Ndërlidhjet

logo-print

MALESKI: KRIZA NË BE DO TË PASQYROHET PASHMANGSHËM EDHE NË BALLKAN


Denko Maleski, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shkup

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, çfarë ndikimi mund të ketë kriza në BE në procesin e integrimit të vendeve të Evropës Juglindore?

DENKO MALESKI
Ato që erdhën këto ditë nga Evropa perëndimore, janë lajme të këqija për ne. Kriza që i kaploi vendet e BE-së pashmangshëm do të pasqyrohet dhe ndaj nesh këtu në Ballkan. Ne pritnim të vazhdojë procesi i integrimeve politike, sepse kjo do të nënkuptonte vëmendje më të madhe të Evropës perëndimore për problemet e vendeve ballkanike. Për fat të keq, vëmendja tash do të drejtohet nga problemet e tyre, prioritetet do të jenë të tjera, kurse neve na mbetet të përpiqemi të punojmë edhe më shumë për t'i përmbushur kriteret, me qëllim që të afrohemi kur përsëri të vijë në rend dite debati për rajonin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ideja për integrime evropiane është emërues i përbashkët i synimeve politike të vendeve të Evropës juglindore. Pas asaj që ndodhi në BE, a pritni divergjenca në marrëdhëniet midis vendeve të rajonit.

DENKO MALESKI
Jo, ideja është gjallë e shëndoshë dhe do të mbetet edhe më tej për dy arsye, ekonomike dhe politike. Arsyeja ekonomike për mbetjen e Bashkimit Evropian është procesi i globalizimit botëror, i cili thjesht kërkon që Evropa si kontinent të bashkohet, nëqoftëse dëshiron t'ia dalë mbanë ekonomive të fuqishme të vendeve të tjera, të cilat janë të gatshme seriozisht të punojnë dhe të konkurojnë në tregun ndërkombëtar. Kjo është njëra arsye, që do t'i detyrojë vendet evropiane të bashkohen dhe do ta mbajë gjallë idenë për Evropën e Bashkuar.
Arsyeja e dytë është politike. Ajo që Evropa perëndimore nga pak po e harron 60 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, është se Bashkimi Evropian është një plan paqësor, i krijuar pas katastrofës dhe holokaustit të luftës, si përpjekje për t'i vënë nën kontroll nacionalizmat rivale në kontinentin evropian. Prandaj, kjo ide duhet të jetojë. Kjo duhet të kihet parasysh veçanërisht tek ne në Ballkan, meqë pjesa perëndimore e Evropës tash është e angazhuar me llogaritë ekonomike, të cilat u imponuan në samitin e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, a mund të ndikojnë zhvillimet në BE në rolin e Brukselit në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, i cili pritet të fillojë nga fundi i vitit?

DENKO MALESKI
Përsëri, vemendja do të përqëndrohet te problemet e tyre. Kjo është shumë e logjikshme si në sjelljen e individëve, ashtu edhe të shteteve. Njerëzit së pari i zgjidhin problemet e tyre. Mendoj se fokusimi pak do të zvoglohet, por shpresoj se nisur nga ndërlikueshmëria e çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi e çështjeve ballkanike, te udhëheqëja politike e Evropës Perëndimore do të ketë vetëdije që të ndajë më shumë kohë, dhe këto çështje t'i radhitë më lart në rendin e ditës. Sidomos tash kur do të fillojë të diskutohen zgjidhjet përfundimtare të çështjeve të hapura, siç është sot ajo e Kosovës, apo siç mund të jetë nesër çështja e Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te Kosova, si e komentoni planin e Uashingtonit. A do të thotë kjo se politika e BE-së ndaj Kosovës nuk dha rezultate?

DENKO MALESKI
Në Kosovë dhe në Ballkan, amerikanët dhe evropianët janë bashkë. Prandaj, do të ishte keq të hidhet topi te Brukseli apo Uashingtoni. Ata hynë këtu bashkë. Madje, evropianëve u duhej aksioni energjik ushtarak i SHBA-ve, të cilën ata vetë nuk janë në gjendje, apo të paktën atëherë nuk ishin në gjendje ta bëjnë. Prandaj, do të ishte e logjikshme që bashkarisht të kërkojnë zgjidhje. Është fakt se edhe Amerika u kthehet disa problemeve të veta më të rëndësishme, kështu që me rajonin e Ballkanit ka ndodhur ajo që dikush e quajti "kubanizim të Ballkanit", kur të gjithë janë të lumtur që nuk ka luftë, por ka edhe ngecje, dhe punët nuk ecin përpara. Prandaj, më e mira për ne do të ishte kur Uashingtoni dhe Brukseli do të bashkëpunonin me autoritetet lokale për zgjidhjen e problemeve. Por, mbi të gjitha, më e rëndësishmja është të ndahet kohë, të ngritet çështja më lartë në agjendat e politikave të vendeve të fuqishme në Evropë dhe Amerikë, të cilat logjikisht kanë edhe problemet e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë ndaj procesit për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës?

DENKO MALESKI
Këtu është e kuptueshme që egziston një nervozizëm. Ne kemi një bashkësi të madhe etnike të shqiptarëve, spektri politik i së cilës është identik me spektrin politik të çdo bashkësie tjetër etnike në Ballkan, pra, ka të matur dhe ekstremistë. Prandaj gjithmonë egziston frika se, psh. krijimi i një shteti të ri në Ballkan mund të nxitë një radikalizëm të caktuar tek ne. Mënyra më e mirë për t'ia dalë mbanë me këtë është që të punojmë për integrimin e plotë të bashkësisë shqiptare në shoqërinë e Maqedonisë, deri në shkallën kur ata do ta ndiejnë atë si shoqëri dhe shtetin e tyre, dhe nuk do të kërkojnë zgjidhje të tjera. Por frikat janë gjithmonë të pranishme, edhe pse sipas meje, nga shumë anë teprohet kur bëhet fjalë për statusin përfundimtar të Kosovës, i cili gjithashtu duhet të thuhet se nuk është shumë i qartë për akterët e mëdhenj të skenës politike. Mënyra se si do të zgjidhet dhe përmes çfarë procesi, a do të shkohet në kompromis apo do të ketë prerje të shpejtë, nëse nuk do të ketë zgjidhje të pranueshme për palët, të gjitha këto lënë mjaft dilema.

Intervistoi: Vullnet Poshka






XS
SM
MD
LG