Ndërlidhjet

VETËM PAVARËSIA E PLOTË MUND TA SHPËTOJË KOSOVËN


Pat Cox, Irish Times

Pavendosmëria e bashkësisë ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës po pengon zhvillimin e Kosovës, çfarë mund të çojë në shpërthimin e sërishëm të shqiptarëve të frustruar nga mungesa e prespektivës. Për Kosovën nuk ka cak tjetër për të shkuar veçse pavarësisë. Rikthimi në një shtet me Serbinë është i papranueshëm për shqiptarët dhe detyrimi për një zgjidhje të tillë të problemit do të çojë në luftë.
Çdo projekt për protektorate të reja ndërkombëtare do të shihej nga shqiptarët e Kosovës thjesht si një mënyrë për të fituar kohë nga bashkësia ndërkombëtare, por në kurriz të Kosovës dhe kosovarëve. Njëherësh nuk ka organizma të afta që të mund të ndërmerrnin projektin e një protektorati të ri. Kombet e Bashkuara e kanë humbur kapitalin politik në Kosovë pas 5 vitesh të një administrimi të papërshtatshëm, derisa Bashkimi Evropian nuk duket i gatshëm të marrë një mision të tillë.
Pa një siguri për statusin përfundimtar Kosova do të jetë një vrimë e errët në hartën e investimeve ndërkombëtare. Ndërkaq Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë tërhequr vëmendjen se ekonomia aktuale në Kosovë është shumë e brishtë, derisa nivelet e eksportit janë tepër të ulëta krahasuar me importin, papunësia llogaritet mes 30 deri në 60% dhe shtyrja e privatizimit ka çuar në dështime. Në këto kushte caku llogjik i veprimeve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë është pavarësia. Kosova nën administrimin ndërkombëtar ka institucionet qeveritare, sistemin e ligjeve, euron si monedhë dhe një numër marrëveshjesh të tregtisë së lirë si dhe sistem të pavarur të doganave. Kryeadminsitratori aktual, danezi Soren Jessen Petersen, e ka cuar më tej procesin e kalimit të përgjegjësive tek vendorët.
Por një bashkësi ndërkombëtare e ndarë dhe e papërqëndruar është pjesë e problemit të Kosovës. Me një shpresë plotësisht të vagullt, vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit presin që Kosova dhe Serbia e Mali i Zi të merren vesh për një zgjidhje. Këto vende i druhen krijimit të precedentit dhe ndikimit që mund të ketë zgjidhja e çështjes së Kosovës në pjesë të tjera të botës si në Ceceni, Kurdistanin e Irakut, Tibet dhe Abkazi.
Por Kosova dallon nga të gjitha këto territore pasi vetë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit kërkon zgjidhjen e statusit përfundimtar dhe i referohet marrëveshjes së Rambujsë, e cila megjithatë parashihte hapa që çonin drejt mbajtjes së një referendumi.
Kosova duhet të bëhet pjesë e bashkësisë së shteteve të botës përmes një proçesi të hartuar me kujdes nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e zgjedhura të Kosovës. Ato së bashku duhet të hartojnë kushtetutën e re, me garanci të forta për të drejtat e pakicës serbe dhe të tjerëve, përfshirjen e gjykatësve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, vendosjen e një misioni mbikqyrës ndërkombtar dhe vazhdimësinë e pranisë së NATO-s.
Pranimi i kësaj kushtetute përmes referendumit do të çojë drejt pavarësisë. Në rastin më të mirë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit do të merreshin vesh për afatet kohore të këtij proçesi në mënyrë që ai të ishte funksional. Një konferencë ndërkombëtare këtë vjeshtë do të mund të finalizojë atë që do të quhet "Marrëveshja për Kosovën".
Nëse Serbia do të përfshihet në këtë proçes do të mund të ndikojë në hartimin e kushtetutës lidhur me mbrojtjen e të drejtave të serbëve. Por nevoja urgjente për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk mund të mbahet peng nga Serbia, Rusia apo Kina.
Një koalicion mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kyçe të Bashkimit Evropian do duhet ta çojë proçesin përpara, duke e njohur dhe mbështetur Kosovën si një shtet të ri.


XS
SM
MD
LG