Ndërlidhjet

KOSUMI: NUK DUHET TË BËJMË PAZAR ME PAVARËSINË E KOSOVËS


Bajram Kosumi, kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, grupi negociator sot ka mbajtur takimin e tij të tretë që prej formimit të tij. Në kohën kur në planin ndërkombëtar po bëhen përgatitje gjithnjë e më intensive për fillimin e bisedimeve për statusin, a nuk mendoni se edhe ju si grup duhet të bëni më shumë në këtë drejtim?

BAJRAM KOSUMI
Po. Sot grupi ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ne jemi marrë vesh që të themelojmë grupin politik, që do të jetë afër delegacionit të Kosovës në të gjitha çështjet themelore. Në këtë grup politik do të jenë njerëzit e fuqishëm të partive politike, që janë të aftë për të bërë dhe për t'i propozuar delegacionit të Kosovës vijat themelore politike dhe për të ruajtur parimet e programeve të partive politike, që do të rezultojnë në dokumentet për statusin përfundimtar të Kosovës. Ky grup pastaj ka për detyrë që t'i japë propozimet delegacionit të Kosovës, edhe për nëngrupe të tjera për çështje të ndryshme që do të trajtojë. Po ashtu jemi marrë vesh që në të gjitha këto grupe të jenë të përfaqësuar dhe të marrin pjesë aktive edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera etnike, ose grupacioneve të tjera, partive politike etj. Ky është hapi i parë i rëndësishëm. Ky grup gjithashtu shumë shpejt do t'i propozojë delegacionit të Kosovës platformën për bisedime, e cila më pas do të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Kështu që e tëra them sot ka filluar nga vendi, janë marrë këto vendime të rëndësishme nga delegacioni i Kosovës dhe tani do të punohet me të gjitha energjitë për përgatitjen e delegacionit të Kosovës për bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se janë tejkaluar mospajtimet që kanë dalë në opinion ditëve të fundit mes disa anëtarëve të grupit negociator?

BAJRAM KOSUMI
Unë gjithmonë kam thënë se ka patur disa moskuptime të duhura, e që nuk kanë patur të bëjnë me statusin përfundimtar të Kosovës, sepse ekziston një konsensus i fortë dhe i fuqishëm i të gjithë faktorëve politikë lidhur me bërjen e shtetit të Kosovës. Mospajtimet kanë qenë kryesisht të çështjeve teknike, për të cilat edhe tani besoj se grupi, ose delegacioni i Kosovës, që është delegacioni më i lartë në këtë drejtim, nuk është dashur fare të merret me çështjet teknike, me përbërjen e grupeve punuese, me formën e organizimit, rregulloret e tyre. Nuk duhej të merrej fare dhe kjo ka shkaktuar disa paqartësi, por besoj se sot janë tejkaluar të gjitha.

RADIO EVROPA E LIRË
Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar drejtuar institucioneve dhe faktorëve politikë në Kosovë kryesisht sillen rreth dy çështjeve: rreth krijimit të unitetit në spektrin politik dhe rreth krijimit të rrethanave për një jetë më të mirë për pakicën kombëtare serbe në Kosovë. Konkretisht çfarë oferte ka qeveria juaj për serbët e Kosovës?

