Ndërlidhjet

logo-print

NDRIÇIMI I RASTIT TË MAÇKATICËS, TEMË KRYESORE E BISEDIMEVE TË RADHËS PËR TË ZHDUKURIT


Albana Isufi, Prishtinë

Në takimin e 5-të me radhë të grupeve punuese për të zhdukurit nga Kosova dhe Serbia, që do mbahet më 6 tetor në Beograd, pala kosovare do të kërkojë ndriçimin e rastit të Maçkaticës, ku dyshohet se janë djegur kufomat e shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Grupi kosovar ka mbajtur sot një takim me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, për të shqyrtuar edhe njëherë temat që do diskutohen në takim.
Këshilltari i kryeministrit, Naser Rugova, që do jetë edhe pjesë e delegacionit thotë se përveç rastit të Maçkaticës nga qeveria e Serbisë do të kërkohet edhe kthimi sa më i shpejtë i kufomave të mbetura në varrezat masive në Serbi.
"Kërkesat tona kryesore janë zbardhja e fatit, apo heqja e mjegullës rreth rastit të Maçkaticës, ku konsiderohen se atje janë djegur një sasi e madhe e trupave të qytetarëve të Kosovës dhe kemi informacione të sigurta se Tribunali i Hagës e ka izoluar vendin për të bërë hulumtimet e nevojshme".
Naser Rugova shpreson që rreth 130 kufomat e mbetura të kthehen në muajt vijues.
"Ne jemi optimistë që trupat që mbahen peng ende në Batajnicë apo vendet e tjera, para vitit të ri do të riatdhesohen, kurse proceset e exhumimit, hulumtimit të varrezave masive dhe të tjera, janë e drejtë e rezervuar e UNMIK-ut, përkatësisht e departamentit të drejtësisë".
Ndërkohë, Asociacioni i Familjarëve të të Zhdukurve do ta bojkotojë takimin e Beogradit. Kryetari i këtij asociacioni Haki Kasumi shpjegon arsyet:
“Jemi absolutisht të pakënaqur me rezultatet e punës dhe dinamikën e zhvillimit të punës, të takimeve dialoguese Prishtinë- Beograd”.
Këshilltari Rugova ndërkaq thotë se nga maji deri tani ka pasur lëvizje pozitive në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Deri më 27 maj të vitit 2005, që nënkupton rreth 6 vite pas lufte, janë riatdhesuar rreth 390 trupa pa jetë të shqiptarëve. Nga 27 maji e tutje, me një angazhim të dukshëm dhe intensiv të qeverisë së Kosovës dhe grupit punues qeveritar, janë kthyer apo riatdhesuar rreth 300 trupa pa jetë të shqiptarëve".
Por, Kasumi thotë se i kanë propozuar shefit të UNMIK-ut ndërrimin e formës së deritashme të bisedimeve.
“Zgjidhja e vetme sipas mendimit tonë është shtimi i presionit ndaj palës së Beogradit, e cila posedon të dhënat, ngase ajo ka vepruar nën komandë, në mënyrë institucionale në krimet e bëra në Kosovë”.
Edhe këshilltari i kryeministrit Rugova ka thënë se i është kërkuar Jessen Petersenit presion më i madh në qeverinë serbe për të kthyer kufomat e mbetura në Serbi dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Në Kosovë sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar konsiderohen të zhdukur edhe 2560 persona.

XS
SM
MD
LG