Ndërlidhjet

logo-print

SMAKA: STATUSI DO TË GJENDET NË KUADËR TË KONCESIONEVE DHE KOMPROMISEVE TË FUQIVE TË MËDHA


Riza Smaka , ekspert i çështjeve kushtetuese juridike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Smaka si e vlerësoni nismën e Kuvendit të Kosovës që të hartojë një kushtetutë të Kosovës dhe sa konsideroni se parlamenti ka mandat që të miratojë aktin më të lartë juridik?

RIZA SMAKA
Nisma parimisht është me vend, por në rrethanat ekzistuese reflektohet si një nisëm e diskutueshme. Kjo, aq më shumë kur Kuvendi i Kosovës nuk ka juridiksion, kompetenca për të bërë një akt të tillë, së paku jo në mënyrë përfundimtare, do të thotë që ta bëjë dhe ta miratojë, si dhe kur secili deputet dhe të gjithë së bashku janë të vetëdijshëm se një dokument i tillë nuk do të kalonte, së paku kurrsesi para përcaktimit të statusit politik. Kështu që ky është një proces, një procedurë, një iniciativë që fundi i fundit e përcakton këtë punë si një punë si të thuash për ta bërë sa për ta bërë, si është ajo motoja "punë për punë".

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët keni thënë se statusi i Kosovës nuk mund të zgjidhet me aktin më të lartë juridik.

RIZA SMAKA
Është e vërtetë që me dokument juridik politik siç është kushtetuta nuk mund të përcaktohet statusi politik apo juridik, aq më tepër i Kosovës. Në rrethana të tjera nëse do ishim shtet i pavarur, do ta bënim një kushtetutë, do ta testonim opinionin e publikut të gjerë dhe si çdo dokument do ishte në debat dhe më tej do të bëheshin ndryshime, modifikime, plotësime të mendimeve të caktuara. Kur përcaktohet një kornizë logjike konceptuale, si e tillë kalon. Mirëpo në rrethanat ekzistuese nuk e dimë se cili do të jetë statusi, pasi tjetër është utopizmi që ne dëshirojmë. Për momentin nuk dihet statusi dhe nuk mundet askush ta parashikojë apo ta paragjykojë se do jetë ky apo ai. Kushtetuta sidomos në rrethanat ekzistuese nuk mund ta përcaktojë statusin politik. Kjo është një punë që shpesh herë po bëhet tek ne këtu, për të thënë diçka ndonjë deputet ose grupi i deputetëve, për të thënë që ata e inicuan këtë apo atë, ata janë ata, kjo është punë e tyre, etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Vetë fillimi diplomatik i raundit Ahtisari konsiderohet si fillimi procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Çfarë prisni ju konkretisht nga këto bisedime?

RIZA SMAKA
Unë si qytetar i rëndomtë, pasi nuk merrem intensivisht me hulumtime, por si një ndër profesorët universitarë që njoh opinionet e kolegëve të mi, shumicës, nga bisedimet shqiptaro serbe, askush asnjëherë nuk mund të presë se do të rezultojnë efekte të caktuara, sepse diametralisht janë opinione kontradiktore kolizive. Përderisa Serbia hegjemoniste ka pretenduar, pretendon dhe me siguri do të pretendojë edhe shumë shekuj pas këtij të tanishmit, që Kosova të jetë një nga krahinat komunat e saj, ndërsa ne kërkojmë atë që është elementare në bazë të vullnetit politik të popullit shumicë, në mënyrë absolute pavarësi. Pra nuk ka kurrfarë shanci për ndonjë kompromis. Dhe pa fijet e dyshimit do të shkojë kësisoj. Negociata të pasuksesshme dhe Ahtisari merr mendime këtu, merr nga Beogradi, merr nga Kisha Ortodokse, që është motoristika e hegjemonisë serbomadhe, anti-shqiptare, anti-civilizuese, anti-sllovene, anti-kroate, anti-boshnjake, anti-maqedonase, anti-hungareze, anti-malazeze etj etj. Edhe më pastaj Këshilli i Sigurimit, i cili është një kompleks i një formacioni të fuqive të mëdha të kohës. Fuqitë e mëdha të kohës ishin në vitin 1912-1913, 1919, 1945, 1992 Badinteri, 1999 Rambujeja. Pra fuqitë e mëdha kurdoherë nga historia e diplomacisë botërore, në sajë të interesave globale strategjike të tyre, edhe të raporteve të forcave i kanë vendosur çështjet, kanë bërë koncesione reciproke, kanë bërë favorizime përkundër favorizime, kundër-tregti politike dhe në këtë mënyrë i kanë vendosur çështjet.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG