Ndërlidhjet

VETON SURROI: ÇDO AKT I DHUNËS DO TË RREZIKONTE PROCESIN NEGOCIATOR


"Për mua është natyrisht po aq e rëndësishme se çfarë do të jenë këto kushtëzime, por më me rëndësi, me rëndësi fundamentale historike, është që të mbërrijmë pavarësinë juridike, që të shndërrohemi në subjekt sovran ndërkombëtar. Çështja e pranisë ushtarake ndërkombëtare, çështja e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, e misionit pas statusit janë kushtëzime dhe janë kompromise dhe këtu duhet të mbërrihet kompromisi ndërmjet nesh dhe Bashkësisë ndërkombëtare", thotë, pos tjerash, kryteari i partisë ORA, Veton Surroi.

RADIO EVROPA E LIRË
Viti i ardhshëm pritet të nisë me një proces të intensifikuar lidhur me përcaktimin e statusit. Sa është grupi negociues i Kosovës i përgatitur për ta përballuar këtë proces?

VETON SURROI
Unë besoj që me formën se si i kemi shpërndarë punët dhe me aktivizimin e grupeve punuese, disa prej tyre ende në zhvillim e sipër, besoj se do t’i prijmë së paku në ato tema në të cilat i kemi paralajmëruar. Ne nga kjo anë, nga Këshilli Konsultativ i Komuniteteve do t’i prezantojmë qëndrimet tona në gjysmën e parë të janarit dhe do të kemi edhe pika bazë për debatin për decentralizim, gjegjësisht për pozicionin tonë për decentralizimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë ndërkombëtarë kanë vlerësuar se bisedimet do të bëhen jo për statusin e Kosovës, por për statusin e serbëve në Kosovë. Cila është oferta kosovare për bashkësinë serbe, meqë udhëhiqni edhe Këshillin Konsultativ për Komunitetet pakicë?

VETON SURROI
Aty do të kemi oferta të nduarnduarta, një spektër ofertash – prej çështjeve të cilat janë të zgjidhshme menjëherë e deri te ndryshimet ligjore apo vendosja e ligjeve të reja dhe vendosja e çështjeve të komuniteteve brenda kushtetutës së re të Kosovës. Të gjitha këto e kanë natyrisht një emërues të përbashkët, e kjo është që shumica e kosovarëve duhet të jenë në gjendje të ofrojnë njohjen e të drejtave për popujt që gjenden në pozitë pakicë, me një diskriminim pozitiv dhe me një përpjekje për integrim. Natyrisht kjo duhet të bëhet por brenda një konteksti real regjional, domethënë disa të drejta duhet të vlejnë për të gjitha komunitetet, pavarësisht se a gjenden në Kosovë, Serbi, në Maqedoni…pra janë disa vlera të përbashkëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se do të sugjeroni zgjidhje analogjie për pozitën e serbëve në Kosovë me atë të shqiptarëve në Serbi. A mund ta elaboroni paksa këtë tezë tuajën?

VETON SURROI
Po, natyrisht se ne nuk mund të kushtëzojmë gjë, por mund të sugjerojmë dhe brenda një koncepti pozitiv të vendosim një garë pozitive për të drejtat e komuniteteve që gjenden në pakicë. Interesi i Kosovës është që çfarëdo që fitojnë komunitetet në Kosovë, çfarëdo që t’u njihet si e drejtë, për ç’gjë do të merremi vesh, të vlejë edhe për komunitetin shqiptar në Serbi. Ne kërkojmë, që nëse për shembull bëhet një elaborim me të cilin ndihmohet arsimi serb në Kosovë edhe nga Ministria e Arsimit e Serbisë, për shembull me plan-programe të përbashkëta apo me mjete të tjera shtesë, nuk shoh arsye pse kjo nuk do të vlente që edhe Ministria e Arsimit e Kosovës të ndihmojë arsimin shqip në Luginën e Preshevës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi a ekziston një bazë mbi të cilën do të mbështetet oferta që do të ofroni për serbët e Kosovës, në kuptimin që sa është punuar deri më tash për ta bërë këtë ofertë?

