Ndërlidhjet

BAGDAD


Në Irak pas 10 orëve përfundoi koha zyrtare e caktuar për votimet e sotme, ndërsa Komisioni i Pavarur i Zgjedhjeve tha se dalja e votuesve në zgjedhjet e kombëtare ishte 72%.
Në konferencën për shtyp në Bagdad, zyrtarët e Komisionit pohuan se dalja në shumicën e zonave shiite ishte rreth 90%.
Ata thanë se deri më tash nuk kanë të dhëna për numrin e zgjedhësve në zonat sunite, ku pjesëmarrja në votime pritet të jetë më e vogël për shkak të kërcënimeve ndaj votuesve, dhe shkaku i thirrjeve për bojkotim të zgjedhjeve që e bënë disa udhëheqës të bashkësive.
Të drejtën për të votuar e kanë rreth 14 milionë irakienë.
Adel al-Lami, zëdhënës i Komisionit të Zgjedhjeve, sugjeroi se të dhënat nuk janë të plota.
"Kjo është përqindja e bazuar në raportet që sot i pranoi Komisioni i Pavarur i Zgjedhjeve", tha Al-Lami, duke shtuar se në mbarë vendin ishin hapur rreth 90% e qendrave të votimit.
Më parë, përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara në Irak, e shprehu kënaqësinë nga rrjedha e zgjedhjeve, përkundër rrebeshit të sulmeve të kryengritësve, në të cilat mbetën 22 të vrarë.
Carlos Valenzuela, tha se dalja e votuesve, të paktën në "disa pjesë" të vendit, i ka tejkaluar pritjet.
Ashraf Qazi, i dërguari personal i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, tha se zgjedhjet duket të jenë "të lira dhe të drejta", dhe e tregojnë përcaktimin e popullit irakien për ta ushtruar të drejtën e votës.
XS
SM
MD
LG