BAJRAM KOSUMI
Oferta jonë për serbët e Kosovës, ashtu si dhe për të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme në procesin e Kosovës, mbështetet mbi parimet më pozitive evropiane të arritura në shekullin e kaluar, që edhe tash janë në shoqëritë evropiane; kjo do të thotë një barazi të plotë të qytetarëve të Kosovës, pa dallim prej ngjyrës, racës, përkatësisë fetare, etnike, apo gjuhësore. Ne gjithmonë themi se Kosova është shtet i qytetarëve të Kosovës, pra i përfshin edhe komunitetet e tjera etnike, jo vetëm shqiptare. Po ashtu Kosova e pavarur është në gjendje të japë garanci kushtetuese për ruajtjen e vlerave dhe identitetin kulturor dhe etnik të grupeve të vogla etnike dhe për zhvillimin e tyre. Ky është ai boshti themelor që dallon konceptin e Kosovës për zgjidhjen e këtyre problemeve, nga koncepti i Beogradit, që e ka ofruar tash e 20 vjet dhe që po provon edhe në Kosovë të bëjë të njëjtën, koncepti i shekujve të kaluar, i ndarjeve etnike, i enklavizimeve etnike, i korridoreve etnike. Koncept ky që ka çuar deri në disa luftra në territorin e ish-Jugosllavisë dhe i ka bërë dëme të mëdha civilizimit perëndimor.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave me të cilën mbase do të përballeni gjatë procesit negociator është gjendja aktuale në qytetin e Mitrovicës. Si e shihni ju këtë gjendje, a keni ndonjë plan ideor për këtë qytet, i cili vazhdon të jetë i ndarë prej më shumë se 6 vjet që nga përfundimi i luftës?

BAJRAM KOSUMI
Mendoj që tani është e qartë për të gjithë se ekziston vetëm një rrugë për zgjidhjen e disa problemeve në pjesën veriore të Kosovës. Ky plan ideor ose politik është riintegrimi i kësaj pjese në të gjitha strukturat e shoqërisë dhe të pushtetit në Kosovës. Nuk mund të ketë plan tjetër, nuk mund të ketë zgjidhje tjetër. Këtë e ka konfirmuar edhe Grupi i Kontaktit me parimet, edhe në prill, por edhe tani në mbledhjen e 2 nëntorit në Uashington, që nuk do të ketë ndryshime ose ndarje territoriale të njerëzve brenda Kosovës, por është dhe duhet të bëhen detajet për planin e riintegrimit të asaj pjese në tërësinë e Kosovës. Kosova është edhe kështu e vogël për të patur ndarje të brendshme. Serbët në atë pjesë të Kosovës do t'i gëzojnë të gjitha të drejtat e parapara me të gjitha konventat ndërkombëtare, duke përfshirë dhe dokumentat e Kopenhagës, por ata duhet të jenë pjesë e tërësisë që quhet Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet pritet t'i udhëheqë Marti Ahtisaari në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin. Çfarë prisni ju nga zoti Ahtisaari, si e shihni rrjedhën e bisedimeve dhe të tërë procesit?

BAJRAM KOSUMI
Për mua janë tre çështje kyçe në të gjithë procesin dhe natyrisht pres që edhe zoti Ahtisaari, bashkë me Grupin e Kontaktit, ta udhëheqin të tërë procesin dhe ta çojnë në drejtimet e duhura.
Nën një: populli i Kosovës të gëzojë të drejtën e vet për të patur shtet të vetin, për ta krijuar demokracinë e vet, për të krijuar prosperitetin e vet ekonomik dhe për të krijuar të ardhmen e vet. Ky është postulati bazë i çdo nisme, i çdo bisede, i çdo negociate, çfarëdo veprimi qoftë në këtë drejtim.
Nën dy: në Kosovë, në shtetin e Kosovës, të krijohet një mekanizëm i pushtetit që është funksional, që eventualisht të ruhemi nga çdo ndikim dhe nga çdo krijim i mekanizmave që e vështirësojnë funksionimin, për të mos thënë e bëjnë të pamundshme funksionimin e shtetit të Kosovës, zhvillimin e tij dhe prosperitetin e tij. Diçka e tillë deri diku ka ndodhur në Bosnje.
Nën tre: ky shtet i Kosovës të ndikojë pozitivisht dhe të krijojë paqen stabilitetin dhe harmoninë me të gjitha shtetet përreth, duke nënkuptuar dhe Serbinë dhe që të ndikojë përfundimisht në krijimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në disa qarqe të caktuara kohët e fundit është ngritur edhe shqetësimi, ose është paralajmëruar mundësia e destabilizimit të situatës gjatë procesit të bisedimeve. A besoni ju se do të ketë ndonjë destablizim?