VETON SURROI
Shikoni, nga aspekti ligjor, të kodifikimit ndërkombëtar ekzistojnë disa rekomandime – tri rekomandime – të Lundit, të Helsinkit dhe të Amsterdamit, sa u përket formave të ndryshme të involvimit të komuniteteve pakicë. Këto rekomandime të Këshillit të Evropës për ne do të shndërrohen në obligative, pasi ne do të aspirojmë të jemi pjesë e Këshillit të Evropës. Ato do t’i integrojmë brenda një konteksti ligjor. Kështu që nga ai aspekt, nga aspekti i listës së gjërave që duhen bërë, ato janë unike për tërë Evropën dhe nuk shoh këtu ndonjë problem. Nga aspekti politik natyrisht çështja është se duhet një përgatitje më e madhe, më dinamike, e spektrit politik kosovar dhe e serbëve të Kosovës për të adoptuar një koncept zgjidhjeje që është brenda kontekstit evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, ju keni thënë se mund të jetë e pranueshme edhe pavarësia e kushtëzuar. Cili është arsyetimi juaj për këtë, ndërkohë që anëtarët e tjerë të Grupit negociues kanë thënë se nuk janë të gatshëm të nënshkruajnë pavarësi me prapashtesa, siç është shprehur edhe, ta zëmë, kryeministri?

VETON SURROI
Po, kryeministri dhe të gjithë të tjerët po harrojnë se ky proces është i kushtëzuar në fillim, jo në fund. Ky proces është i kushtëzuar me qëndrimet e Grupit të Kontaktit – qëndrimet e Grupit të Kontaktit janë të qarta dhe të panegociueshme sa i përket pranisë së ardhshme ushtarake ndërkombëtare dhe pranisë së ardhshme të një misioni civil ndërkombëtar. Që të dyja këto misione do ta kushtëzojnë që në fillim, po e kushtëzojnë pavarësinë e Kosovës. Për mua është natyrisht po aq e rëndësishme se çfarë do të jenë këto kushtëzime, por më me rëndësi, me rëndësi fundamentale historike është që të mbërrijmë pavarësinë juridike që të shndërrohemi në subjekt sovran ndërkombëtar. Çështja e pranisë ushtarake ndërkombëtare, çështja e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, e misionit pas statusit janë kushtëzime dhe janë kompromise dhe këtu duhet të mbërrihet kompromisi ndërmjet nesh dhe Bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mund t’i rrezikojë bisedat për statusin e Kosovës?

VETON SURROI
Ka shumë gjëra që mund të rrezikojnë. Së pari mund të rrezikojë bllokimi i tanishëm politik, do të thosha, dhe institucional në Kosovë, mund të rrezikojë një keq qeverisje, apo problemet e ndryshme në parlament, pra mund të rrezikojnë përpjesëtimin e ndërhyrjes së Bashkësisë ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit. Sa më keq të shkojnë punët me qeverisjen në Kosovë, aq më shumë do të rritet presioni për të ndërhyrë në çështjet e Kosovës pas zgjidhjes së statusit. Kjo nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër çfarëdo akti i dhunës do të rrezikonte procesin negociator dhe së treti ne kemi qartazi një krizë politike, të shkaktuar pos të tjerash edhe me sëmundjen e Dr. Rugovës, kryetarit të Kosovës dhe kjo është një çështje të cilën do ta adresojmë dhe duhet ta adresojmë në muajt apo javët që vijnë, që ta adresojmë në kuptimin e seriozitetit të çështjes dhe të iniciativave eventuale që të ndihmohet procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Libri juaj “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në Kosovë” thuhet të përmbajë edhe rezultatin e negociatave. A mund ta shpaloni sekretin e fshehur mes rreshtave të librit, ose çfarë është raporti ndërmjet rezultatit final dhe pritjeve lidhur me të?

VETON SURROI
Po, për librin duhet të flasin lexuesit dhe jo ai që e ka shkruar, pasi me vetë aktin e dorëzimit të tekstit e ka humbur të drejtën të flasë për të.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG