Ndërlidhjet

BASHKËQEVERISJA ( NUK ) VAZHDON


Albana Isufi, Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, po qe se do të fitonin votat e nevojshme pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nuk do të bashkëqeverisnin. Ndërkaq, përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mendojnë se bashkëqeverisja i duhet edhe më tej Kosovës. Megjithatë, të treja këto parti mendojnë se bashkëqeverisja e deritanishme ka qenë efektive. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Fatmir Sejdiu, i cili njëherësh është edhe deputet i Lidhjes Demokratike, thotë se në kohën kur janë krijuar institucionet, bashkëqeverisja ishte formula e vetme. Por, sipas Sejdiut, tani qeverinë do të mund ta krijonte edhe vetëm partia që fiton shumicën.
“Është normale që subjektet që fitojnë një shumicë të mazhorancës apo një mazhorancë me prezencë të numrit më të madh të deputetëve kanë të drejtë të ecin edhe vetë përpara. Tani të shohim me kohën se ç’do të ndodhë. Mendoj se partia që unë i takoj do të bëjë përpjekjet e saj që të fitojë zgjedhjet sikur se është e natyrshme që edhe partitë e tjera të bëjnë një gjë të tillë."
Hajredin Kuqi thotë se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të refuzonte ofertën për bashkëqeverisje. Megjithatë ai thotë se kjo parti ka potencial që ta formojë vetë qeverinë.
"Partia Demokratike e Kosovës nuk udhëhiqet me politikën refuzuese ndaj të tjerëve. Ne nuk mund të prejudikojmë që tani, por mund të themi se qeverinë tjeter do të dëshironim të ishte shumë më efektive, të udhëhiqet mbi bazën e logjikës së veprimit aktiv, një strategjie të qartë dhe koncepti politik që është i përafërt me Partinë Demokratike të Kosovës."
Nga ana tjetër deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Kosovës i duhet edhe më tej modeli i bashkëqeverisjes.
"Edhe për një kohë mendoj se është në interes të Kosovës duke pasur parasysh edhe dobësitë që i ka bashkëqeverisja, sepse kjo po i shtensionon raportet politike, grupore ndoshta edhe klanore, individuale dhe po bënë njëfarë shtensionimi, po e zbut klimën politike dhe krijon mundësinë që institucionet të funksionojnë,” tha Bajram Kosumi.
Por, parë nga këndvështrimi i njohësve të rrethanave politike, bashkëqeverisja ka shkaktuar mungesë të efektshmërisë dhe përgjegjësisë së instituiconeve. Profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Hasani thotë:
“Unë pres dhe besoj se një pjese të madhe të spektrit këtu në Kosovë dhe të individëve ju përshtatet kjo gjendje, sepse kjo është një gjendje e papërgjegjësisë që do të mbahet për një kohë të gjatë në mend. Vijat e përgjegjësisë fare nuk janë të qarta dhe sistemi zgjedhor këtu në Koosvë ka shumë te meta dhe e meta kryesore e tij është se nuk flet fare për përgjegjësitë, dmth nuk krijon fare mundësinë e marrjes së përgjesisë politike të atyre që kane pozita publike, prandaj një pjesë e madhe e tyre do të donin që kjo do të ishte kështu përgjithmonë”, tha Hasani.
Megjithatë, përfaqësuesit e partive politike pajtohen, se për proceset e mëdha politike, pavarësisht se a do të ketë bashkëqeverisje apo qeveri me opozitë, vendimet duhet të merren bashkarisht nga i tërë spektri politik.



XS
SM
MD
LG