Ndërlidhjet

ENGEL:"EVITIMI I DHUNËS SHPIE KOSOVËN DREJT REFERENDUMIT DHE PAVARËSISË"


Eliot ENGEL, anëtar i Kongresit të SHBA-ve


RADIO EVROPA E LIRË
Si e gjykoni aktakuzën e ngritur nga Gjykata e Hagës ndaj kryeministrit Haradinaj dhe si e vlerësoni dorëzimin e tij vullnetar?

ELIOT ENGEL
Mendoj se është shumë i mirë fakti që ai është dorëzuar dhe është me rëndësi që ai ka pranuar faktin se ligji është mbi të gjithë, ndonëse ka qenë një moment tepër i vështirë për të personalisht që të japë dorëheqjen dhe të dorëzohet. Por, padyshim është hap i duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë ekziston droja, veçanërisht pas aktakuzave të fundit, se lufta e tyre kundër regjimit të Millosheviqit mund të shihet tashmë ndryshe, madje edhe mund të satanizohet. A ka vend për një drojë të tillë?

ELIOT ENGEL
Mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të shohim drejt së ardhmes dhe jo ta mbajmë kokën pas nga e shkuara. Njëherësh më lejoni t'ju kujtojë se para së gjithash zoti Haradinaj nuk është dënuar apo shpallur fajtor, por ndaj tij është ngritur vetëm një aktakuzë dhe vetëm procesi gjyqësor do të mund ta shpall atë përgjegjës për akuzat e ngritura apo të pafajshëm. Nëse shpallet fajtor duhet pritur se cili do jetë dënimi, por në rast të kundërt, nëse del i pafajshëm atëherë ai do të lirohet. Mendoj se aktualisht askush nuk duhet të arrijë në përfundime të nxituara. Zoti Haradinaj është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta dhe ai ka të drejtë për një gjyq të ndershëm. Ndaj le t'i marrim gjërat me rradhë e qetësi.
Një tjetër çështje e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës është të përqëndrohemi në shpejtimin e afateve drejt vetvendosjes. Këto zhvillime të fundit nuk duhet të përdoren si justifikim për shtyrje të mëtejshme të referendumit për vetvendosje dhe pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të mbetesha në Gjykatën e Hagës. Një nga qëllimet e krijimit të saj ka qenë dhe arritja e pajtimit ndëretnik. Sa ia ka arritur këtij qëllimi kjo Gjykatë?

ELIOT ENGEL
Kemi ende rrugë të gjatë për të bërë. Besoj se duhet të kemi një lloj pajtimi ndëretnik, ndonëse e kam përsëritur gjithmonë se çmimi që është paguar ka qenë tepër i lartë. Gjatë kohës së Millosheviqit shqiptarët në Kosovë janë trajtuar në mënyrë të tmerrshme dhe për pasojë ka ekzistuar një ndjenjë hakmarrje. Hakmarrja nuk ndihmon për asgjë, ndonëse ajo për një kohë të shkurtër mund të ndihmojë dikë për t'u ndier më mirë, nuk e di përse, por përmes saj nuk arrihet asgjë. Në fakt hakmarrja është thjesht kthim pas. Mendoj se njerëzit në Kosovë duhet të përqëndrohen në qëllimin më të rëndësishëm dhe ky është referendumi për vetvendosje, rezultati i të cilit nuk kam dyshim se do jetë pavarësia. Njerëzit duhet të vazhdojnë të mbeten të përqëndruar në qëllimin kryesor. Një nga rrugët që mund të arrihet ky qëllim është edhe përmes pajtimit dhe dëshmimit se të drejtat e pakicave respektohen dhe të dëshmohet se shqiptarët njohin të drejtat e pakicës serbe, ndonëse serbët për një kohë shumë të gjatë nuk u lejuan një gjë të tillë shqiptarëve.
Ne duhet të shohim drejt së ardhmes që të kemi një proces pajtimi në një shkallë sa më të gjerë që është e mundur. Na nevojitet një udhëheqje politike e përgjegjëshme, që flet për të drejtat e njeriut përfshi dhe ato të pakicave, që të krijojnë një mjedis ku të jenë të aftë që të gjithë të shprehin mendimet e tyre në mënyrë demokratike përmes votës. Në këtë mënyrë Kosova të jetë pjesë e vendeve demokratike që po shtohen në të gjithë botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Por a mendoni se aktiviteti i Gjykatës së Hagës ka lehtësuar proçesin e pajtimit në Kosovë dhe më gjerë në rajon?

