Ndërlidhjet

logo-print

VENDIMI PËR BE-NË MERRET NË TIRANË


Zgjedhjet parlamentare, një kusht i vënë prej Brukselit për të bërë hapa para në procesin e asociim stabilizimit, nuk janë arritja me të cilën mund të mburret qeveria shqiptare. Pas dy javësh do të ketë një ripërsëritje të votimit në 3 zona elektorale dhe procesi i tranzicionit të pushtetit, që mund të mbyllej me një javë, po merr më shumë se dy muaj kohë.
Për integrimin në BE nuk ka asnjë mëdyshje në Shqipëri, si nga shoqëria ashtu edhe nga politika. Në gjithë sondazhet e organizuara, shqiptarët shprehen mbi 90% në favor të integrimit. Endrra për të qenë anëtarë të një klubi të pasur, është ende e gjallë në mendjen e shumë shqiptarëve. Po ashtu të gjitha partitë politike janë në favor të integrimit. Problemi kryesor mbetet perceptimi dhe hapat që ndërmerren për të realizuar këtë synim madhor të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Një perceptim i gabuar është fakti se vendimi për integrimin merret në Bruksel. Shprehjen "Po të duan ata, anëtarësohemi brenda natës" e ndesh jo vetëm në autobuzët urbanë të kryeqytetit, por edhe në media edhe në zyrat ku bëhet politika. Eshtë krejt e kundërta. BE-ja e ka bërë të qartë në më shumë se një rast se Shqipëria, bashkë me vendet e tjera të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, është e mirëpritur. Por për t'u bërë anëtar duhen zbatuar rregullat e lojës me të cilën operon BE-ja. Nuk ka politikan në Perëndim që mund t'u shpjegojë zgjedhësve të tij se Shqipëria është rast i veçantë, nuk i plotëson të gjithë rregullat tona të lojës ndaj duhet bërë përjashtim për të. Për interesa të ngushta politike të ditës, integrimi në Tiranë u perceptua edhe si marrëdhënie të mira personale të kryeministrit shqiptar me homologë të tij në Perëndim. Miqtë politikë dhe marrëdhëniet e mira personale janë një avantazh, por kurrsesi faktor vendimtar për këtë proces. Ai që sot është mik i fuqishëm në pushtet, nesër nuk është më, del në opozitë, apo thjesht nuk është më në skenë. Në një nga hollet kryesore të selisë politike të NATO-s në Bruksel, është një foto e liderëve të aleancës së vitit 1991. Ish kancelari, Helmut Kohl, ish presidenti francez Fransua Miterran, ish kryeministri britanik Xhon Meixhër, ish presidenti Bush, etj. Pothuaj të gjithë burra shteti që bënë histori. Sot, asnjë prej tyre nuk është më në politikë, por institucioni që përballoi luftën e ftohtë, aleanca më e fuqishme politike ushtarake që nga koha e Perandorisë Romake, është më e fuqishme se kurrë dhe e adoptuar për të përballuar sfida të reja. Miqtë personalë janë shumë të vyer, por kurrsesi nuk mund të zëvendësojnë institucione, të ndryshojnë rrjedhën e proceseve apo të ndihmojnë thjesht se pse ti je në hall. Një tjetër problem është edhe mentaliteti i vjetër që e shikonte Shqipërinë si kërthiza e botës. Shqipëria është ajo që është, me të mirat dhe të këqiat e saj, por nuk mund as të nënvleftësohet dhe as të mbivlerësohet, roli, hapësira dhe vendi që ajo zë.
Në proçesin e negociimit është vënë re se Tirana harxhon kohë dhe energji, këmbëngul edhe për çështje klasike që nuk mund të negociohen. Këmbëngulja bëhet e pakuptimtë kur për çështje që BE-ja dhe SHBA-ja janë në një mendje, psh- problemi i korrupsionit, të përpiqesh të sqarosh situatën, të flaësh për keqkuptim apo ca më keq informacion të pamjaftueshëm.
Por problemi i perceptimit nuk është vetëm tek pala shqiptare. Negociatorët shqiptarë duhet të kenë parasysh se në anën tjetër të tavolinës, janë ulur persona që kanë një perceptim të caktuar për Shqipërinë. Për shembull në vitet 70 në Danimarkë, ka qenë një emision radiofonik shumë popullor që quhej "Radio Tirana". Thelbi i emisionit ishte se çdo gjë shkonte keq.
Së fundi, me ngjarjet e fundit, si refuzimi i referendumit në Francë dhe Hollandë, apo ngjarjet terroriste në Londër, qarkullon ideja e rënies së interesit për vendet e Ballkanit, lodhjes nga zgjerimi etj. Këto mendime marrin më shumë peshë se ç'duhet se integrimi në BE është parë në funksion të zhvillimit, në një kohë që është e kundërta, duhet parë zhvillimi në funksion të integrimit.
Një Shqipëri me shtet ligjor të fortë, me gjyqësor të pavarur, me media të lira, me problemin e pronësisë të zgjidhur, me korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivele të pranueshme, është automatikisht kandidate e fortë për t'u anëtarësuar në BE. Por gjithë kërkesat e mësipërme varen nga Tirana dhe jo nga Brukseli.

Lutfi Dervishi
XS
SM
MD
LG