Ndërlidhjet

FESTIVALI I FILMIT NË KANË MBYLLET ME DREMITJEVE DHE ANKESAVE


Jeffrey Donovan

Mbase lajmi më i bujshëm në festivalin e sivjetëm të filmit në Kanë ishte premiera botërore e epizodit të fundit të serialit filmik "Lufta e yjeve" i njohur me titullin origjinal "Star Wars", me regji të George Lucas. Ky serial është padyshim prodhimi më i suksesshëm në historinë e filmit.
I transmetuar jashtë konkurimit në Kanë, "Lufta e yjeve", episodi i tretë me titullin "Hakmarrja e Sithit", brenda një fundjave nëpër kinematë botërore, arriti të grumbullojë rreth 159 milionë dollarë. Pjesëmarrja e regjizorit Lucas dhe e stafit të tij në festivalin e filmit në Kanë, ishte një ngjarje e rëndësishme këtë vit, për faktin se ky vit ka qenë i qetë për festivalin më të famshëm të filmit në Evropë. Vëllezërit Dardenne ishin ata që morën çmimin Palma e Artë për filmin më të mirë.
Për dallim nga ky vit, vitin e kaluar, vëmendja e gjithë botës ishte në festivalin e filmit në Kanë. Ishte viti i zgjedhjeve ne Shtetet e Bashkuara dhe çmimi kryesor i festivalit iu dha regjisorit amerikan Michel Moore me dokumentarin "Fahrenheit 9/11", që kritikonte administratën e presidentit amerikan George Bush dhe luftën në Irak. Këtë vit nuk ka pasur kaq shumë ngjarje të mëdha, madje nuk ka pasur as shumë yje, gjë që ka zhgënjyer kështu fluksin e paparacëve dhe të fotografëve, të cilët çdo maj udhëtojnë drejt Francës. Gjëja e vetme e ngjashme me festivalin e vitit të kaluar, ishte prania e çështjeve politike dhe lufta në Irak. Vëllezërit Luc dhe Jean-Pierre Dardenne ia dedikuan çmimin gazetares franceze dhe shoferit të saj, të rrëmbyer në janar të këtij viti në Irak.
"Unë dhe vëllai im duam t'ia dedikojmë çmimin Florence Aubenas dhe shoferit të saj, Hussein Hanun Al-Saadi, të cilët po mbahen peng në Irak", tha Luc Dardenne. Në festival mori pjesë edhe regjisori Hiner Saleem, nga kurdët e Irakut, me filmin "Kilometri Zero", i cili, megjithë faktin se nuk fitoi asnjë çmim, ringjalli kujtimet për luftën në Irak. Zoti Saleem deklaroi se filmi i tij, ngjarjet e të cilit zhvillohen në kohën e Saddam Husseinit, nuk ka karakter politik. Ky regjizor jeton në Evropë dhe Saddamin e përshkruan si një "përbindësh". Një gjë e tillë shihet dhe në një skenë të filmit, gjatë një dialogu në mes të një shoferi arab të veturës në shkretëtirë dhe udhëtarit kurd. Vozitësi arab i shpjegon udhëtarit kurd se shërbimin ushtarak e ka përfunduar në Kurdistan, kurse udhëtari e pyet se sa njerëz ka vrarë gjatë këtij shërbimi.
Filmi fitues i Palmës së Artë, "Fëmija", (The Child), nuk ka deklarata të hapura politike. Në qendër të ngjarjeve është një çifti i ri, por i varfër, që jeton në një qytet të pamëshirshëm industrial. Për të fituar para ata shesin fëmijën e porsalindur, por shpejt pendohen dhe fillojnë ta kërkojnë përsëri. Vendi i dytë ndërkaq i ka takuar filmit The Broken Flower, ose " Lulja e Këputur" nga regjizori amerikan Jim Jarmusch. Filmi bën fjalë për një burrë 50-vjeçar, i cili zbulon se ka një djalë dhe niset në kërkim të nënës së tij. Protagonistë janë Bill Murray, Sharon Stone dhe Jessica Lange. Pas marrjes së çmimit zoti Jarmusch tha se për të fitorja nuk është më e rëndësishmja.
"Fitorja....Unë jam i lumtur vetëm që jam këtu. Fitorja e vërtetë është shfaqja e filmit tim këtu. Këtu ka filma kaq të bukur", tha zoti Jarmusch.
Nga festivali duarplotë ka dalë edhe aktori i Hollivudit Tommy Lee Jones, i cili fitoi çmimin për skenarin dhe aktorin më të mirë në filmin "Tre varrimet e Melquiades Estrada" (The three burials of Melquiades Estrada).
XS
SM
MD
LG