Ndërlidhjet

logo-print

TË DYSHUARIT PËR KRIME LUFTE MUND T'I SHMANGEN TRIBUNALIT


"GUARDIAN"



Disa nga të dyshuarit për krime lufte në territorin e ish Jugosllavisë do të mund t’i shmangeshin drejtësisë ndërkombëtare, për shkak të qasjes së fundit të Washingtonit, e që përkrahet nga administrata britanike, për të kufizuar pushtetin e Carla del Pontes, kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë. Sipas planeve amerikane për rikonfigurimin e pushtetit në Tribunal, për herë të parë në historinë 10 vjeçare të këtij institucioni, gjykatësit do të jenë ata që do të vendosin se kush do të ulet në bankën e të akuzuarve.
Burimet thonë se gjykatësit e Tribunalit, në pritje të rezultateve nga beteja për pushtetin, janë duke i bllokuar aktakuzat e paraqitura nga zonja Del Ponte, ndërkaq kjo e fundit thuhet se është e zemëruar me këto përpjekje për ta blokuar punën e saj, veçanërisht pas vendimit të vitit të kaluar për ta shkarkuar atë nga rastet që kanë të bëjnë me krimet në Ruandë. Projekt rezoluta e hartuar nga Britania e Madhe, por e kundërshtuar nga Rusia, Gjermania dhe Franca, do të transferonte një pjesë të pushtetit të zonjës Del Ponte tek gjykatësit e Tribunalit, duke rrezikuar kësisoji lirinë dhe pavarësinë e hetimeve dhe prokurorisë. Kritikët ndërkaq thonë se ky hap është një sulm kundër zonjës Del Ponte për shkak të refuzimit të saj që t’i nënshtrohet trysnisë politike, veçanërisht nëse merret parasyshë fakti se ata nuk kanë përvojë në identifikimin e të dyshuarve.
Këshilli i Sigurimit, nën trysninë e Shteteve të Bashkuara, ka vendosur vitin e kaluar që në vitin 2010 ta mbyllë Tribunalin për krimet në ish Jugosllavi dhe në bazë të këtij vendimi, zonja Del Ponte është e obliguar që deri në vitin 2008 t’i përfundojë të gjitha gjykimet, kurse aktakuzat t’i publikojë deri në fund të këtij viti. Por, gjykatësi Theodor Meron, president i Tribunalit, thotë se disa nga këto aktakuza do të shfuqizohen për faktin se të dyshuarit nuk janë zyrtarë të lartë administrativ.
Ndryshe, administrata e presidentit amerikan George Bush ka qenë kritike ndaj Tribunalit dhe zonjës Del Ponte. Sipas një burimi, amerikanët do të kënaqen me arrestimin e Karaxhiqit dhe Mladiqit, ndërsa zonja Del Ponte do të jetë kryeprokurorja e fundit në sistemet e drejtësisë ndërkombëtare që ka pasur aq shumë pushtet të pavarur.
XS
SM
MD
LG