Ndërlidhjet

GOLDBERG: SHPRESOJ QË BISEDIMET TË FILLOJNË KËTË VJESHTË


Philip Goldberg, shef i Zyrës Amerikane në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Goldberg, Kosova duket se gjendet afër fillimit të procesit ndërkombëtar për përcaktimin e statusit. Saktësisht, kur mendoni se do të fillojë ky proces?

PHILIP GOLDBERG
Nuk mund të them me saktësi absolute, por zoti Kai Eide tashmë është në përfundim të raportit të tij dhe nëse raporti është pozitiv, atëherë ai do të mundësojë edhe ecjen drejt procesit të statusit përfundimtar. Fillimisht do të emërohet i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë thënë se ato janë shumë të interesuara që të emërojnë zëvendësin për këtë ekip, prandaj shpresoj se ky proces do të fillojë gjatë kësaj vjeshte.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si e shihni ju këtë proces, mënyrën e përcaktimit të statusit; nëpërmjet ndonjë konference të ngjashme me atë të Dejtonit dhe Rambujesë, nëpërmjet asaj që njihet si “shuttle diplomacy” apo nëpërmjet ndonjë forme tjetër?

PHILIP GOLDBERG
Shumë çështje në këtë drejtim kanë të bëjnë me vendimet që do t’i marrë i dërguari i posaçëm, varësisht nga pikëpamjet e tij dhe ekipit të tij, për të ndërtuar një strukturë sa më të mirë për këto bisedime. Mendoj se për momentin është e pamundshme të flitet me saktësi mbi strukturën e këtyre bisedimeve. Ajo që di unë është se në fillim sigurisht do të ketë bisedime me të gjitha palët e përfshira për të vendosur kornizën e bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në paraqitjet tuaja të fundit publike, ju keni ngritur çështjen e nevojës për liderët politikë që të përgatiten për bisedimet mbi statusin. Sa kanë arritur ata ta bëjnë një gjë të tillë?

PHILIP GOLDBERG
Shumë pak do të thoja. Ka pasur shumë diskutime dhe madje edhe fërkime në Forum për çështjen e organizimit. Por, e gjitha ka mbetur vetëm në këtë nivel, pra në nivel diskutimesh dhe nuk ka pasur përgatitje serioze për statusin përfundimtar. Keni plotësisht të drejtë, fuqimisht jam angazhuar për të këshilluar përgatitjet për këtë moment, i cili do të jetë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Prandaj, njerëzit këtu duhet të përfaqësohen mirë. E dini, ka njerëz që thonë se nuk do të ketë negociata, por do të ketë. Dhe madje edhe nëse e merrni për bazë një pozicion të caktuar për statusin, për çka ne e dimë se në këtë anë është pavarësia, kurse në anën tjetër është diçka tjetër, mbeten shumë çështje që do të dalin nga këto pozicione. Për shembull, cilat janë të drejtat dhe obligimet e komuniteteve të caktuara këtu; ndikimi i decentralizimit në të ardhmen e Kosovës; veriu i Kosovës dhe ajo se çfarë do të ndodhë atje, meqë të gjithë e dimë se atje është një realitet tjetër në krahasim me pjesën tjetër të Kosovës në gjashtë vitet e kaluara; çështjet që kanë të bëjnë me borxhet, me privatizimin dhe çështje të tjera teknike. Këto të gjitha janë çështje goxha të ndërlikuara, përfshirë këtu edhe rolin e komunitetit ndërkombëtar këtu pas përcaktimit të statusit përfundimtar. Prandaj do të ishte shumë mirë nëse njerëzit në këtë anë tregojnë pjekuri, vullnet politik për të marrë vendimet e veta dhe të bëjnë përpjekje që ta angazhojnë komunitetin ndërkombëtar, por edhe Beogradin, kurdoherë që është e nevojshme, në çështje që kanë rëndësi të madhe për njerëzit që jetojnë këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej çështjeve kryesore që do ta përcjellë procesin e përcaktimin të statusit është çështja e marrëdhënieve ndëretnike, pra ajo e të drejtave të pakicave. Në njërën anë, udhëheqësit shqiptarë thonë se komuniteti serb nuk është i gatshëm të integrohet dhe nuk e pranon realitetin e krijuar në Kosovë; në anën tjetër, përfaqësuesit serbë thonë se institucionet në Kosovë nuk ofrojnë mjaft për të mundësuar integrimin. Cili do të ishte komenti juaj?

