Ndërlidhjet

FSHATI BELLO POJE- KTHIM I SUKSESSHËM I TË ZHVENDOSURVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Që nga korriku i vitit të kaluar, në fshatin Bello Poje të komunës së Pejës, janë kthyer 24 persona të zhvendosur, kryesisht kryefamiljarë që kanë jetuar në këtë fshat, i banuar ekskluzivisht me pjesëtarë të komunitetit serb. Këta kryefamiljarë, me ndihmën e organizatave të ndryshme ndërkombëtare janë duke ndërtuar 24 shtëpi për familjet e tyre që presin të kthehen dhe të jetojnë në këtë fshat. Aktualisht, ata janë vendosur në shtëpinë e një prifti lokal. Miroslav Ratkoviç, është përfaqësues i tyre në strukturat e komunës së Pejës. Ai pohon se shumica e shtëpive, tashmë janë renovuar:
“Deri tani i kemi renovuar 23 shtëpi. Edhe pse është vonuar mjaft me fillimin e punëve ia dolëm që t’i përfundojmë para borës”, thotë ai. Ndërkohë, një kryefamiljar tjetër i këtij fshati, Mirjan Grubariç, mendon që t’i marrë edhe anëtarët tjerë të familjes, të cilët aktualisht i ka të strehuar në Serbi, dhe të kthehet në Kosovë për të jetuar:
Aktualisht situata në fshat nuk është e mirë, por nëse përmirësohet, thotë ai, në fund të muajit mars, ai bashkë me famljen e vet do të kthehet për ta vazhduar jetën në fshatin e lindjes.
Po ashtu edhe Zhivan Çirkoviç, banor i këtij fshati, beson se kushtet dhe rrethanat po përmirësohen dhe se ai do t’i marrë së shpejti djemtë dhe anëtarët tjerë të familjes për ta vazhduar jetën në Kosovë:
“Ne që kemi ardhur këtu, sigurisht se do të kthehemi”, thotë ai. Këta kryefamiljarë, thonë se atyre u kanë ardhur në vizitë shqiptarët si dhe përfaqësuesit e strukturave politike:
“Kanë ardhur dy tri herë, banorët, shqiptarët e të tjerët”, thotë njëri prej këtyre kryefamiljarëve Zhivan Çirkoviç. Mirëpo, vazhdon ai, pas rastit të Gorazhdecit kur persona ende të paidentifikuar patën vrarë dy të rinjë serbë dhe plagosur disa të tjerë, këto vizita janë ndërprerë.
Sidoqoftë, këta qytetarë të kthyer, kanë vërejtje në lirinë e lëvizjes. Qytetin e Pejës e kemi shumë afër, por për shkak se nuk mund të lëvizim të lirë na duket aq larg, shprehet njëri prej tyre. Ndërsa Miroslav Ratkoviç, thotë se problemi më i madh për ta është transporti.
Sidoqoftë, pas këtyre shtëpive të renovuara, strukturat komunale dhe organizatat e ndryshme, u kanë premtuar të zhvendosurve nga kjo anë se në fazën tjetër atyre do t’u ndërtojnë edhe 26 shtëpi tjera për po aq familje që duan të kthehen.


XS
SM
MD
LG