Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR DUHET TË KENË PERSPEKTIVË EVROPIANE


"Nëse Bashkimi Evropian nuk u jep vendeve të Ballkanit perëndimor një perspektivë evropiane, këto vende nuk do të kenë asnjë motivim që të zbatojnë reformat që Brukseli i kërkon. Gjithashtu, kjo do të thoshte vendosjen apo vazhdimin e barrierave politike dhe psikike dhe forcim i ndarjeve të vendeve të rajonit në të pasura dhe të varfëra", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë qëndrimit të fundit në Beograd dhe Prishtinë, Havier Solana, pos tjerash, ka folur edhe për përfshirjen e kësaj pjese të Ballkanit në radhët e Bashkimit Evropian. Nëse kihen parasysh zhvillimet e fundit brenda BE-së, a është reale të pritet një gjë e tillë?

PATRICK MOORE
Ka një element real në këtë gjë, por natyrisht çështja nuk është aq reale sa ka qenë para se votuesit francezë dhe holandezë të jepnin votën e tyre kundër kushtetutës së propozuar të BE-së. Siç na kujtohet në të dy këto vende, një nga arsyet që votuesit votuan kundër ishte frika dhe kundërshtimi ndaj vazhdimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sigurisht që këtu kishte edhe një element ksenofobizmi. Ende ka pak mbështetje brenda Bashkimit Evropian për zgjerimin edhe në vendet e Ballkanit perëndimor, edhe pse ka kundërshtim për vendet si Turqia. Këtë javë ministri austriak i financave tha se qeveria e tij është kundër përfshirjes së Turqisë, por e gatshme për të përfshirë ish republikat jugosllave. Pra e shohim këtë si një shembull. Gjithsesi ka më shumë gjëra në vizitat e zotit Solana, se sa që duket. Një nga humbjet e refuzimit të kushtetutës evropiane ishte humbja e postit të ministrit të jashtëm të BE-së në të cilin do të emërohej zoti Solana. Dhe për shkak të kësaj vote kundër, nëse kushtetuta është, siç thuhet, e vdekur dhe shumë njerëz mendojnë që kjo ka ndodhë, zoti Solana ka humbur një punë shumë më të rëndësishme sesa ajo që ka tash. Për këtë arsye ai po përpiqet të ketë një qëndrim të guximshëm, duke u përpjekur t'i lëvizë gjërat përpara sikur të ishte ministri i jashtëm i BE-së, për hir të pushtetit të tij dhe karrierës së tij. Gjithsesi, mendoj se zoti Solana do të duhet të kënaqet me llojin e punës që ka pasur deri tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ka mjaft të tillë në Evropë që konsiderojnë se tani është çasti për të ndalur procesin e zgjerimit. Kemi të bëjmë me një pasojë të krizës në Bashkimin Evroian apo kemi të bëjmë me ata që nga fillimi kanë konsideruar se BE-ja është koncept që vështirë mund të jetësohet?

PATRICK MOORE
Mendoj që këtu i kemi të dy elementet. Së pari oponentët e vjetër të Bashkimti Evropian, sigurisht që janë kundër çfarëdolloj zgjerimi dhe nuk ka asgjë të re në këtë çështje. Ajo që është e re dhe që e pamë në këto vota kundër, për të cilat folëm më parë, është se evroperëndimorët shqetësohen se zgjerimi do të sillte forcë punëtore më të lirë apo rritje të çmimeve për shkak të subvencioneve për vendet që hyjnë, edhe pse thuhet se është bujqësia franceze ajo që e rëndon buxhetin e jo ajo polake. Ka gjithashtu një faktor psikik i shqetësimit se zgjerimi do të sillte imigrantë të kulturave të ndryshme. Këtu dëshiroj ta përmend zotin Helmut Shmid, i cili ka qenë kancelari i Gjermanisë Perëndimore në fund të viteve 70' dhe në fillim të viteve 80' dhe mbetet autor shumë i shquar dhe orator, që është shprehur shumë kundër anëtarësimit të Ukrainës apo Rusisë, pasi këto janë vende të mëdha me një kulturë tepër të ndryshme dhe një traditë politike të ndryshme. Partia Demokristiane në Gjermani, e cila ka gjasë të mira të fitojë zgjedhjet e ardhshme në shtator, e ka kundërshtuar anëtarësimin e Turqisë kryesisht për çështje kulturore. Vendet e Ballkanit perëndimor, vendet e ish Jugosllavisë pa Slloveninë dhe me Shqipërinë, kanë një avantazh ndaj vendeve si Turqia apo Ukraina, sepse janë relativisht të vogla dhe, mbi të gjitha, ish republikat e Jugosllavisë dhe Shqipëria janë të rrethuara nga vende anëtare të BE-së, sidomos pasi Rumania dhe Bullgaria të anëtarësohen. Prandaj nëse Bashkimi Evropian nuk i pranon në gjirin e vet këto vende, rrezikon të ketë një vrimë të zezë në qendër të vetë hartës së tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thoshte për Ballkanin, miratimi eventual i strategjisë së ndërprerjes së zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian?

PATRICK MOORE
Pikërisht do të nënkuptonte krijimin e një vrime të zezë dhe ashtu siç e ka theksuar kancelari gjerman Gerhard Shrëder, kjo do të nënkuptonte humbjen e shumë gjërave që Bashkimi Evropian ka qenë në gjendje ti arrijë sa u përket reformave në vendet e Ballkanit perëndimor. Me fjalë të tjera, nëse Bashkimi Evropian nuk u jep këtyre vendeve një perspektivë evropiane, këto vende nuk do të kenë asnjë motivim që të zbatojnë reformat që Brukseli i kërkon. Gjithashtu do të thotë vendosjen apo vazhdimin e barrierave politike dhe psikike dhe do të forcohej ndarja e vendeve të rajonit në të pasura dhe të varfëra. Mendoj që qasja më e arsyeshme, sidomos pas votave të holandezëve dhe francezëve, është që Bashkimi Evropian të ecë drejt një unioni të butë në vend të një supershteti. Pra, një organizatë e jo union, që do t'i bënte gjërat si tregtia, standardizimi i ligjeve, e të tjera, gjëra që BE-ja i bën mjaft mirë. Por kjo do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse, pra edhe me vendet e Ballkanit perëndimor, dhe jo thjesht një klub i vogël evroperëndimor që, në esencë, është një segment i zgjatur i qeverive të Francës dhe Gjermanisë.
Intervistoi Melazim Koci
XS
SM
MD
LG