PHILIP GOLDBERG
Komenti im është: të dyja palët duhet të punojnë më shumë në përpjekje për të krijuar një të ardhme që do të mundësonte një jetë të sigurtë për pakicat në Kosovë. Shumica duhet ta pranojë faktin se në Kosovë jetojnë edhe pakicat, të cilat kanë të drejtë të jetojnë në siguri, të përdorin gjuhën dhe kulturën e tyre. Kjo në shumë mënyra ka të bëjë me përpjekjet për të decentralizuar pushtetin qendror, duke e mbështetur retorikën me veprime të vërteta politike. Mendoj se institucionet duhet të jenë më mikpritëse për minoritetet dhe më të gatshme për të ofruar mundësi për njerëzit. Mendoj se siguria e përgjithshme ende nuk është në nivelin që do të donim ne, pjesërisht për shkak të perceptimit në rajonet e banuara me serbë, se nuk janë të mirëpritur dhe se nuk mund të udhëtojnë të sigurtë në Prishtinë ose në qytetet e tjera, duke lëvizur lirshëm dhe pa pasur probleme. Pjesërisht pra është ndikim psikologjik, shumica duhet të bëjë shumë më shumë për t’ia shtrirë dorën komunitetit serb. Për shembull, ishte një hap i mirë kur para disa muajsh, kryeministri filloi të vizitojë disa rajone serbe, të bisedojë me komunitetet atje, duke i siguruar ata se e ardhmja e tyre është e sigurtë dhe se shumica shqiptare është e gatshme të jetojë në harmoni. Ne do të donim të shihnim më shumë hapa të tillë, të cilat nuk i kemi parë në javët e fundit. Në palën serbe, ndërkaq është krijuar ndjenja se atyre çdo gjë u duhet ofruar në gjendje të përsosur dhe pastaj të merret vendimi nëse duan të përfshihen në institucione. Por, as kjo nuk është në rregull. Ne kemi thënë dhe do të vazhdojmë ta themi se rruga drejt pajtimit dhe jetës së përbashkët është puna e përbashkët. Nuk ka të bëjë me bojkotimin e institucioneve dhe as me kërkesat “na jepni lirinë e lëvizjes, na jepni të gjitha ato që kërkojmë dhe ne ndoshta pastaj do të hyjmë në institucione”. Duhet punuar së bashku për t’i arritur këto qëllime, pra mendoj se të dyja palët duhet të punojnë më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit, nga disa qarqe është ngritur çështja e kompromisit. Por, udhëheqësit shqiptarë thonë se pavarësia është kompromis; Beogradi ndërkaq insiston në formulën “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Çfarë mendoni ju?

PHILIP GOLDBERG
Kompromisi është i rëndësishëm dhe do të jetë i nevojshëm për të dyja palët, ose thënë më mirë, për të gjitha palët. Kompromisi në fakt do të thotë se nuk do t’i fitosh të gjitha që i kërkon. Mendoj se kjo çështje tashmë është e qartë në këtë anë dhe do të jetë e qartë edhe në Beograd. Ne do të përballemi me shumë çështje të rënda, përfshirë këtu pra edhe çështjen që ju sapo përmendët rreth dallimeve në qëndrime në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbi statusin përfundimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët përmendët çështjen e rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas përcaktimit të statusit. Si e shihni ju këtë rol?

PHILIP GOLDBERG
Sinqerisht, e shoh si një rol për të cilin duhet vendosur. Por, ajo që e di dhe për të cilën mendoj se të gjithë pajtohemi, është se rruga që duhet ndjekur në përgjithësi në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, është rruga drejt Evropës. Ne, njësoj sikurse edhe evropianët, do të donim të shihnim një prani ndërkombëtare që do të peshonte në drejtim të Evropës, që do të thotë Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara natyrisht se do të donin të jenë të përfshira, por arranzhimet në këtë drejtim mbeten për t’u përcaktuar. Kjo çështje duhet të rregullohet asisoji që të ketë edhe mbështetjen e vendorëve, por edhe në mënyrën që do të mbrojë të drejtat e pakicave kombëtare dhe tërë konstruktin që do ta dalë nga procesi i përcaktimit të statusit. Pra, siç e thashë, do të jetë e ndërlikuar dhe nuk do të jetë një çështje për të cilën mund të flasësh përmendësh. Por, ajo që e dimë është se në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe në çështjet që kërkojnë prani të vazhdueshme ndërkombëtare, pasi të jetë vendosur statusi përfundimtar, ne do të kemi një rol jo të ngjashëm me atë që komuniteti ndërkombëtar ka pasur në gjashtë vitet e fundit, duke ushtruar një rol udhëheqës, por më shumë një lloj partneriteti që do ta çojë Kosovën drejt institucioneve evropiane dhe integrimit me pjesën tjetër të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ta ndërrojmë për pak çaste temën e bisedës sonë dhe të flasim për problemet e përditshme, me të cilat përballen qytetarët në Kosovë, siç është për shembull zhvillimi i dobët ekonomik. Çfarë mendoni se duhet bërë në mënyrë që ekonomia të arrijë një nivel të kënaqshëm zhvillimi?

