Ndërlidhjet

PME MBLEDH INSTITUCIONET DHE PARTITË POLITIKE NË DISKUTIMIN E ÇËSHTJEVE KYÇE


Albana Isufi, Prishtinë

Arritjet në përmbushjen e standardeve, raportet pozitë –opozitë dhe ndikimi i tyre në zhvillimet politike në vend, reforma e pushtetit lokal dhe mundësia e integrimit më të madh të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, kanë qenë pikat kryesore që janë debatuar në tryezën e organizuar në Prishtinë nga Projekti për Marrëdhënie Etnike.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka vlerësuar se në 6 vitet e fundit Kosova ka përmbushur shumë standarde, por sipas tij ka munguar vlerësimi i tyre.
“Jam optimist se jemi duke i përmbushur normat apo standardet prioritare, të cilat janë elemente të rëndësishme për integrime evropiane dhe euro-atlantike, siç është stabiliteti i vendit, mbrojtja dhe garantimi i minoriteteve, reformimi i pushtetit lokal. Në këto tre pika, mund të themi se kemi pasur progres. Institucionet kanë punuar në integrimin e pakicave dhe edhe këtu kemi pasur progres dhe vazhdojmë punën.”
Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Hashim Thaçi, ka kërkuar një transparencë më të madhe të qeverisë së Kosovës në zbatimin e standardeve. Ai ka thënë se zbatimi i tyre nuk është punë e brendshme e qeverisë, por për to duhet të jetë e njoftuar e tërë shoqëria, si dhe duhet një angazhim i të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, mendoj se ky proces duhet të jetë transparent, duhet të vlerësohet drejt, duhet të vlerësohet në kohë të duhur. Është fat që në bazë të agjendës ndërkombëtare do të vlerësohen pozitivisht, mirëpo në të njëjtën kohë duhen shprehur edhe shqetësime rreth mosangazhimeve transparente të qeverisë së re të Kosovës.”
Zëvendëskryeadministratori i Kosovës Larry Rosin, ka theksuar rëndësinë e integrimit më të shpejtë të komunitetit serb në institucione dhe në proceset e tjera aktuale në Kosovë.
“Ne jemi të inkurajuar me lëvizjet që po bëhen në këtë rrafsh dhe shefi i UNMIK-ut në Beograd së fundi ka pasur bisedime shumë të mira me udhëheqjen serbe. Por ne ende duam të shohim se pjesëmarrja aktive në disa institucione dhe në procese është materializuar dhe të nënvizojmë sikur bëjmë gjithmonë, se dyert janë të hapura, tavolina është shtruar dhe ftesa është dërguar dhe është aktive”, tha Larry Rosin.
Veton Surroi, nga partia politike opozitare Ora, ka theksuar se njësia matëse për të kuptuar marrëdhëniet ndëretnike, është në të vërtetë se si shumica i trajton çështjet sikur janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, ose siguria.
“Unë mendoj se ne kemi një zhvillim të madh pozitiv në nëntë muajt e fundit. Ajo është se kemi një kryeadministrator vërtet dinamik dhe se ne kjo ka ndikuar në një dinamizëm edhe në sitemin politik gjithashtu, por edhe partitë politike të cilat janë sjellë në të njëjtën mënyrë.”
Ndërkaq, bartësi i Listës Serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq, ka vlerësuar se dialogu i brendshëm, që sipas tij duhet të zhvillhet në faza, është fillimi i përgjithshëm për zhvillimet në Kosovë.
“Do thosha se tani kemi hyrë në atë fazë të bisedimeve të brendshme, më të hapura, më konstruktive, edhe pse për çështje të mëdha sikur ajo e së ardhmes së Kosovës ne nuk pajtohemi, por që është normale. Mospajtimi vjen prej dallimeve të principeve, se çështje të një rëndësie të tillë, nuk duhet të fillojnë në kohën kur ata të cilët duhet ti zgjidhin, nuk janë të gatshëm të arrijnë një kompromis. Këtë e mendoj edhe sot, se palët të cilat duhet të flasin për të statusin e ardhshëm [të Kosovës], nuk janë të gatshme të arrijnë një kompromis, por jemi të ngulitur në pozitat tona fillestare dhe nuk e besoj se do lëvizim nga ato pozita, as në gjashtë muajt apo vitin e ardhshëm,” tha Oliver Ivanoviq.
Në tryezën e sotme, presidentja e Projektit për Marrëdhenie Etnike Livia Plaks, ka cilësuar se dialogu ndëretnik dhe pajtimi tani është më i mundshëm, pasi ka gadishmëri si nga shumica shqiptare ashtu edhe nga komuniteti serb që të bashkëpunojnë mes vete.
“Pajtimi mes palëve mund të jetë i afërt, unë konsideroj se kjo shihej edhe nga palët që ishin të ulura në tryezë. Ne u kërkuam atyre që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në forma të tjera. Nuk mund të jap datë të caktuar por ne shpresojmë se të gjithë janë të vetëdijshëm se koha po kalon”, tha Livia Plaks.
Projekti për Marrëdhënie Etnike është një institut i pavarur amerikan që ka zyrat në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Projekti ka organizuar diskutime për Kosovën që nga viti 1993. Takimi i fundit i tij ishte në nëntor të vitit të kaluar, i cili u mbajt në Bukuresht.


XS
SM
MD
LG