Ndërlidhjet

HARREL: KFOR-I DO TË JETË KËTU PËR AQ KOHË SA DO TË KETË NEVOJË


Ushtarët amerikanë të KFOR-it do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kosovë për aq kohë sa do të ketë nevojë që Kosova të mbrohet nga kërcënimet eventuale nga jashtë, ndërkohë që viti 2005 ka qenë një vit i suksesshëm, ka vlerësuar sot komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali John Harrel. Ai i ka bërë këto komente në bazën më të madhe ushtarake amerikane në Ballkan, në atë të Bondstillit afër Ferizajt në takimin e tij të fundit me gazetarë, pasi më 18 janar do të zevëndësohet nga gjenerali Darren Oeens, i Gardës Kombëtare të Teksasit.
Gjenerali Harrel tha se nuk mund të thoshte saktësisht se edhe sa kohë do të qëndronin ushtarët paqeruajtës në Kosovë, por tha se kjo kohë ishte relativisht e gjatë:
"Ushtarët e gjenerali Oeens do të jenë këtu për një vit të plotë, ndërsa unë kam takuar tashmë komandantin që do ta zëvendësojë gjeneralin Oeens pas një viti", tha gjenerali Harrel, sipas të cilit nuk ka nevojë për shqetësime nga ndonjë rrezik eventual i jashtëm lidhur me procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, i cili sipas tij do të permbyllet gjatë vitit 2006:
"Kur është fjala për kërcënimet nga jashtë, KFOR-i do të jetë këtu për aq kohë sa do të ketë nevojë", tha gjenerali Harrel, sipas të cilit me kërcënimet e brendshme merret Shërbimi Policor i Kosovës, i cili në çdo rast do të ndihmohet nga ushtarët amerikanë të KFOR-it. Ai tha se është me rëndësi që populli i Kosovës është duke mbështetur lirinë e lëvizjes, duke punuar së bashku në projektet për të gjithë të kthyerit dhe duke identifikuar kompromisin dhe tolerancën për të gjitha bashkësitë etnike dhe ka ftuar të gjithë të jenë pjesë e proceseve demokratike:
"Ata të cilët e përdorin dhunën dhe kërcënimet për të arritur qëllimet e tyre, sigurisht se nuk janë duke vepruar në interesin e të gjithë popullit të Kosovës", tha gjenerali John Harrel, duke vlerësuar se njerëzit me maska që janë paraqitur në Kosovë në disa muajt e fundit janë keqbërës dhe jo patriotë, prandaj nuk duhen mbështetur.
Gjenerali John Harrel kishte marrë komandën mbi trupat paqeruajtëse të Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes që udhëhiqet nga forcat amerikane në verën e këtij viti, ndërkohë që mandati i gjenerali Darren Oeens do të zgjasë një vit të plotë.

Rrahman Pacarizi, Bondstill
XS
SM
MD
LG