Ndërlidhjet

KOSOVA NDERON VIKTIMAT E HOLOKAUSTIT


Dita përkujtimore për Holokaustin rrit ndërgjegjen dhe mirëkuptimin tek njerëzit për pasojat e Holokaustit në jetërat e tyre, si dhe motivon përpjekjet tona, që me çdo mjet të pengojmë përsëritjen e akteve të tilla mizore kundër njerëzimit. Është kjo pjesë e një deklarate të disa shoqatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë, që përkon me ditën e çlirimit të kampit të vdekjes, Aushvic.
Një nga nënshkruesit e deklaratës është drejtuesi i Rrjetit të Aksionit për Kosovën, Albin Kurti.
“Ne e kemi patur obligim njerëzor, por edhe kombëtar, që ta shënojmë këtë ditë dhe t’i përkujtojmë të gjitha ato viktima, sepse nëse ne duam që dikush tjetër t’i përkujtojë viktimat tona nga e kaluara, në të njëjtën kohë do të duhej që edhe ne të shfaqnim solidaritetin tonë me të tjerët”, thotë Albin Kurti, i cili beson se opinioni kosovar është mjaft i sensibilizuar me vuajtjet e viktimave të Holokaustit.
“Është i sensibilizuar, pasi besoj në mënyrë inherente ka egzistuar lidhja mes popujve dhe njerëzve, që kanë vuajtur për shkak të përkatësisë dhe identitetit të tyre.”
Basri Qapriqi nga Pen Qendra e Kosovës, e quan Holokaustin tragjedinë më të madhe të shekullit 20.
“Është një gjenocid ndaj hejbrejve; ndoshta është gjenocidi më i madh që mban mend njerëzimi”, tha Basri Capriqi.
Qytetarja Nazmije Nimani shpjegon atë që ajo di për Holokaustin:
“Mbi 6 milionë hebrej janë egzekutuar, janë djegur nga ish-nazistët gjermanë.”
Çfarë është Holokausti për Hysni Kryeziun nga Malisheva:
“Masakrat ndaj hebrejve që i kanë bërë gjermanët”.
Po për studentin Kreshnik Balaj:
“Holokausti ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi Hitleri nuk i ka pëlqyer hebrejtë, e ka pëlqyer racën ariane dhe ka bërë gjenocid mbi hebrejtë”.
Albin Kurti, thotë se populli shqiptar është ndër të rrallët, që gjatë gjithë periudhës së historisë nuk ka pasur kurrë ndjenja antisemitizmi:
“Dihet botërisht, që Shqipëria është një vend që numri i hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore është rritur. Kjo vjen nga fakti, se historikisht rruga territoriale e shqiptarëve, është pasuar nga shumë dhunë ndaj tyre, vuajtje e humbje, prandaj kjo bashkëndjenjë, solidaritet, dhe ky kuptim i Hokolokaustit, dhe i rëndësisë së tij për të tashmen dhe të ardhmen tonë, shpjegohet në këtë mënyrë”.
Me këtë gjë pajtohet edhe Basri Capriqi:
“Kanë mbajtur qëndrim shumë korrekt, qëndrim të mirë. Atë hebrejtë e kanë theksuar edhe kur janë larguar prej këtej, sepse nuk janë larguar për shkak të shqiptarëve, por për arsye të tjera. Shqiptarët i kanë mbrojtur sa herë që kanë qenë në gjendje t’i mbrojnë, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”.
Qëndrimin human të shiptarëve ndaj hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore e pohon edhe qytetari Hysni Kryeziu.
Ligjvënësit kosovarë, ndërkohë kanë nderuar sot me një minutë heshtjeje viktimat e tsunamit në Azinë Juglindore dhe në 60 vjetorin e mbylljes së kampit Aushvic, nderuan viktimat e Holokaustit.

XS
SM
MD
LG