Ndërlidhjet

PRISHTINË


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha sot në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do t'i përkrahin njerëzit e rajonit për të përcaktuar të ardhmen e tyre. "Në emër të qeverisë amerikane them se viti 2005 duhet të jetë vit i ndryshimeve dhe se status-quo-ja nuk është e qëndrueshme", tha nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, i cili, procesin e vlerësimit të thellësishëm të standardeve e vlerësoi si një hap në këtë drejtim.
"Nuk u takon të huajve, amerikanëve apo evropianëve që të vendosin për të ardhmen e Kosovës. Populli i Kosovës duhet të vendosë për të ardhmen e vet dhe për këtë duhet të ketë një proces negociatash dhe kompromisi", u shpreh Nicholas Burns, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara synojnë të kenë një rol qendror në këtë proces.
"Ne do të emërojmë një diplomat të lartë amerikan që të jetë pjesë e ekipit negociator ndërkombëtar që pritet të jetë i udhëhequr nga evropianët, meqë Kosova është pjesë e Evropës. Mirëpo, në kuptim më të gjerë ne mendojmë se tashmë ka ardhur koha për të definuar të ardhmen e Kosovës", theksoi nënsekretari Burns, duke siguruar se Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira në proces edhe diplomatikisht, por edhe ushtarakisht, meqë ajo do të vazhdojë praninë e saj ushtarake si simbol i përkushtimit ndaj një Kosove paqësore dhe të sigurt.
Nënsekretari Burns ka biseduar në një takim të përbashkët me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci.
Presidenti Rugova tha se do të punohet për bisedimet lidhur me statusin, ndërkohë që ka insistuar për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. "Do të punojmë për vlerësimin e progresit të Kosovës, që sipas rrugës ndërkombëtare do të hapë bisedat për të ardhmen, për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë insistoj për njohje direkte nga SHBA-të, nga BE-ja, që do ta njihnin edhe fqinjët tanë, ndërsa zoti Burns premtoi dhe na siguroi për përkrahjen që do ta kemi nga Shtetet e Bashkuara", tha Rugova.
Ndërkaq kryeministri Bajram Kosumi tha se procesi i pëcaktimit të statusit pritet të fillojë në shtator dhe nuk do të jetë i pakufishëm.
Nënsekretari Burns ka takuar sot edhe përfaqësuesit e opozitës, Hashim Thaçin nga Partia Demokratike, dhe Veton Surroin nga partia ORA, si dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës. Pas Prishtinës ai do të qëndrojë në Beograd, ku udhëheqësve të atjeshëm, siç tha, do t’u bëjë thirrje që të luajnë rol konstruktiv në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
XS
SM
MD
LG