Ndërlidhjet

PRISHTINË


Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova ka emëruar Blerim Shalën si koordinator të grupeve punuese për bisedimet eventuale për statusin. Përmes një komunikate kryetari Rugova ka sqaruar se "për organizim, përshpejtim të punës dhe mobilizim të ekspertëve nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile, dhe miqtë tanë ndërkombetarë, kam emëruar Blerim Shalën, një figurë e respektuar jopartiake, që t’i bashkërendojë përpjekjet e grupeve të punës. I kam kërkuar atij që të bëjë konsultime të gjera dhe t’u raportojë udhëheqësve politikë pas dy javësh me një plan për të çuar punën përpara. Z. Shala do të na raportojë në mënyrë periodike për ecurinë e punës së grupeve të punës dhe do të kërkojë miratim politik prej nesh për qëndrimet tona madhore", thuhet mes të tjerash në komunikatën e zotit Rugova. Më tej ai thekson se ky emërim bëhet dhe pas takimit të fundit me ambasadorin Kai Eide, ku u bë e qartë se rruga për përcaktimin e statusit mund të hapet së shpejti. Kjo sipas kryetarit Rugova kërkon përpshpejtimin e punës së filluar nga Forumi politik dhe krijimin e një ndjenje uniteti dhe pikësynimi kombëtar në kohën kur Kosova po hyn në një periudhë me rëndësi vendimtare.
Presidenti Rugova ka bërë të ditur se do t'i prijë proçesit të bisedimeve eventuale për statusin derisa ekipi, po sipas zotit Rugova, do të përbëhet përveç presidentit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, dhe udhëheqësit e dy partive më të mëdha të opozitës, Hashim Thaçi (PDK) dhe Veton Surroi (ORA). Rugova ka kërkuar nga opozita që t’i lerë mënjëanë divergjencat partiake dhe "të na bashkohet në përgatitjet për statusin përfundimtar".
XS
SM
MD
LG