BAJRAM KOSUMI
Derisa të ketë forca që dëshirojnë që të mos zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës, ato forca do të tentojnë edhe që ta destabilizojnë këtë proces. Mirëpo duhet të jemi të pregatitur që të presim të ndodhin gjëra të tilla, do të thotë do të ndodhin gjëra të tilla. Është aftësi edhe e zotit Ahtisaari, e vendeve të Grupit të Kontaktit, por edhe e politikës në Kosovë, si do të përballemi me ato vështirësi. Çfarëdo që të jenë ato vështirësi, çfarëdo që të jenë obstruksionet, çfarëdo që të jenë krizat, qofshin ato stërzgjatje e bisedave, tentim për stërzgjatje, qofshin vdekje klinike e bisedave ose edhe veprime më ekstremiste të grupeve më ekstremiste, forcat që janë të interesuara për ta zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës janë tepër të forta, shumë herë më të mëdha dhe më të forta se ato grupacione dhe ato grupe politike që dëshirojnë ta pengojnë procesin. Ne duhet të jemi të vendosur që procesi, njëherë i filluar i bisedave, të përfundojë shumë shpejt, të mos zvarritet, të mos ketë probleme dhe të mos destabilizohet, por të përmbyllet me sukses.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej opsioneve më të përfolura që mund të jetë rrjedhojë e bisedimeve është pavarësia e kushtëzuar. Si e sheh qeveria e Kosovës këtë opsion dhe a mund ta konsiderojë atë si një opsion kompromisi për të cilin po flitet kohët e fundit?

BAJRAM KOSUMI
Jo. Nuk besoj se duhet të bëjmë kompromise dhe pazare me pavarësinë e Kosovës. Kosova duhet të jetë e pavarur sikurse të gjitha vendet që janë në rajon të pavarura dhe duhet të ketë aq sovranitet sa kanë edhe vendet e tjera sovranitet. Ne mund ta bëjmë një hap më tutje që të arrijmë marrëveshje bashkë me NATO-n ose me Brukselin për disa fusha ku ne kemi nevojë që të përkrahemi, që të ndihmohemi, të ndajmë një pjesë të përgjegjësisë bashkë. Për shembull në fushën e sigurisë ne kemi nevojë për një prani më afatgjate të NATO-s në Kosovë. Ndërsa në fusha të tjera po ashtu ne kemi nevojë për këshilla, përkrahje, mbikqyrje të procesit, por jo për administrim të procesit. Ne do ta administrojmë procesin, ne do të kemi kompetenca të plota në këtë drejtim dhe nuk do të jemi në kuptimin negativ të kushtëzuar me asnjë send, sepse kjo do të pengonte zhvillimin ekonomik të Kosovës në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, për ju është thënë se jeni emëruar në këtë post në një periudhë jo dhe aq të lehtë për Kosovën në krahasim me paraardhësit tuaj. A mendoni edhe ju njëlloj?

BAJRAM KOSUMI
Besoj po. Mënyra se si ka ardhur deri tek zgjedhja ime kryeministër, rrethanat, pastaj dinamika e shtuar, faza më e rëndësishme në historinë e Kosovës kur po zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës, të gjitha këto e bëjnë shumë më të vështirë, shumë më të ndërlikuar dhe shumë më dinamike punën e kryeministrit të Kosovës. Kushdo që do të kishte qenë në vendin tim, do ta kishte patur të njëjtën dinamikë, të njëjtën vështirësi. Por njëkohësisht më lejoni të them se është krenari shumë e madhe, jo vetëm për mua që jam kryeministër, por për të gjithë njerëzit e Kosovës, për tërë këtë brez të popullit të Kosovës, që është duke e jetuar kohën më historike të Kosovës. Dhe diku rreth 3 milion qytetarë të Kosovës, sot janë gjithë krijues, janë autorë të lirisë, demokracisë dhe të prosperitetit të Kosovës, janë autorë të një vepre që do të mbijetojë shekujt dhe do t'i gëzojë njerëzit për shekuj të tërë.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi

XS
SM
MD
LG