ELIOT ENGEL
Sërish më duhet të them se mbetet ende rrugë e gjatë për t'u bërë. Nuk besoj se ata e kanë përmbushur këtë detyrë plotësisht. Natyrisht tregohet me gisht në shumë drejtime e fajësohen grupe e individë të ndryshëm, por unë sërish zgjedh të përqëndrohem në të ardhmen dhe jo në të shkuarën. Mendoj se njerëzit e Kosovës duhet të drejtojnë punët e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Përfaqësuesit e Kosovës duhet të drejtojnë vetë gjithë ministritë e tyre, të drejtojnë procesin vendimmarrës e me rradhë. Ky është procesi drejt të cilit duhet të ecet. Problemi është se gjithmonë është theksuar se standardet nuk janë përmbushur dhe kjo është e pamundur derisa UNMIK-u nuk i jep popullit të Kosovës të drejtën të qeverisë vetveten. Unë personalisht do t'u thosha të gjitha organizatave dhe grupeve se nuk është bërë gjithçka duhet, dhe ne duhet të përqëndrohemi në proçesin e pajtimit, të vetvendosjes dhe në ato elementë shtesë që e çojnë Kosovën drejt shekullit të 21-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët do të kemi evaluimin e standardeve të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën në mes të majit dhe ndoshta në verë do kemi hapjen e bisedimeve për statusin. A mendoni se zhvillimet e ditëve të fundit do ta vonojnë këtë proçes dhe bisedimet për statusin mund të shtyhen?

ELIOT ENGEL
Ajo çfarë shpresoj është se nuk do kemi vonesë në diskutimin e statusit përfundimtar të Kosovës, pasi kjo do ishte e turpshme dhe e gabuar. Sipas mendimit tim bisedimet për statusin janë shtyrë së tepërmi ndaj ne duhet të ecim përpara. Ajo që gjithashtu shpresoj është se nuk do të ketë asnjë incident dhune si pasojë e aktakuzave të fundit. Mendoj se dhuna mund ta kthejë proçesin pas dhe nëse nuk ka dhunë nuk do ketë kthim pas të proçesit. Dhe kjo do t'a çojë Kosovën një hap përpara drejt referendumit apo pavarësisë.
Shpresoj se nuk do të ketë kthim pas dhe nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Pikërisht për këto arsye mendoj se zoti Haradinaj ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme duke dhënë dorëheqjen dhe duke u dorëzuar e për më tepër duke bërë thirrje për qetësi. E di se ai ka kërkuar nga njerëzit të ruajnë gjakftohtësinë dhe ne duhet të sigurojmë se të gjithë kërkojnë një gjë të tillë: shqiptarët duhet të bëjnë thirrje për qetësi, serbët gjithashtu, të gjitha grupet pa përjashtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendet se duhet të përqëndrohemi në të ardhmen. Por cili do të ishte mesazhi juaj për elitën politike në Kosovë në këto momente kur duket se ka një vendnumërim pas dorëheqjes së kryeministrit dhe një tjetër ministri?

ELIOT ENGEL
Unë do të thosha se është një proçes politik në Kosovë që duhet të ecë përpara. Duhet të kemi një zëvendësim të shpejtë të postit të kryeminsitrit. Mendoj se pas çdo gjëje të keqe pason diçka e mirë dhe shpresoj se të gjitha partitë do mblidhen së bashku dhe do kenë një kandidat konsensual që do të dalë prej tyre. Ky kandidat duhet të punojë ngushtë me Dr.Rugovën dhe të bëjë gjithçka është e mundur për të mundësuar se çështja e referendumit dhe e vetvendosjes do ecë përpara. Dhe do të shpresoja që të gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës të bëjnë thirrje për qetësi dhe t'i presin rrugën dhunës, pasi dhuna do jetë gjëja më e keqe. Duhet të çojmë proçesin përpara ashtu si bëri zoti Hardinaj dhe besoj se të nëjtën gjë duhet të bëjë çdokush në Kosovë. Ndërkohë qytetarët e Kosovës duhet të vazhdojnë jetën në mënyrë që të sigurojnë se vetvendosja do të vijë sa më parë e të mos kemi vonesa.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG