Ndërlidhjet

AUSHVICI, 60 VJET PAS ÇLIRIMIT


Jeffrey DONOVAN

Para 60 vjetësh, në 27 janar, 1945, Ushtria e Kuqe Sovjetike i çliroi të burgosurit e mbetur në Aushvic-Birkenau.
Kampi nazist i vdekjes, ku u vranë rreth 1.5 milionë njerëz gjatë Luftës së dytë Botërore, ishte nyja kulmore e planit të Adolf Hitlerit të quajtur "Zgjidhja Përfundimtare", për çrrënjosjen e popullatës hebreje nga Evropa. Aushvici tani është muze i krimeve më të rënda në historinë moderne të njerëzimit.
Ndoshta kjo është koha më e mirë për ta vizituar Aushvicin. Erërat e ftohta depërtojnë nëpër rroba. Bora bie gjithandej pa ndonjë rregull, ndërsa zhurma e mbytur kërcet nën këmbët.
Dimri i rëndë sikur i afron edhe më shumë imazhet për tmerret që kanë ndodhur aty. Megjithatë, vizitori i këtij ish kampi nazist, me baraka të zbrazëta, dhoma të gazit dhe fotografi bardh e zi të të ashtuquajturve "kufoma të gjalla", prapëseprapë e ka vështirë t'i imagjinojë tmerret.
Rreth 1.5 milionë njerëz besohet të kenë vdekur në kampet Aushvic-Birkenau, emrat gjermanë për vendbanimet polake Oswiecim dhe Brzezinka.
Shumica e viktimave ishin hebrej. Rreth 70% e tyre nuk ishin të aftë për punë dhe u mbytën nëpër dhomat e gazit sapo zbritën nga trenat, në të cilët ishin ngarkuar si bagëti nëpër Evropë.
Mijëra viktima të tjera gjithashtu ishin polakë, romë, homoseksualë, të burgosur politikë dhe njerëz të tjerë "të padëshiruar" nga Evropa dhe ish Bashkimi Sovjetik.
Vizitorët hyjnë në Aushvic nëpërmjet portës kryesore, mbi të cilën qëndron mbishkrimi nazist "Puna sjell liri". Përmes portës, në një procesion të vdekjes, mijëra të burgosur marshonin për të punuar nëpër fabrika, miniera dhe fusha. Shumica nuk u kthyen të gjallë. Ndërkaq, orkestra e kampit aty pranë kuzhinës, i grumbullonte të burgosurit me marshe.
Përveç hendeqeve të thella, rrethojave me tela dhe kullave vrojtuese, kampi tani kryesisht ka vetëm baraka të mbushura me ekspozita. Aty përfshihen fotografitë, dokumentat, sendet personale dhe artizanatet e të burgosurve. Gjithë kjo paraqet një film për imagjinatën, por as që mund të krahasohet me mbetjet e krematoriumit dhe dhomat e gazit në Birkenau.
Ky kamp u hap pas Aushvicit, për ta përshpejtuar vrasjen e hebrejve, si pjesë e planit të Hitlerit "Zgjidhja përfundimtare". Furrënaltat dhe dhomat e gazit në Birkenau, që u bënë makina shfarosëse e nazistëve, ishin vetëm pjesë e rrjetit të kampeve të vdekjes në Evropën Lindore.
Gjatë tërheqjes, nazistët u përpoqën t'i fshehin krimet para se kampi të çlirohej, duke e hedhur në erë krematoriumin dhe dhomat e gazit. Por edhe në rrënojat, ende mund të shihen dhomat nën tokë, ku viktimave u thuhej të zhvisheshin për të bërë një dush. Duket edhe dhoma prej nga lëshohej gazi hidrogjen-cianid, i njohur si Ciklon B.
Henrik Mandelbaum është një nga 730 të mbijetuarit, anëtarë të Lederkommando, një grup i të burgosurve hebrej që kishte për detyrë çdo ditë t'i digjte të vrarët. Pjesëtarët e tjerë të grupit u vranë para çlirimit të kampit, që të mos dëshmojnë për mizoritë.
Mandelbaum, me origjinë nga Polonia, mbërriti në kamp më 22 prill 1944 kur ishte 19 vjeç. Aty ia vranë babanë, nënën, motrën dhe vëllanë.
"I vinim kufomat në tezgë dhe pastaj i futnim në furrë. Njëri kishte një sfurk të gjatë, me të cilin i shtynte. Kjo bëhej që këmbët të mos mbeteshin jashtë, sepse nuk mund të mbyllej furra", thotë Mendelbaum.
Disa nga pjesëtarët e grupit Lederkommando dëshmuan në gjykimet kundër udhëheqësve nazistë, përfshirë Rudolf Hess, komandantit të kampit, i cili më vonë u dënua me vdekje dhe atje u var.
XS
SM
MD
LG