Ndërlidhjet

GOLDBERG: KOSOVA NË FAZËN KRITIKE TË DISKUTIMEVE PËR STANDARDET NË RRUGËN DREJT STATUSIT PËRFUNDIMTAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i ka ofruar qeverisë së Kosovës ndihmën e saj për të vazhduar përparimin në përmbushjen e standardeve dhe për të shkuar drejt statusit përfundimtar. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, tha se është me shumë rëndësi që Kosova ta vazhdojë përparimin e arritur deri tani, meqenëse tashmë i gjithë procesi ka hyrë në një fazë të rëndësishme:
"Unë i ofrova kryeministrit ndihmën tonë si gjithmonë nga zyra amerikane dhe nga qeveria amerikane për këto përpjekje, për ta vazhduar përparimin e bërë dhe për të ecur përpara," tha shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg.
Ai tha se përderisa po ecet në drejtim të këtij momenti kritik në diskutimet për standardet dhe në lëvizjen drejt statusit, është absolutisht vendimtare që përparimi të vazhdojë në shumë fusha, në të cilat është e përfshirë qeveria e Kosovës, para së gjithash në përmbushjen e standardeve si decentralizimi dhe forcimi i institucioneve demokratike:
"Për ta vazhduar këtë përparim, ndërsa hyjmë në këtë fazë kritike, është me shumë rëndësi që kjo do të konkretizohet në takimin e drejtorëve politikë të Grupit të Kontaktit, që do ta takohen javën e ardhshme në Prishtinë," tha Philip Goldberg, duke shprehur gadishmërinë që zyra amerikane ta ndihmojë gjithë procesin, ndërkohë që sipas tij, në takimin e 12 prillit që Grupi Kontakt Plus do ta mbajë në Prishtinë do të bëhet edhe një vlerësim i përgjithshëm i procesit të jetësimit të standardeve.
Zyrtarët përgjegjës për standardet kanë thënë se vlerësimi i përgjithshëm teknik i standardeve nga UNMIK-u do të bëhet gjatë këtij muaji, ndërkohë që vlerësimi politik i standardeve, siç është bërë e ditur do të bëhet më 26 maj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se një vlerësim pozitiv politik nuk është i rëndësishëm vetëm sa për të përmbushur kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare:
"Unë e them edhe një herë se vlerësimi pozitiv politik për standardet është në fakt vlerësim jo për disa rreshta, për disa detyra, por është vlerësim për shkallën e demokracisë në Kosovë."
Sidoqoftë, kryeministri Bajram Kosumi tha se përmbushja e plotë e standardeve dhe vlerësimi pozitiv i tyre në Këshillin e Sigurimit, është një faktor i rëndësishëm për atë se çfarë do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës:
"Unë dëshiroj që edhe një herë të bart mesazhin se sa më shumë standarde të vlerësojmë, sa më mirë që ta rregullojmë jetën e qytetarëve tanë në Kosovë, shkalla e demokracisë është më e lartë dhe është më mirë për të gjithë ne dhe statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë më i mirë për të gjithë ne".
Në anën tjetër, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, tha se e kishte takuar sot kryeministrin Kosumi për t’ia uruar detyrën e re dhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës së qeverisë amerikane për të lehtësuar çuarjen përpara të proceseve.

XS
SM
MD
LG