Ndërlidhjet

PROJEKT KUSHTETUTA E KOSOVËS THELLON HUMNERËN ME SERBINË


Financial Times

Udhëheqësit në Kosovë janë duke shqyrtuar mundësinë e ndarjes unilaterale nga Serbia, nëse Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa dështojnë në arritjen e një zgjidhjeje diplomatike mbi statusin përfundimtar gjatë këtij viti. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, i ka deklaruar kësaj gazete, se ai është angazhuar në hartimin e një kushtetute, nëpërmjet së cilës Kosova do të njihej si një shtet i pavarur në Ballkan. “Ne jemi duke e hartuar kushtetutën tonë, ashtu siç kemi të drejtë dhe me kohë do ta paraqesim në Kuvend, i cili ose do ta votojë atë ose do të shpallë referendumin mbi të”, ka thënë zoti Rugova, duke e përshkruar dokumentin si “kushtetutë për një shtet demokratik, i hartuar mbi traditat historike të Kosovë, mbi parimin e pavarësisë dhe kushtetutat e tjera evropiane”. Duke i publikuar këto plane zoti Rugova mund të thellojë hendekun politik në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Presidenti i Kosovës thotë se shpërbërja e Jugosllavisë dy vjet më parë hap rrugën për pavarësinë e Kosovës, por përpjekjet e zotit Rugova për të miratuar kushtetutën mund të nxisin kokëdhembje për Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Refuzimi i udhëheqësve në Beograd dhe në Prishtinë për të arritur deri tek një kompromis gjithashtu shtron vështirësi. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara pranojnë faktin se mospajtimet në këtë kuadër kanë mbetur aty ku kanë qenë dhe nuk janë duke u shëruar. Pas trazirave të muajit mars, Kofi Annan, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për një qasje të re, e cila do të mundësojë daljen nga gjendja aktuale që mbretëron në Kosovë. Por, derisa Rusia dhe Kina kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, Këshilli i Sigurimit nuk mund të pajtohet mbi një qasje të suksesshme që do ta mundësonte daljen nga gjendja aktuale. Zoti Rugova është i mendimit se kundërshtimi i Moskës dhe Pekinit mund të zbutet. “Nëse Shtetet e bashkuara dhe Bashkimi Evropian e njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë edhe Këshilli i Sigurimit mund ta bëjë një gjë të këtillë, ndërkaq Rusia dhe Kina mbase do të abstenonin”, i ka thënë zoti Rugova gazetës. Bajram Kosumi, kryeministër, i ka deklaruar gjithashtu kësaj gazete, se ai përkrah lëvizjet politike të zotit Rugova. “Nuk e di nëse me kushtetutën do të merremi këtë vit ose vitin e ardhshëm, por e di se në qershor të vitit 2006 Kosova nuk do të jetë ajo që është sot”, ka thënë zoti Kosumi. Që të dy pohojnë se janë kundër çfarëdo plani që do të kushtëzonte arritjen e pavarësisë. “Periudha e tranzicionit, nëse vazhdon edhe më gjatë, do të jetë një rrezik për trancizionin në mbarë rajonin”, ka thënë zoti Kosumi për gazetën, duke akuzuar në fund edhe Vojisllav Koshtunicën, kryeministrin e Serbisë dhe udhëheqësit e tjerë serbë se janë, siç ka thënë ai, duke gënjyer për të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG