Ndërlidhjet

MOORE: NË VITIN 1999 SERBIA KISHTE HUMBUR ÇDO PRETENDIM NDAJ KOSOVËS


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë i dërguari i posaqëm i OKB-së, Marti Ahtisaari tha se ai do ti filloj bisedat për statusin e Kosovës, gjatë muajit të ardhshëm në Vjenë. Sipas tij, në këtë fazë fillestare do të përfshihet çështja e decentralizimit. Nga ana tjetër, Grupi negociator i Kosovës ka thënë se decentralizimi nuk është temë për diskutim në këtë proces. Pra, si e shihni ju këtë situatë?

PATRICK MOORE
Do të filloj duke theksuar se autoritetet e zgjedhura të Kosovës janë shumë të qarta lidhur me këtë çështje: administrata e brendshme është diçka që do të diskutohet pasi të zgjidhen çështjet kryesore. Decentralizimi është një çështje e brendshme, që do të diskutohet në baza të brendshme dhe nuk është subjekt i negociatave ndërkombëtare. Ajo që kemi këtu është problemi që e kanë krijuar ndërkombëtarët dhe ata tash duhet të merren me të keqen, që vetë e krijuan, që u bë, në themel, duke lejuar autoritetet në Beograd, që të jenë negociatorë të plotë në proces. Nga memoaret e zonjës Medlin Olbrajt e dimë për referencën që Kosova i përkiste Jugosllavisë e jo Serbisë. Kjo referencë që ishte e përfshirë në Rezolutën 1244 nuk kishte për qëllim diçka serioze por për ti kënaqur rusët dhe grekët. Prandaj, kemi politikanët serbë që janë sjellë në procesin e negociatave nga ana e ndërkombëtarëve, megjithqë çdokush e ka të qartë se në vitin 1999 Serbia kishte humbur çdo pretendim ndaj Kosovës. Faktorë tjetër i rëndësishëm këtu është që Serbinë e presin zgjedhjet dhe në asnjë mënyrë ju nuk mund të prisni që politikanët e një vendi, përfshirë këtu edhe Serbinë, të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise publike në çështjet e rëndësishme për votuesit e tyre. Pra, mendoj se ndërkombëtarët e kanë krijuar problemin dhe ata do të duhej të merreshin me të. Ata duhet të gjejnë ndonjë zgjidhje, e jo kosovarët të bëjnë kompromise me serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisaari tha se ai duhet të përpiqet ti lëvizë palët nga pozicionet e tyre të tashme të fiksuara. A mendoni se do të ketë sukses?

PATRICK MOORE
Do të jetë shumë interesante, sepse e dimë se lidrët politikë në Kosovë kanë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre për disa qëndrime të caktuara. I këtillë është edhe rasti, që e përmendën, për Serbinë. Mendoj se në asnjë mënyrë politikanët udhëheqës në Serbi nuk do të pajtohen që të thonë: Millosheviqi e humbi Kosovën për ne dhe le të fillojmë tash një periudhë të re me fqinjët tanë shqiptarë dhe të lejojmë që bashkëkombasit tanë serbë në Kosovë të mësojnë të jetojnë si minoritet në vendin e dikujt tjetër. Kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ajo që mendoj se do të bëhet është se zoti Ahtisaari, që është nga Finlanda, vend anëtar i BE-së, do të duhej të ofronte disa përfitime shumë të mira nga Bashkimi Evropian për serbët. Por, nuk duhet të harrojmë se çfarëdo që të bëjë BE-ja, pra pavarësisht se sa para do të arrijnë në fund, për Beogradin, për Prishtinën ose për këdo qoftë, paraja nuk mund të zgjidhë çdo gjë. Kjo mund të vërtetohet me përplasjet e imigrantëve përreth Parisit, ku para do kohe kishim trazira, pastaj nëse i keni parasysh të dhënat për papunësi në BE, atëherë ju e shihni se paratë nuk mund ti zgjidhin të gjitha problemet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs tha se do ta emëroj diplomatit Frank Wisner të dërguar të posaqëm të Shteteve të Bashkuara për ti mbështetur përpjekjet e zotit Ahtisaari. Si e komentoni këtë nominim?

PATRICK MOORE
Para se gjithash, do të thoja se nuk e njoh atë. E shohim se ai nuk është një emër i madh, siç është për shembull, Riçard Holbruk, që e arriti paqen në Bosnjë. Por, mbaj mend se kur njerëzit në rajon më pyesnin se a do të caktohet zoti Holbruk, unë pata thënë se dyshoj shumë se do ta keni zotin Holbruk, për arsye të thjeshtë se ai është demokrat, ndërsa aktualisht në pushtet janë republikanët. Prandaj, konsideroja se nuk ishte e mundshme që administrata republikane do ti jepte rastin një demokrati shumë aktivë dhe të njohur për ta përmirësuar imazhin e tij politik. Për zotin Wisner e dimë se nuk është person i lartë nga kjo apo administrata e mëparshme. Pra, duket se kemi të bëjmë me një diplomat me përvojë, kemi të bëjmë me një njeri të stërvitur me mënyrat praktike të diplomacisë. Pra, mesazhi që unë e kam nga emërimi i zotit Wisner është se amerikanët e konsiderojnë atë si diplomat, që do të jetë shumë efektiv, jo vetëm në ekranet televizive, por prapa skenës në punë të qetë diplomatike.

Intervistoi Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG