Ndërlidhjet

logo-print

GJATË MUAJIT NËNTOR PRITET KRIJIMI I DY MINISTRIVE TË REJA NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Nëse çdo gjë shkon sipas planit të UNMIK-ut, Kosovës në nëntor do t’i shtohen Ministria e Rendit dhe ajo e Drejtësisë, të cilat do të udhëhiqen nga strukturat vendase.
“Është data e qartë, që është ofruar kur përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara ka paraqitur propozimin e UNMIK-ut, për të krijuar këto dy ministri dhe ne ende po punojmë sipas këtij afati kohor”, thotë zëdhënësi për Drejtësi dhe polici i UNMIK-ut Neeraj Singh.
Ekspertët juridik e quajnë formimin e këtyre dy ministrive si thelbësore për Kosovën, pasi ato paraqesin shtyllat e një shteti. Por, eksperti juridik Ismet Salihu, thotë se për të pasur një funksionim adekuat, këto ministri nuk duhet të bien nën ndikimin e partive politike.
“Koncepti i ndërkombëtarëve është që këto dy ministri në asnjë mënyrë të mos jenë nën ndikimin e partive politike, por edhe të politikës ditore. Mendoj se ky koncept është mëse i qëlluar dhe këtë koncept duhet që edhe ne kosovarët ta pranojmë maksimalisht dhe ta zbatojmë".
Neeraj Singh thotë se ministrive nuk do t’u barten menjeherë të gjitha kompetencat, që aktualisht janë të rezervuara për UNMIK-un.
“Siç e dini bartja e kompetencave për këto ministri do të bëhet në disa mënyra. Në nëntor ministrive do t’u barten çështjet administrative, pastaj në muajt vijues do të rishikohet se si po veprojnë ministritë dhe pastaj do të bëhet bartja e kompetencave në fushat operative. Por, do të mbeten disa kompetenca, si ato që kanë të bëjne me sovranitetin, brenda autoritetit të shefit të UNMIK-ut, i cili po ashtu do të ketë pushtet për të bërë ndonjë ndërhyrje në punët e ministrive”, thotë Singh.
Ndërkohë, eksperti Salihu, thotë se në ministri duhet të punësohen njerëz profesionistë dhe ekspertë për lëmitë e caktuara.
“Stafi që duhet të punojë nëpër këto ministri duhet të jenë ekspertë, pa marrë parasysh fare përkatësinë politike. Stafi tjetër me fjalë të jetra duhet të përmbushë këto dy kritere. Së pari të jetë ekspert profesionist, të dijë të kryejë punët nga fushë-veprimi i këtyre dy ministrive. Ky është kriteri i parë dhe kriteri i dytë është që stafi i këtyre dy ministrive të ketë integritet personal, persona me autoritet, persona me një të kaluar të pastër, persona të cilët në një mënyrë premtojnë vërtet se punën e tyre do ta kryejnë në bazë të ligjit, në mënyrë objektive, të paanshme, pa marrë parasysh përkatësinë e qytetarëve, drejtësinë ta mbrojnë".
Nëse kosovarët nuk arrijnë që këto dy ministri t’i mbajnë larg ndikimit politik, Salihu thotë se Kosova do mbetet larg të qenit shtet ligjor.
“Po qe se ne në Kosovë nuk arrijmë që këto dy ministri vërtet të jenë jashtë ndikimit të politikës, të partive politike, për Kosovën do të jetë shumë keq, sepse këmbehemi. Dhe ne kosovarët duhet të angazhohemi maksimalisht që këto dy ministri të jenë vërtet ministri, të cilat autorizimet, rregulloret e tyre, do t'i ushtrojnë vetëm në bazë të ligjit".
Një nga shqetësimet e paraqitura në raportin për gjendjen përgjithshme në Kosovë të ambasadorit Kai Eide, ka qenë pikërisht mundësia e politizimit të Ministrisë së Rendit dhe të asaj të Drejtësisë.
Eide ka kërkuar edhe më tej prani të konsiderueshme të prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë në Kosovë, si dhe ka kërkuar, që policia ndërkombëtare edhe pas krijimit të Ministrisë së Rendit të ketë pushtet egzekutiv.



XS
SM
MD
LG