Ndërlidhjet

A (SA) ËSHTË I PRANISHËM KORRUPSIONI NË KOSOVË?


AlbanaIsufi, Prishtinë

Doganat dhe sistemi shëndetësor në Kosovë, të pasuara nga shërbimet e tjera publike, janë vendet ku më së shumti është i shprehur korrupsioni. Është ky opinioni i qytetarëve të Kosovës, që kohë më parë është publikuar nga organizata joqeveritare Transparency International, por edhe nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.
Drejtori i doganave Paul Acda, nuk beson në opinionet e tilla. Megjithatë ai nuk e mohon praninë e korrupsionit në dogana:
“Raporti është i gabueshëm. Por, unë mund të them se shumë kompani publike në botë janë të korruptuara, madje edhe në Britaninë e Madhe. Por, ne kemi të vendosur një sistem kompjuterik, që mbron doganat nga korrupsioni dhe kemi edhe sisteme të tjera të sigurimit që detektojnë rastet. Për çdo rast korrupsioni që mund të ndodhë, ekziston njësiti i veçantë hetues”, thotë Acda.
Ka qenë njësiti i specializuar nga Italia për të luftuar korrupsionin Guardia di Financa, që ka hetuar raste të korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës, siç ishte hetimi ndaj ish zyrtarëve të lartë të Post Telekomit të Kosovës. Kjo në fakt ishte iniciativë e shefit të mëparshëm të UNMIK-ut Mihajl Shtajner, që nisi një fushatë kundër krimit të organizuar.
Por, edhe më tej as UNMIK-u, e as organizatat joqeveritare, nuk kanë publikuar të dhëna të argumentuara për nivelin e korrupsionit në Kosovë.
Ndërkohë, në mesin e qytetarëve ka mendime të ndryshme për atë që sot konsiderohet si plagë e shoqërive të civilizuara.
Taksisti Fadil Jakupi, edhe pse thotë se personalisht nuk është përballur me ndonjë rast kur i është dashur të japë mito, mendon se në Kosovë korrupsioni është i pranishëm”
“Mendoj se korrupsion ka në të gjitha institucionet e Kosovës.
Qytetari tjetër Hamdi Tasholli, thotë se të flitet për korrupsion duhet të ketë edhe fakte:
“Nuk mund të flasim apriori pa pasur argumente, unë nuk jam i njoftuar dhe nuk di nëse ka”.
Agim Berisha mendon se korrupsioni është i pranishëm në institucionet kosovare, por në një masë shumë të vogël:
“Mund të ketë gjithshka, nëse flitet, diçka mund të ndodhë, por në një masë të vogël, mund të ketë më shumë në dogana dhe në spital, gjithsesi”.
Drejtori i Doganave Paul Acda, thotë se kur në tërë botën korrupsioni tashmë ka lëshuar rrënjë, Kosova nuk ka pse të jetë ndryshe:
“Kosova nuk është unike, ka njerëz të korruptuar në shërbimet publike, siç ka në të gjitha shërbimet publike në botë, të korruptuar janë edhe oficerët e FBI-së, të korruptuar mund të jenë edhe doganat e Britanisë, kështu nuk e di pse do të duhej të dallohej nga to Kosova”, thotë Paul Acda.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Kryeministrisë, Habit Hajredini thotë se përmes një grupi punues, zyra po mundohet që të pengojë zhvillimin e korrupsionit në institucione.
“Po punon në parandalimin dhe ngritjen e vetëdijësimit të qytetarëve dhe tek institucionet në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë," thotë Habit Hajredini, i cili shton se përmes perceptimit të qytetarëve, po identifikohet niveli i korrupsionit në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, edhe me tej një qytetar i Kosovës nuk ka ndonjë adresë, në të cilën do të raportonte rastet e korrupsionit. Sërish Habit Hajredini:
“Është një mungesë e mekanizmave të tillë, në nivel të institucioneve nuk ka ndonjë zyrë që merret me këtë. Në ligjin kundër korrupsionit është paraparë që të ketë një agjenci, ku qytetarët, njerëzit, që do punojë në insitucione, mund t’i drejtohen kësaj agjencie”.
Por, agjencia e tillë nuk mund të krijohet pa fuqizimin ligjit kundër korrupsionit.
Rasti i parë i zbulimit të korrupsionit në institucionet e Kosovës, ishte ai i zyrtarit të lartë të KEK-ut Jo Trushler, i cili për përvetësimin e 4 milionë e gjysëm euro është dënuar me 4 vjet burg.

XS
SM
MD
LG