Ndërlidhjet

VRITET ENVER HARADINAJ, VËLLAI I ISH-KRYEMINISTRIT HARADINAJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Krerët e institucioneve të Kosovës dhe të pranisë ndërkombëtare në Kosovë e kanë dënuar vrasjen e sotme të Enver Haradinajt, vëlla i ish-kryeministrit Haradinaj, por njëkohësisht kanë kërkuar nga qytetarët që ta ruajnë qetësinë. Enver Haradinaj është vrarë sot pasdite rreth orës 15, nga persona ende të panjohur për policinë. Komisari i policisë së UNMIK-ut Kai Vitrup, tha se sulmi kishte ndodhur pak para orës 15 në fshatin Raushiq në rrugën kryesore ndërmjet Pejës dhe Deçanit, kundër një veture në të cilën ndodhej Enver Haradinaj dhe një person tjetër, i cili është marrë në pyetje nga policia:
"Enver Haradinaj u transportua në spitalin e Pejës nga TMK-ja në gjendje tepër të rëndë, ku edhe vdiq rreth orës 15," tha komisari i policisë Kai Vitrup. Ai ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha masat që autorët të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë:
"Ne e kemi dërguar kolonelin Ahmeti në Deçan për të udhëhequr SHPK-në atje dhe për t’u siguruar që situata të jetë nën kontroll," tha komisari Vitrup.
Ndërkaq, presidenti Rugova ka shprehur tronditjen e thellë për këtë vrasje dhe ka ftuar qytetarët që të ruajnë qetësinë, tha zëdhënësi i presidencës Muhamet Hamiti, duke lexuar deklaratën e presidentit Rugova:
"Ata që e bënë këtë akt mizor kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe janë kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së vendit tonë, vlera për të cilat luftuan Enver Haradinaj dhe familja e tij. E dënojmë ashpër këtë akt mizor dhe kërkojmë nga organet e ndjekjes, që aktorët e këtij krimi të kapen dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Familjes Haradinaj i shprehim ngushëllimet tona dhe të popullit të Kosovës. Kërkojmë nga qytetarët e rrethinës së Deçanit dhe të Pejës që të ruajnë qetësinë, sepse kjo është në të mirë të Kosovës."
Zëdhënësi Muhamet Hamiti bëri të ditur se presidenti Rugova e ka shpallur ditë zie ditën e varrimit të Enver Haradinaj, që ende nuk është bërë e ditur. Ndaj kësaj vrasjeje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili vetë ka shkuar në Glloxhan për të qenë afër familjes Haradinaj me rastin e kësaj humbjeje.
Kryeministri dhe qeveria e Kosovës kanë kërkuar nga UNMIK-u dhe policia, që të ndërmerren masa energjike për kapjen e kryesve të kësaj vepre kriminale dhe sjelljes para organeve të drejtësisë, thuhet në një deklaratë të qeverisë, pasi kryeministri Kosumi është takuar me zëvendësshefin e UNMIK-ut Rossin për këtë rast.
Ndërkaq në një konferencë për shtyp mbajtur sot pasdite, zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, komandanti i KFOR-it gjenerali Yves De Kermabon dhe komisari i policisë Kai Vitrup, thanë se ky ishte një lajm tronditës dhe u zotuan se do të vënë në shërbim të gjitha kapacitetet, për zbulimin e kryesve të sulmit dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë. Duke e ngushëlluar familjen Haradinaj, zoti Rossin tha:
"Personalisht dua ta siguroj familjen Haradinaj dhe popullin e Kosovës, se UNMIK-u ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet hetuese për të identifikuar kryesit e këtij krimi," tha zoti Rossin, për të shtura se me kryeministrin Kosumi dhe me komisarin Vitrup, janë pajtuar të bëhen të gjitha përpjekjet që të gjenden dhe të arrestohen ata që vranë Enver Haradinajn, ndërsa kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës të demonstrojnë maturi dhe respekt për rendin dhe ligjin, ashtu si edhe gjatë sfidave të vështira të muajit të kaluar:
"Një sjellje e tillë më shumë se gjithçka tjetër mund të ndihmojë për zbardhjen e këtij krimi dhe për t’u siguruar se Kosova po qëndron në rrugën e duhur drejt të ardhmes më të mirë, që e duam të gjithë," tha zëvendësshefii UNMIK-ut Larry Rossin.
Edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Yves De Kermabon, pasi i ka shprehur ngushëllime familjes Haradinaj, ka thënë se dhuna është e papranueshme:
"Si komandant i KFOR-it dhe si njeri ndihem shume i pikëlluar. Dhuna nuk mund ta udhëheqë Kosovën, ndërsa rasti i sotëm është një shenjë e papranueshme e kësaj dhune," tha komandanti i KFOR-it, gjenerali Yves De Kermabon, për të shtuar se KFOR-i e dënon fuqishëm këtë sulm, mirëpo është në përkrahje të plotë të policisë së UNMIK-ut dhe policisë së Kosovës.
"KFOR-i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme dhe është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha masat adekuate për sigurinë," tha gjenerali Yves De Kermabon.
Ndërkaq, në një deklaratë të shefit të zyrës britanike, Mark Dickinson, thuhet se lajmin e kam dëgjuar me tronditje dhe tmerr dhe ky është një sulm qyqar dhe papranueshëm. "Unë shpresoj që kushdo që të jetë përgjegjës shumë shpejt do të dënohet," ka thënë Dickinson, për të vazhduar se pavarësisht nga motivet që qëndrojnë pas këtij sulmi vrastar, përgjegjësit është dashur ta dinë se kjo do të shkaktojë tensione, pasi dihen ndikimet mbi familjen Haradinaj. Shefi i zyrës britanike ka ftuar qytetarët të jenë të qetë dhe të mos lejojnë që provokimet t’i çorientojnë nga rruga që çon kah ndërtimi i shoqërisë që mund të marrë vendin e saj në Evropë.
Ndaj vrasjes së Enver Haradinajt ka reaguar edhe Shtabi i Përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, si dhe shumë parti politike të Kosovës.


XS
SM
MD
LG