Ndërlidhjet

I DËRGUARI I ANANIT DHE KS NUK DUHET TË ANASHKALOJNË QEVERINË DHE UNMIK-UN NË VLERËSIMIN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës pret që i deleguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili pritet të dërgohet në Kosovë për të bërë një vlerësim të përmbushjes së prioriteteve në kuadër të standardeve, të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe administratën e UNMIK-ut. Ndonëse ky përfaqësues ende nuk është caktuar, si dhe nuk dihet për metodologjinë e punës së tij, koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet Avni Arifi, thotë se për të marrë një pasqyrë sa më reale për ecurinë dhe përmbushjen e standardeve, Këshilli i Sigurimit dhe vetë zoti Kofi Anan duhet të mos i anashkalojnë qeverinë e Kosovës dhe UNMIK-un:
“Nëse i deleguari është i interesuar të ketë një pasqyrë reale të situatës në terren, nuk mund ta marrë me mend se si do të mund ta zbatonte një analizë, pa biseduar me palët që janë përgjegjëse dhe relevante”, tha Arifi.
Duke u ndërlidhur me standardet më prioritare siç janë liria e lëvizjes dhe kthimi, Arifi mendon se është bërë përparim i dukshëm, kështu që sipas tij, në Kosovë po krijohen kushte për kthim. Arifi tha gjithashtu se kthimi nuk mbështetet në numra e kthime masive, por në kthim vullnetar, duke u krijuar paraprakisht të gjithëve mundësinë që të kthehen në vendbanimet dhe shtëpitë e tyre:
“Janë të kthyer 12.500 veta që nga pas lufta, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm me faktin se me këta numra ka tendenca të mëdha të manipulimit dhe me fjalë të tjera, më shumë se 100 mijë qytetarë të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera, nuk janë zhvendosur fare nga Kosova, prandaj spekullimet e ndryshme për 300 mijë të zhvendosur nga Kosova janë vetëm një propagandë politike”, pohoi koordinatori Arifi.
Në të njëjtën çështje, Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, i cili kryeson punën e grupit për kthim dhe liri të lëvizjes, si edhe atë të decentralizimit, mendon se kontaktet e fundit të Kosovës me Malin e Zi, Maqedoninë, por edhe Serbinë, dëshmuan përkushtimin e Prishtinës që t’i kthejë të zhvendosurit:
“Pjesa e përgjegjësive tona ka të bëjë me ambjentin politik, me ambjent të qëndrueshëm të sigurisë, me mundësinë që duhet t’u krijohet qytetarëve për lirinë e qarkullimit, kurse pjesa tjetër e kthimit është proces shumë i gjatë, është proces i ngadalshëm dhe proces, i cili do kohë”, theksoi Haziri.
Ministri Haziri tha se nuk dihet saktë numri i të zhvendosurve, e as i atyre që duan të kthehen, por sipas tij ka një ide që të bëhet regjistrimi i tyre, për t’i sqaruar jo vetëm dilemat, por edhe manipulimet e shumta që bëhen me numra:
“Për të qenë i sigurt se sa do të jetë i saktë ky numër, është dhe një zhvillim pozitiv që pritet të ndodhë, regjistrimi i popullatës civile, për të ditur dhe konstatuar se janë banorë në Kosovë, cilët janë qytetarët e saj, sa janë dhe ku jetojnë ata. Kështu që është pjesë e këtij procesi, të cilin ne mendojmë ta zgjidhim e ta gjejmë mënyrën në kuadër të dialogimit të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit. A do të jetë ai regjistrim i ri i refugjatëve dhe të zhvendosurve, apo një mënyrë tjetër e zgjidhjes së këtij problemi, do të jetë çështje që grupet punuese teknike do ta gjejnë zgjidhjen”, tha Haziri.
Ndërsa grupet e përbashkëta punuese për zbatimin e standardeve të UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës i kanë vazhduar edhe sot takimet e tyre, mbledhja e nesërme e Këshillit të Sigurimit dhe vendimet e më pastajme të zotit Kofi Anan, që do të merren në bazë të përceptimeve të një të deleguari të tij për standardet në Kosovë, pritet që të qartësojnë mënyrën e punës në të ardhmen kur janë në pyetje standardet. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës beson se puna do të vazhdojë me dinamikë të njëjtë, por me një për qëndrim të posaçëm në standardet me prioritet.



XS
SM
MD
LG