Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS DEBATON PËR ÇËSHTJE TË SIGURISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka debatuar sot çështjen e sigurisë në Kosovë. Fillimisht komisioneri i Policisë së UNMIK-ut, Kai Vitrup, ka paraqitur një pasqyrë të bartjes së përgjegjësive nga policia ndërkombëtare te ajo vendore. Ai tha se mbi 30 stacione policore janë pavarësuar dhe kanë kaluar në duart e vendorëve.
Një vërejtje që Vitrup e ka shprehur para Kuvendit të Kosovës, ishte fenomeni i shpërthimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme me bomba në qendër të Prishtinës. Qëllimi i këtyre grupeve kriminale është që të destabilizojnë Kosovën para hapjes së bisedimeve për statusin e Kosovës, ka deklaruar Vitrup.
Ndërkohë, në debatin parlamentar që ka pasuar, gati të gjithë deputetët që diskutuan, kanë shprehur pakënaqësi me efikasitetin e policisë në krijimin e mjedisit të sigurtë dhe parandalimin, apo zbulimin e akteve kriminale. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, Alush Gashi, tha se siguria nuk është jetike vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për të ardhmen e saj si një vend i pavarur dhe propozoi disa rekomandime, që do të ndihmonin shtimin e efikasitetit të organeve të rendit në fushën e sigurisë:
“Së pari është i domosdoshëm vazhdimi i investimit në polici, në ngritjen dhe plotësimin e sistemit të sigurisë. Së dyti, themelimi i Akademisë së Policisë dhe Sigurisë dhe në përfundim mund të them se qëndrueshmëria e sigurisë në Kosovë, më së miri garantohet me njohje të së drejtës për vetëvendosje”, tha Gashi.
Në anën tjetër lideri i opozitës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha se në Kosovë po zbatohet një politikë e papranueshme e tolerimit të krimit me arsyetimin e ruajtjes së sigurisë së përgjithshme në Kosovë. Ai e akuzoi qeverinë e Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar dhe për dështimet në luftimin e krimit, çka sipas tij do të ndikojë edhe në vetë përcaktimin e statusit të Kosovës:
“Me institucionet e tilla, statusi i Kosovës jo që do të jetë i kushtëzuar, por që sot është i kërcënuar. Nuk mund të zgjidhet drejt statusi politik i Kosovës me qeverinë më të korruptuar në rajon. Jo vetëm që po keqpërdoret vullneti i qytetarëve, por kështu po frikësohen edhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Pa përgjegjshmëria e qeveritarëve duhet të trokasë në ndërgjegjen e tyre morale, nëse vazhdon të tolerohet nga UNMIK-u ballafaqimi me sistemin e drejtësisë”, theksoi Thaçi.
Një vërejtje konkrete në efikasitetin e organeve të rëndit ka paraqitur dhe nënkryetari i AAK-së, deputeti Naim Maloku, i cili mori si shembuj rastet e pazgjidhura me vite në Kosovën e pasluftës.
“Të gjitha vrasjet e ashtuquajtura enigmatike të ndodhura pas luftës kanë mbetur të pazbardhura; atentatet dhe tentim atentatet në pikë të ditës të gjitha të mbetura të pazbuluara; të gjitha shpërthimet në Prishtinë apo vende të tjera të ndodhura pas luftës kanë mbetur ende nën hetime; si dhe mbyllen sytë ndaj dukurisë së prostitucionit.”
Pa aftësia e organeve që t’i ndriçojnë rastet e tilla sipas Malokut, po ndikojnë në rritjen e shqetësimeve te popullata dhe në mosbesimin e tyre te organet e sigurisë.
Në anën tjetër kryetari i partisë së dytë opozitare. Ora, Veton Surroi, lavdëroi KFOR-in për mbrojtjen e shkëlqyeshme të kufijve të Kosovës, kurse policia tha ai, nuk ka arritur të garantojë siguri të brendshme. Surroi tha se në mungesë të zbatimit të ligjit, qytetarët i janë lënë vetëvetes e në disa raste që të vetë- mbrohen, nëse duan të ndihen të sigurtë:
“Në këtë zbrazësi kanë hyrë format tradicionale të ruajtjes së sigurisë. Formë tradicionale është familja e fortë – ti nuk më ngacmon mua, unë nuk të ngacmoj ty. Forma e dytë ka qenë ajo e politikës apo e politikës së armatosur dhe për këto gjashtë vite kemi parë se si njeriu duhet të jetë i armatosur, nëse do të mbrojë pasurinë e tij”, pohoi Surroi.
Debati i sotëm në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një ditë pasi që shefi i UNMIK-ut i pati dorëzuar kryeministrit të Kosovës projektet për formimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Rendit, që është parashikuar të zbatohet rreth fundit të vitit.



XS
SM
MD
LG