Ndërlidhjet

logo-print

OSBE: DREJTËSIA KA BËRË LËSHIME NË GJYKIMIN E RASTEVE TË MARSIT 2004


Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, ka identifikuar lëshime por edhe dështime të shumta në sistemin e gjyqësisë, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004. Në një raport të publikuar sot në Prishtinë, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Vnendt tha se dështimet nuk ndërlidhen vetëm me rastet e proceduara në gjykata, por edhe me hetuesinë dhe prokurorinë.
“Raporti ka identifikuar një numër lëshimesh në gjyqësi dhe fushat në të cilat duhen arritur përparime.” Nga problemet evidente, tha ambasadori Vnendt, janë pengesat me të cilat po ballafaqoheshin autoritetet në mbledhjen e dëshmive.
Nga 426 persona të akuzuar për vepra penale gjatë trazirave të marsit, 209 prej tyre janë dënuar, kurse 12 janë liruar nga akuza, përderisa ekzistojnë edhe 110 raste në procedurë, kurse akuzat janë tërhequr për 95 raste. Bazuar në monitorimin nga afër të punës së gjykatave në lidhje me rastet e marsit, raporti identifikon, si thuhet, dënime të lehta për kryesit e veprave penale. Raporti identifikon problemet në mbledhjen e dëshmive, frikësimin e dëshmitarëve, por edhe mungesën e vullnetit të dëshmitarëve që të dalin e të flasin për atë që kanë parë gjatë trazirave. Por, OSBE-ja thuhet në raport, ka dhe dëshmi që vërtetojnë frikësimin e prokurorëve dhe gjykatësve për trajtimin e rasteve të marsit të vitit të kaluar. E gjithë kjo ka bërë që raporti të nxjerr si përfundim ekzistimin e lëshimeve dhe dështimeve në gjyqësi. Sidoqoftë, ambasadori Vnendt tha po ashtu se nuk do të ishte korrekte nëse do të konkludohej se i tërë sistemi i drejtësisë dhe gjykatave në Kosovë ka dështuar.
“Si përmbledhje mund të thuhet se sistemi i gjyqësisë në Kosovë është duke funksionuar, por janë të nevojshme përparimet e mëtejme”, tha ambasadori Vnendt.
Në fund të këtij raporti, që nuk është i pari, pasi që OSBE-ja vazhdimisht monitoron sistemin e gjykatave dhe të drejtësisë në përgjithësi, jepen disa rekomandime, ku kërkohet nga shefi i UNMIK-ut të nënshkruajë një rregullore për mbrojtjen e dëshmitarëve. Raporti kërkon dënime për avokatët, mediat apo zyrtarët e tjerë publik në raste se ata i zbulojnë emrat e dëshmitarëve të mbrojtur. Edhe rekomandimet e tjera kryesisht lidhen me sigurimin e dëshmive valide, duke ofruar njëkohësisht garanci për mbrojtjen e dëshmitarëve nga ana e Shërbimit Policor të Kosovës.
Trazirat e 17 dhe 18 marsit të vitit të kaluar lanë pas vetes 22 persona të vrarë e 500 të tjerë të lënduar. Gjatë këtyre ngjarjeve qenë djegur 830 shtëpi dhe si pasojë e tyre mbi 3.000 persona, kryesisht serbë e romë, qenë zhvendosur brenda territorit të Kosovës. Këto zhvillime pasuan mbytjen në lumin Ibër të tre fëmijëve shqiptarë në fshatin Çabër të Mitrovicës më 16 mars duke u shndërruar më pas në trazira ndëretnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG