Ndërlidhjet

PA REFORMIM TË PUSHTETIT LOKAL NUK KA DEMOKRACI


Albana Isufi, Prishtinë

Dyert e Bashkimit Evropian mund të hapen për vendet e Ballkanit perëndimor e me këtë rast edhe për Kosovën, vetëm kur të gjitha këto vende të kenë përqafuar tërësisht vlerat dhe standardet evropiane, kanë theksuar sot në Prishtinë përfaqësuesit e Komisionit Evropian.
Në një koneferencë mbi rolin që autoritetet lokale dhe rajonale të Bashkimit Evropian, luajnë në konsolidimin e procesit demokratik në Ballkan, çështja e decentralizimit është parë si një proces që do të ndihmojë demokratizimin e shoqërisë.
Kryeministri Bajram Kosumi ka përsëritur se statusi përfundimtar do të jetë faktori që do të përcaktojë zhvillimet e ardhshme në Kosovë, si dhe çështjen e decentralizimit.
Megjithatë Kosumi është optimist se reforma e pushtetit lokal do të fillojë së zbatuari shpejt.
“Duam ta reformojmë pushtetin lokal dhe qytetarët të jenë sa më afër qendrës ku merren vendimet dhe të ndikojë në vendimarrjen për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e tij të përditshme. Mesazhi ynë është i qartë se në Kosovën tonë, në shoqërinë tonë të ardhshme, minoritetet nuk do të jenë grupe të vogla etnike të margjinalizuar, por do jenë pjesë e respektuar e shoqërisë, ose do jenë pjesë e qeverisjes”.
Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Giovanni Di Stasi, ka thënë se demokracia lokale është faktori kryesor për një vend demokratik.
“Në shumë vende të Evropës juglindore qeverisja lokale është ende e dobët, transferimi i kompetencave, i personelit dhe burimeve nga buxheti qendror në atë lokal, decentralizimi fiskal, reforma e kufijve territoriale, janë në nivel të ulët, e nganjëherë në nivel të dhimbshëm dhe kontradiktor”, tha Di Stasi.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Komisionit Evropian Fabrizio Barbaso, ka sqaruar se pavarësisht nga ndihma e vazhdueshme e Komisionit për Kosovën, institucionet duhet të angazhohen më shumë për përmbushjen e standardeve.
“Siç u tregua nga referendumet e fundit për kushtetutën evropiane, qytetarët tanë nuk pajtohen që t’i mbajnë dyert e hapura për vendet, që nuk janë të gatshme që të përqafojnë plotësisht vlerat evropiane. Kjo nënkupton se juve ju duhet që të shpalosni të gjitha përpjekjet tuaja, që të bëheni shoqëri moderne, e pasur dhe funksionale, që respekton sundimin e ligjit, jeton në paqe dhe demonstron aftësitë për bashkëpunim me fqinjtë”, tha Barbaso, duke shtuar se Komisioni Evropian do të monitorojë arritjet në përmbushjen e standardeve shumë për së afërmi.
Ndërkohë, shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë Joachim Ruecker, thotë se tani është koha më sfiduese për Kosovën, ndërkohë që qëndrueshmëria në të gjitha fushat në Kosovë është qenësore para hapjes së bisedimeve.
“Ne mendojmë se e ardhmja për secilin vend në këtë pjesë të rajonit është integrimi. Asnjë nga vendet nuk mund të qëndrojë vetëm, por vetëm integrimi rajonal politik dhe ekonomik mund ta bëjnë këtë vend të qëndrueshëm, derisa qëndrueshmëria është fjala, që do ta dëgjoni shumë, gjatë vlerësimit të standardeve dhe bisedave për statusin”, tha Ruecker.
Në konferencën e sotme, përveç zyrtarëve nga Bashkimi Evropian morën pjesë edhe përfaqësues komunal nga Kosova, por edhe vendet e rajonit.

XS
SM
MD
LG