Ndërlidhjet

UNMIK-U NUK KA QËNDRIM TË QARTË LIDHUR ME EKSTRADIMIN E JAKUPIT DHE ABAZIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të departamentit ligjor të UNMIK-ut nuk kanë vërtetuar nëse kanë marrë një kërkesë zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë për ekstradimin e Avdyl Jakupit, të njohur me emrin e luftës Çakalla. Burimet e njëjta kanë thënë se lidhur me ekstradimin e personave të caktuar mund të vendosë vetëm gjyqi.
Meqenëse Avdyl Jakupi është qytetar i Maqedonisë, autoritetet e atjeshme kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga UNMIK-u ekstradimin e tij. Zyrtari për çështje ligjore i UNMIK-ut, Neeraj Singh tha se nuk është UNMIK-u ai që vendos nëse dikush do të ekstradohet apo jo, pasi një vendim i tillë i takon gjyqit:
"Ekstradimi bëhet përmes gjyqit mbi bazat e ligjeve në fuqi dhe për këtë kërkohen disa gjëra, përfshirë edhe kërkesën zyrtare nga jurisdiksioni i interesuar," tha zoti Neeraj Singh. Ai tha më tej tha se parakusht për të ekstraduar dikë është që jurisdiksioni përkatës i vendit të interesuar, në këtë rast Ministria e Drejtësisë, duhet të dorëzojë kërkesën formale për esktradim, bashkë me dëshmitë për veprat e kryera nga personi që kërkohet për t’u ekstraduar.
Ndërkaq, një zëdhënës i policisë ndërkombëtare tha se vetëm mund të konfirmonte faktin se Avdyl Jakupi mbahet i ndaluar në polici:
"Ne vetëm mund të themi se ai na është dorëzuar nga KFOR-i dhe aktualisht është në paraburgim, ndërsa të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me akuzat dhe kërkesat për ekstradim janë çështje të departamentit ligjor të UNMIK-ut," tha zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Dmitrij Prakin.
Avdyl Jakupi, siç ka bërë të ditur Shërbimi për informim i kampit ushtarak amerikan Bondsteel është vetëdorëzuar të premten tek ushtarët e KFOR-it, të cilët komandant Çakallën bashkë me Adnan Abazin, ia kanë dorëzuar policisë së UNMIK-ut në Prishtinë për të ndjekur më pas procedurat civile të hetimeve.



XS
SM
MD
LG