PHILIP GOLDBERG
Egzistojnë disa fusha, disa segmente në të cilat ekonomia mund të përmirësohet shumë shpejt. Të gjithë e dinë për shembull se do të jetë i nevojshëm një central për prodhimin e energjisë elektrike. Kjo çështje natyrisht kërkon huamarrje nga komuniteti ndërkombëtar, pjesëmarrje dhe ndihmën e Bankës Botërore për të ndihmuar që ky proces të jetë realitet. Dhe kjo natyrisht se nuk mund të arrihet pa e përcaktuar statusin përfundimtar dhe pa u përcaktur çështja e të ardhmes së Kosovës në përgjithësi. Por, menjëherë pas kësaj vende të reja mund të krijohen, edhe pse më i rëndësishëm është fakti se rryma, nëse prodhohet nga një termocentral i ri, gjithashtu do të shtojë buxhetin e Kosovës. Bujqësia dhe çështjet pronësore; çështjet pronësore duhet të zgjidhen në atë mënyrë që të mundësojnë shtimin e prodhimtarisë në bujqësi, pra që të mos importoni kaq shumë artikuj ushqimorë nga jashtë, aq më tepër kur nuk ka arsye për një import të tillë për faktin se Kosova ka tokë të mirë. Këto janë dy sektorë ku gjërat mund të lëvizin shpejt. Vende të reja të punës gjithashtu mund të krijohen me privatizimin e minierave. Kemi shembullin e Feronikelit, me privatizimin e të cilit relativisht shpejt, në një periudhë prej tre vjetësh, mund të krijohen 1 700 vende pune. Megjithatë, në këtë drejtim nuk ndodhë asgjë tjetër përveç kundërshtimeve politike që ngrihen dhe pengesat që kosovarët dhe jo ndërkombëtarët, ia vënë këtij procesi. Prandaj, kosovarët duhet të largohen nga rruga e tyre të deritashme, të shohin se jashtë kësaj rruge ka gjëra të mira dhe të mos merren vetëm me kundërshtime ndaj çdo gjëje në baza politike. Në të kundërtën, njerëzit do të jenë padyshim të dëshpëruar. Dhe në fund mendoj se të gjithë duhet ta kuptojnë se statusi nuk do të krijojë një mrekulli për ekonominë. Do të ketë më shumë nevojë për punë, për një Universitet për shembull që prodhon kuadro të fuqishme për të punuar në këtë drejtim, për një konkurrencë me vendet e tjera, pra për të prodhuar në mënyrë më efektive dhe me çmim më të arsyeshëm se sa në vendet e tjera. Ekonomia ndërkombëtare tani është në nivelin që është, Kosova duhet t’i përshtatet asaj, sepse ajo nuk do t’i përshtatet Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zhvillimi i dobët ekonomik shpeshherë ndërlidhet nga ekspertët me krimin e organizuar dhe korrupsionin. A e ka Kosova këtë problem?

PHILIP GOLDBERG
Ne të gjithë jemi të brengosur për korrupsionin dhe krimin këtu, pikërisht për shkak të historisë së Kosovës, por edhe të mbarë rajonit. Në Serbi ka pasur sanksione, kurse këtu ka pasur luftë dhe pengesa të tjera, të cilat kanë mundësuar që rrjete të ndryshme kriminale të shfrytëzojnë rastin nga zhvillimi i dobët ekonomik. Po, ne jemi të shqetësuar për këtë çështje dhe njerëzit duhet ta kuptojnë këtë. Por, me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e ekonomisë, ne shpresojmë dhe presim që këto rrjete të largohen, gjithnjë duke respektuar ligjin.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi

XS
SM
MD
LG