Ndërlidhjet

QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH KOHËZGJATJES SË NEGOCIATAVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës konsiderojnë se statusi politik i Kosovës do të mund të zgjidhet përmes një procesi negociues, dhe kjo sipas tyre është çështje kohe, ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë se për zgjidhjen e statusit do të duhen vite të tëra.
Zëdhënësi i presidentit të Kosovës Muhamet Hamiti, thotë se zgjidhja optimale është pavarësia e Kosovës, duke shtuar se mbetet të shihet nëse kjo do të bëhet me njohje formale apo me një proces negociator.
“Kosova nuk është territor i diskutueshëm, por vend aktualisht me status pezull, prandaj çështja e zgjidhjes së statusit nuk mund të bëhet me bisedime të drejtpërdrejta politike mes Beogradit dhe Prishtinës. Nuk mund të jenë këto dy kryeqytete njësoj larg apo afër çështjes së Kosovës. Ne duam ta vëmë në jetë vullnetin për një jetë të mëvetësishme, ky vullnet është jetik për ne, ndërsa vullneti i Beogradit karshi Kosovës është çështje pretendimesh për sundim e territor”.
Kabineti i kryeministrit Kosumi është optimist se zgjidhja e statusit politik do të përfundojë deri në mesin e viti 2006. Këshilltari politik i kryeministrit Raif Gashi thotë:
“Ne jemi para vlerësimit politik të standardeve, i cili mendojmë se do të përfundojë në qershor ose në fillim të korrikut. Ne besojmë se pas vlerësimit politik, që besojmë se do të jetë fillimi i shtatorit dhe tetorit, do të hapen negociatat për statusin e Kosovës. Mendojmë se do të fillojnë nga tetori dhe do të përfundojnë ka qershori i 2006-ës.”
Në anën tjetër përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë se negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të zgjasin shumë.
“Unë pres që këto të zgjasin gjatë dhe se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës nuk pritet aq shpejt. Për këtë më së miri flasin rastet e Irlandës dhe Qipros. Këto janë raste specifike dhe marrëveshjet dhe negociatat do të zgjasin shumë”, thotë Rangjel Nojkiq, njëri nga liderët e Listës Serbë për Kosovën e Metohinë.
Por, zëdhënësi i presidencës Muhamet Hamiti, thotë se zgjidhja e statusit do të zgjidhet shumë më shpejt.
“E e di që po piqet vetëdija edhe në rrafshin ndërkombëtar se kjo punë nuk mund të zgjasë shumë dhe çështja e statusit duhet të zgjidhet shpejt e mund të jetë një proces negociator, ku mund të flitet vetëm për modalitetet e pavarësisë”, tha Hamiti.
Ndërkohë, këshilltari politik i kryeministrit Raif Gashi, mendon se procesi për zgjidhjen e çështjes së statusit ka filluar që prej një kohe të gjatë dhe kjo zgjidhje sipas tij do të vijë më natyrshëm sesa mendohet. Ai përjashton mundësinë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për statusin e Kosovës, siç përjashton edhe mundësinë e mbajtjes së negociatave dypalëshe mes Prishtinës e Beogradit.
“Mendojmë se nuk do të jenë negociata dypalëshe as shumëpalëshe, por do të jenë bisedime mes Këshillit të Sigurimit, aktorëve kryesore në Këshillin e Sigurimit, Bashkimit Evropian dhe një faktor i rëndësishëm do të jetë klasa politike shqiptare, që besoj se janë në unitet për këtë pikë”.
Rangjel Nojkiq, ndërkohë shpreh bindjen se komuniteti ndërkombëtar nuk do të imponojë ndonjë zgjidhje të statusit të ardhshëm të Kosovës, por për këtë do të pajtohen dy palët e interesuara.
“Kontratat dhe konventat ndërkombëtare janë shumë të qarta, ashtu që sipas tyre imponimi i ndonjë vendimi është i pamundur. Më së miri do të ishte që të arrihej marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve , përkatësisht mes Beogradit dhe Prishtinës, vendimi që ndoshta do të ishte i kënaqshëm për të dyja palët”, tha Nojkiq, duke shtuar se nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë është e pashmangshme mbajtja e ndonjë konference ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG