme me ato pakteve që janë nënshkruar me vende të tjera të Stabilizim-Asociimit, ose të sistemeve që mund të jenë si “Eurocards”, e të këtij lloji, që të bëjnë gjithnjë e më të mundur përafrimin e strukturave ligjore, politike dhe ekonomike të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian. Ia vlen të theksohet se për hyrjen në këto lloj bisedash, për vlerësimet që do të bëhen, Kosova ka një prirje pozitive, sepse po të shikohet sistemi ligjor, i cili po vendoset në Kosovë, po të shikohet sistemi financiar, i cili tashmë është bërë funksional në Kosovë, është shumë më i përparuar sesa i të gjitha vendeve në rajon, përfshirë këtu Maqedoninë, Shqipërinë, apo Serbinë.


Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG